Vaksina kundër Hepatitit B
Disa informacione rreth vaksinës:
Vaksina kundër hepatitit B përmban grimca shumë të pastruara, joinfektive të antigjenit sipërfaqësor të virusit të hepatitit B (HbsAg), dhe gjithashtu përmban: kripëra alumini që shërbejnë si adsorbent dhe si trajtim plotësues (rritës i reagimit imunitar) tek fëmija.
Vaksina bëhet me injeksion në muskulin e kofshës te foshnjat ose muskulin deltoid (pjesën e sipërme të krahut) te fëmijët e rritur (më të mëdhenj se 3 vjeç). Fëmijëve deri në moshën 15 vjeç u jepet një dozë prej 0.5 ml dhe fëmijëve të moshës 16 vjeç e lart u jepet një dozë 1.0 ml, dozë kjo që u jepet të gjithë të rriturve.
Imunizimi rutinë kryhet me katër doza vaksine:
Doza zero - dita e parë pas lindjes (ose dita e zgjedhur)
Doza e parë - 2 muaj pas dozës në lindje
Doza e dytë - 4 muaj pas dozës në lindje
Doza e tretë - 6 muaj pas dozës në lindje
Është e rëndësishme të testohen gratë shtatzëna për hepatitin B. Në rast se ato mbartin virusin e hepatitit B, fëmija, përveç vaksinës, merr antitrupa specifik (imunoglobulin e hepatitit B) në ditën e parë pas lindjes.
Nëse zbatohen të gjitha masat e mësipërme, nëna që mbart virusin e hepatitit B mund të ushqejë me gji fëmijën e saj, përveç në rastet kur thithat janë të plasaritura dhe kanë gjakderdhje dhe në këtë rast nëna duhet ta shtrydhë dhe ta derdhë qumështin e gjirit deri në shërimin e thithave.
Vaksina kundër hepatitit B mund të jepet në të njëjtën kohë me vaksinat e tjera, si me vaksinën kundër tuberkulozit, difterisë, tetanozit, kollës së mirë, vaksinës së MMR-së. Kur aplikohet si një vaksinë e vetme do të injektohet në një zonë tjetër p.sh pjesa e sipërme e këmbës tek foshnjat ose pjesa e sipërme e krahut te fëmijët më të rritur.
Vaksina nuk duhet t'u aplikohet fëmijëve që kanë sëmundje akute të shoqëruar me temperaturë të lartë dhe atyre që më parë kanë pasur ndonjë reaksion alergjik të fortë (anafilaksi) ndaj disa prej përbërësve të vaksinës.
Efekti i vaksinës në zhvillimin e fetusit nuk është vlerësuar, por një grua shtatzënë mund ta marrë këtë vaksinë vetëm nëse ka indikacione të qarta. Nuk ka kundërindikacione që një grua që ushqen me gji foshnjën të aplikojë vaksinën.
Njerëzve në hemodializë ose atyre me rezistencë të zvogëluar mund t'u nevojitet një dozë shtesë përforcuese.