Nxitja e zhvillimit të aftësive në shkrim-lexim
Zhvillimi i shkrim-leximit është një pjesë vitale e zhvillimit të përgjithshëm të fëmijës suaj. Ai është themeli për t’ia dalë me sukses në shkollë, për t`u shoqëruar me të tjerët, për të zhvilluar pavarësinë, për të menaxhuar paratë dhe për të punuar.
Por, para se fëmija juaj të mësojë të lexojë dhe të shkruajë, ai/ajo duhet t’i zhvillojë parimet themelore për aftësitë në shkrim dhe lexim si aftësinë për të folur, dëgjuar, kuptuar, parë dhe vizatuar. Jepini fëmijës suaj një bazë të pasur përmes “gjuhës së folur”, duke bërë biseda të ngrohta, duke përdorur fjalë interesante dhe duke lexuar me zë të lartë.
Dhe përderisa fëmija juaj rritet, ai/ajo gjithashtu duhet të mësojë për lidhjen midis shkronjave në një faqe dhe tingujve të folur. Që kjo të ndodhë, ata kanë nevojë për shumë përvojë me:
- fotografi dhe objekte - si mund t’i përdorin fjalët për të folur rreth tyre.
- shkronja dhe fjalë - format, tingujt dhe emrat e tyre.
- tingujt - si mund t’i rimojmë fjalët, dhe ndërsa ai/ajo rritet, duhet të mësojnë se fjalët fillojnë dhe mbarojnë me ato shkronja, ndahen në pjesë si rrokje, formohen duke përzier tinguj të ndryshëm e kështu me radhë.
Ju mund të ndihmoni në të gjitha këto fusha të zhvillimit të hershëm të shkrim-leximit të fëmijës tuaj duke:
- komunikuar me fëmijën tuaj.
- lexuar së bashku.
- luajtur me rimën dhe tinguj të tjerë.
Dhe lajmi i mrekullueshëm është se ju mund ta bëni këtë në mënyra që janë argëtuese për të dy ju.
Përvojat gjuhësore që kanë fëmijët para fillimit të shkollës formojnë lidhje të fuqishme të trurit. Këto lidhje përdoren për gjuhën, të menduarit dhe të kuptuarit. Pa aktivitete si të folurit, të kënduarit dhe të lexuarit, truri nuk i zhvillon këto lidhje të rëndësishme.
Komunikimi: rëndësia e tij në zhvillimin e shkrim-leximit
Komunikimi paraprak me fëmijën tuaj ndihmon në zhvillimin e aftësisë së fëmijës tuaj për të folur, dëgjuar dhe kuptuar gjatë rritjes.
Çfarë mund të bëni?
- Kopjoni tingujt që bën fëmija juaj. Mund të përdorni gjuhën e foshnjave. Foshnjat e duan atë dhe kjo i ndihmon foshnjat të kuptojnë se si bashkohet gjuha.
- Këndoni me fëmijën tuaj.
- Flisni me fëmijën tuaj për gjërat e përditshme që bëni dhe shihni së bashku. Për shembull, “Le të pastrojmë tani”, “Shikoni zogun e kuq” ose “yummyy, çfarë dreke të mirë po hamë”.
- Flisni për ndjenjat dhe bisedoni nëse fëmija juaj është i/e lumtur apo i/e trishtuar.
- Ndani histori me fëmijën tuaj. Ju mund të ndani histori nga fëmijëria juaj ose t’i tregoni për të kaluarën e familjes tuaj. Ju mund të krijoni një histori së bashku duke plotësuar me radhë njëri-tjetrin.
- Dëgjoni fëmijën tuaj. Nëse ai/ajo bën një pyetje, jepini atij/asaj mundësinë për të reflektuar përgjigje të mundshme para se ju të përgjigjeni. Për shembull, nëse fëmija juaj thotë: “Çfarë është ajo kuti atje?”, Ju mund të thoni, “Çfarë mendon ti se është?”
Leximi: rëndësia e tij në zhvillimin e shkrim-leximit
Lexoni shpesh me fëmijën tuaj. Është më mirë të filloni leximin që në lindje, por kurrë nuk është vonë për të filluar.
Çfarë mund të bëni?
- Zgjidhni libra me struktura që ngrihen kur hapet faqja, libra me prekje dhe ndjesi ose libra me fjalë të rimuara ose të përsëritura për fëmijët më të vegjël.
- Bëjeni së bashku leximin një përvojë të lumtur dhe interaktive-thoni gjëra të tilla si “Çfarë do të ndodhë më pas?” “E sheh vajzën me top? Ti ke një top!”
- Nxiteni fëmijën tuaj që ta mbajë librin dhe të kalojë faqet. Kjo e ndihmon atë të fillojë të kuptojë se libri duhet të jetë në një mënyrë të caktuar lart dhe se faqet kthehen gjithmonë në të njëjtin drejtim.
- Me fëmijët e moshës parashkollore, vendoseni gishtin poshtë fjalëve ndërsa i lexoni, duke ua treguar çdo fjalë.
- Tregoni figurat dhe flisni për fotografitë që tregon fëmija juaj.
- Bëni tingujt e kafshëve ose objekteve të tjera në libër - argëtohuni!
- Vizitoni bibliotekën. Ka një sërë lloje të ndryshme librash që mund të huazoni.
Rima: rëndësia e saj në zhvillimin e shkrim-leximit
Rimimi është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i mësuar fëmijëve lidhjen midis tingullit të një fjale dhe mënyrës se si është shkruar.
Çfarë mund të bëni?
- Luani lojëra që përfshijnë rimë. Lojërat me rima i ndihmojnë fëmijët t’i vlerësojnë tingujt e fillimit dhe të mbarimit. Këto lojëra mund t’i luani në çdo kohë - në makinë, gjatë blerjeve ose gjatë darkës.
- Luani lojëra që përfshijnë tingullin dhe ritmin e fjalëve. Mund të provoni “kukafshehti” dhe fjalë të shpejta si “Kupa me kapak, kupa pa kapak”.
- Lexoni libra të rimuar si "Macja me kapelë" ose "Vallëzimi i dinozaurit".
Ju mund të dëshironi të lexoni për më shumë aktivitete për nxitjen e gjuhës dhe shkrim-leximin që në fëmijërinë e hershme. Nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj mund të ketë vështirësi në leximin e hershëm, është një ide e mirë të flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor ose mësuesin e fëmijës tuaj.
|