Unë luaj dhe mësoj që të eci

Materialet që ju nevojiten: Lodrat e preferuara ose lodra të punuara me dorë, jastëkë, mobilje të buta dhe kuti.

Çfarë mund të bëni së bashku: Organizoni mobiljet në atë mënyrë që fëmija të mund të lëvizë nëpër dhomë dhe të ecë midis pjesëve të buta të mobiljeve, duke u mbajtur nëpër to. Kjo gjë nxit mbajtjen e ekuilibrit gjatë ecjes. Për të inkurajuar fëmijën tuaj t'i bëjë hapat e parë, në momentin kur ai/ajo është në këmbë dhe me fytyrë nga një person tjetër, inkurajojeni atë të shkojë drejt personit tjetër që po e thërret dhe po e mban lodrën ose ndonjë objekt të preferuar në dorë (ndonjëherë mund të mos mjaftojë vetëm personi pa asgjë në dorë).

Fëmijët i pëlqejnë lodrat që mund të shtyhen dhe tërhiqen. Nëse nuk keni, mund ta krijoni një lodër të thjeshtë e cila mund të tërhiqet, duke e lidhur një pe të hollë ose më të trashë, ose ndonjë litar të butë (me gjatësi rreth 60cm) në ndonjë kuti. Në anën tjetër lidhni një top ose ndonjë lidhëze plastike për të shërbyer si dorezë.

Ndonjë kuti e madhe mund të jetë një vend i mirë për t'u ulur dhe luajtur. Fëmijëve ju pëlqen t'i përdorin kutitë e mëdha si hapësira të vogla ku mund të futen brenda dhe të kënaqen. Inkurajoni fëmijën të futet, të dal, ose të ulet brenda në kuti... Krijoni një urë ose tunel nga kutia që fëmija të kaloj përmes saj në anën tjetër, ku e pret lodra e tij/saj e preferuar. Me ndihmën e kutive, dyshekëve të vegjël, jastiqeve ose pjesëve të buta të mobiljeve krijoni disa pengesa nëpër dhomë, në mënyrë që gjatë lëvizjes fëmija të mundohet t'i kapërcejë ato, të rrokulliset ose t'i kalojë anash, të futet nën to ose mbi to.

Fëmija mëson që secila lodër bën diçka më ndryshe se tjetra. Lëreni që ai/ajo të luajë me shumë gjëra të cilat mund t'i mbështjellë, shtyjë, tërheqë, përqafojë, shkundë, shtypë, palosë, rrotullojë dhe përziejë. Shumica e fëmijëve pëlqejnë që të dëgjojnë muzikë. Inkurajoni fëmijën të ecë para, prapa, të sillen duke dëgjuar muzikë, sepse në këtë mënyrë ai/ajo ushtron ekuilibrim. Nëse është e nevojshme, ndihmojeni duke ja mbajtur duart. Të gjitha këto e ndihmojnë atë në zhvillimin e aftësive të ecjes.

Çfarë po mëson fëmija juaj: Ky aktivitet e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë që të lëvizë në mënyrë të pavarur në drejtime të ndryshme, me shpejtësi të ndryshme ose të kombinojë lëvizje të ndryshme (të ndalojë lëvizjen dhe të bëj me dorë). Ai/ajo është shumë i/e motivuar ta zotërojë këtë aftësi, sa që pret që ju t'ia përkushtoni çdo minutë të kohës tuaj të lirë atij/asaj për ta ndihmuar në zotërimin e këtij funksioni kaq të rëndësishëm jetësor. Ju lutemi, krijoni mjedisin që ai/ajo po kërkon!