Ushqyerja me gji gjatë shtatzanisë

“Ju i jepni gji foshnjës tuaj dhe zbuloni se jeni shtatzënë. Ju nuk doni ta ndërprisni ushqyerjen me gji shumë shpejt, por jeni të shqetësuar për mënyrën se si ndikon shtatzënia në gjidhënien dhe si ndikon në periudhën e gjidhënies. Nuk ka asnjë provë që ushqyerja me gji mund të rrezikojë një shtatzani që vazhdon pa komplikime. Shtatzënia nuk ndikon në sasinë dhe cilësinë e qumështit.”
Body

Ju jeni shtatzanë dhe ende i jepni gji fëmijës tuaj më të madh. Ju pyesni veten nëse duhet të ndaloni dhënien e gjirit, nëse ende prodhohet mjaft qumësht, cili është ndikimi i ushqyerjes me gji ndaj fëmijës së palindur. Ndonjëherë nëna, ose fëmija, vendos të ndalojë gradualisht ushqyerjen me gji gjatë shtatzanisë. Disa, megjithatë, vazhdojnë gjatë gjithë shtatzanisë, veçanërisht nëse foshnja është akoma e vogël dhe shtatzania është e paplanifikuar.

Ushqyerja me gji pjesërisht mbron nga shtatzania e ardhshme, por trupi i çdo gruaje është i ndryshëm. Disa gra mbeten shtatzënë lehtësisht derisa ende e kanë fëmijën tjetër në gji. Për t’u mbrojtur nga shtatzania e paplanifikuar, konsultohuni me gjinekologun se çfarë metode kontraceptive rekomandohet gjatë ushqyerjes me gji.

Nëse e gjeni veten në këtë situatë, do të keni shumë pyetje dhe dilema. Ndonjëherë këshillat e profesionistëve shëndetësor do të jenë të ndryshme; jini të kujdesshëm dhe mendoni mirë nëse dikush ju këshillon ta ndërprisni gjidhënien, veçanërisht nëse fëmija juaj është vetëm disa muajsh.

Cili është ndikimi i ushqyerjes me gji te fëmija i palindur?

  • Ekziston një shqetësim se fëmija i palindur nuk do të marrë mjaftueshëm nga ushqimi që i nevojitet. Duket se nevojat e foshnjës së palindur vijnë së pari dhe se ai/ajo merr gjithçka që i nevojitet nëse dieta e nënës është e rregullt dhe me cilësi të mirë.
  • Këshillohet kujdes nëse nëna më parë ka pasur një abort spontan ose lindje të parakohshme, megjithëse probabiliteti që kjo të ndodhë për shkak të ushqyerjes me gji është i ulët.
  • Një dilemë tjetër është nëse foshnja e re do të marrë kolostrum të mjaftueshëm. Duket se gjiri automatikisht fillon të prodhojë kolostrum drejt fundit të shtatzënisë. Shija e kolostrumit (më e kripur se qumështi i pjekur) mund të ndihmojë në largimin e fëmijës më të madh nga gjiri.

Si ndihet një grua shtatzanë gjatë gjidhënies?

Ushqyerja me gji gjatë shtatzanisë mund të ketë efekte të ndryshme anësore. Disa nëna raportojnë se sëmundja e tyre në mëngjes përkeqësohet gjatë ushqyerjes me gji, ndoshta për shkak të sekretimit të hormoneve, urisë, etjes ose lodhjes. Thithkat tuaja mund të bëhen tepër të ndjeshme për shkak të hormoneve të shtatzanisë; kushtojini vëmendje një pozicioni të mirë të gjidhënies dhe mbylljes së mirë të gjirit.

A prodhohet ende qumësht i mjaftueshëm?

Nëse fëmija juaj është nën nëntë muajsh, ju hani mirë dhe i ofroni foshnjës të thithë sa herë që ai/ajo dëshiron, ka shumë mundësi për të ruajtur sasinë e kërkuar të qumështit. Ndonjëherë hormonet e shtatzënisë e zvogëlojnë prodhimin e qumështit; në çdo rast duhet të konsultoheni me një mjek.

A mund ta ndërpres dhënien e gjirit?

Nëse vendosni të ndërprisni dhënien e gjirit, përpiquni ta bëni gradualisht atë. Ndonjëherë fëmija juaj vendos të ndalojë ushqyerjen me gji; është normale të ndiheni fajtorë për përshpejtimin e këtij procesi duke mbetur shtatzanë, ose të pendoheni për humbjen e kësaj lidhjeje të veçantë që keni pasur me fëmijën tuaj. Mundohuni të përqendroheni tek fëmija i ri dhe marrëdhënia që do të keni të gjithë së bashku. Shtatzania juaj e dytë dhe pasuese janë një periudhë e veçantë. Ju do të ndiheni më të sigurt në rolin tuaj si nënë, sepse tashmë keni lindur me sukses dhe keni ushqyer me gji fëmijën tuaj.

Gjidhënia në stil tandem

Të ushqyerit tandem me gji nënkupton gjidhënien në të njëjtën kohë të dy fëmijë të moshave të ndryshme (për dallim nga binjakët që ushqehen me gji). Është e mundur t’i ushqeheni me gji të dy fëmijët pas lindjes. Ndonjëherë, fëmija më i madh, i cili e ndërpret ushqyerjen me gji gjatë shtatzënisë, kërkon të vazhdojë pas lindjes së foshnjës së re. Ushqyerja me gji në të njëjtën kohë është e mundur dhe disa shoqata profesionale e rekomandojnë atë. Avantazhi është se fëmija i me i madh ende i gëzon të gjitha përfitimet ushqyese dhe imune të qumështit të gjirit, dhe gjithashtu mund ta ndihmojë nënën nëse gjinjtë janë mpiksur. Nga ana tjetër, ka të ngjarë që fëmija i vogël mund të mos marrë qumësht të mjaftueshëm, ose vëmendjen dhe përqendrimin e plotë të nënës.