Vëmendja pozitive

Reagimet tuaja ndaj sjelljes së fëmijës që në ditët e para të jetës së tij/saj janë një burim i rëndësishëm mësimi për fëmijën. Pra, që në fillim, përpiquni të përgjigjeni me vëmendje pozitive. Vëmendja pozitive është mënyra se si e shfaqni ngrohtësinë dhe kënaqësinë, që e merrni nga fëmija juaj dhe marrëdhënia me të. Pra vëmendja pozitive është një motivues i rëndësishëm dhe një motivim i qartë për fëmijën.
Body
Si t’i kushtoni vëmendje pozitive fëmijës:
  • Jepni fëmijës një buzëqeshje kur ju shikon. Foshnja do ta shijojë buzëqeshjen tuaj dhe, gjithashtu, do të mësojë se ai/ajo është shumë i\e vlefshëm/e për ju. Buzëqeshja juaj është një lloj “shpërblimi’ dhe fëmija shumë shpejt do të përdorë aftësinë e tij/saj për t’ju bërë për të qeshur, dhe do të kthehet drejt jush sa herë që ta thërrisni. Kjo do ta forcojë aftësinë e tij/saj për të mbajtur kontakte me ju, për ta mbajtur vëmendjen tuaj dhe për të mësuar në marrëdhënien me ju. Diçka e ngjashme ndodh kur ju e shikoni foshnjën tuaj me një shprehje të fytyrës që tregon interes dhe butësi (sy të gjerë, buzëqeshje dhe zë i ngrohtë).
  • Prekni, përqafoni dhe shpreheni dashurinë tuaj në mënyra të ndryshme. Për një foshnje, veçanërisht në ditët e para të jetës, prekja është një burim i pashtershëm i të mësuarit për sigurinë dhe një kanal i domosdoshëm për t’u lidhur me njerëzit që do t’i besojë, me të cilët do të qetësohet dhe do të mësojë për veten dhe botën. Kur i jepni mundësinë fëmijës suaj që ta përqafoni, ta përkëdhelni apo ta prekni butësisht, ju po i dërgoni një mesazh të qartë se ai/ajo është i/e dashur, i/e sigurt dhe i/e mbrojtur.
  • I thoni foshnjës fjalë të mira. Derisa ai/ajo ta kuptojë domethënien e fjalëve, fëmija do të jetë në gjendje ta njohë tonin e zërit tuaj dhe mënyrën si flisni. Fjalët e thëna me buzëqeshje, që përshkruajnë fëmijën përmes karakteristikave pozitive, do të zhvillojnë tek fëmija një ndjenjë të fortë të pranimit, të përkatësisë dhe të përvojës së vetëvlerësimit.
  • Shfaqni interes për atë që fëmija është i interesuar (për shembull, atë që shikon, tregon, përpiqet të arrijë foshnja...), në aktivitetet dhe arritjet individuale. Ju mund ta bëni këtë, në veçanti, duke emërtuar veprimin (“Ja, po shohim një zog!”), pastaj të merrni pjesë në atë aktivitet së bashku me foshnjën për një kohë të caktuar. Mundohuni t’ia zhvilloni aftësinë e “pritjes” - t’i jepni fëmijës kohë për t’iu përgjigjur fjalëve tuaja, buzëqeshjes dhe thirrjes. Fëmija do t’ju shikojë, do të tregojë përsëri me gisht, do të kërkojë vështrimin dhe fjalët tuaja, derisa të përfshihet në aktivitet, do të buzëqeshë ose do të bëjë tinguj dhe lëvizje. Plotësojeni këtë përvojë të fëmijës suaj me fjalë që përshkruajnë mirë atë dhe interesat e tij/saj. Për një fëmijë, ky lloj shkëmbimi është një burim i madh i të mësuarit rreth vetëvlerësimit, pavarësisht se sa i shkurtër mund të ketë qenë për ju ose i ndërlidhur me diçka që duket e parëndësishme dhe e vogël.

Vëmendja pozitive i mëson foshnjës që në ditën e parë se është i rëndësishëm dhe se të tjerët marrin kënaqësi prej tij/saj. Kjo ndërton një imazh pozitiv për veten, i cili është themeli i vetëvlerësimit, i mirëqenies, i marrëdhënieve të mira me të tjerët (më vonë në jetë me bashkëmoshatarët, mësuesit, personat e afërt) dhe i gatishmërisë për të njohur dhe zbuluar botën.