Zhvillimi i gjuhës: te fëmijët 2-3 vjeç

Çfarë po ndodh me zhvillimin gjuhësor te fëmijët e moshës dy deri në tre vjeç? Fjalori i fëmijës tuaj ndoshta do të dyfishohet. Ai/ajo do të flasë me fjali më të gjata dhe në të njëjtën kohë mund të luajë dhe të flasë. Njerëzit e huaj me siguri do të jenë në gjendje ta kuptojnë shumicën e asaj që thotë fëmija në moshën tre vjeçare.
Body
Fjalori dhe zhvillimi i gjuhës te fëmijët e moshës 2-3 vjeç

Në këtë moshë, fjalori i fëmijës tuaj pasurohet shpejt - ai/ajo madje mund të mësojë fjalë të reja për çdo ditë. Në përgjithësi, fëmijët e kësaj grupmoshe kuptojnë më shumë fjalë sesa mund të përdorin.

Fëmija juaj do të përdorë shumë emra - për shembull, “foshnje”, “mik”, “makinë” dhe “barkë”. Ju gjithashtu do të dëgjoni gjithnjë e më shumë lloje fjalësh, duke përfshirë:

  • foljet - për shembull, “luaj”, “shko”, “ec”
  • mbiemra - për shembull, “i lagësht”, “i lënduar”, “i vrenjtur”
  • përemrat - për shembull, “ai”, “ajo”, “unë”, “ti”
  • fjalët e vendndodhjes - për shembull, “në”, “mbi”.

Fëmija juaj do të fillojë të përdorë fjalë si “më shumë” dhe “më së shumti”, si dhe fjalë për të parashtruar pyetje si “kush”, “çfarë” dhe “ku”.

Ai/ajo gjithashtu do të fillojë të thotë “unë”, “i imi/e imja” dhe “ti”. Deri në moshën 3-vjeçare, do të kuptojnë ndryshimin midis “e imja” dhe “e jotja”.

Fjalitë dhe gramatika në zhvillimin e gjuhës

Si pjesë e zhvillimit gjuhësor, fëmijët tuaj fillojnë të përdorin fjali me dy fjalë rreth moshës dy vjeçare. Deri në moshën tre vjeçare, do të jenë në gjendje të përdorin fjali me tre ose më shumë fjalë - për shembull, “Mami hip në makinë”, “Edhe unë shkoj” ose “Vesh çorapen në këmbë”.

Do të filloni të dëgjoni fjali me gramatikë dhe më të strukturuara. Për shembull, fëmija juaj në vend të “Unë shkoj”, mund të thotë “Unë po shkoj”. Ju gjithashtu do ta dëgjoni atë të përdorë kohën e shkuar- për shembull, “eci”, “kërceu”. Po ashtu ai/ajo do të fillojë të përdorë numrin shumës si “macet” ose “kuajt”.

Fëmijët nuk mund ta kuptojnë gjithmonë se kur duhet kur përdoret numri shumës dhe koha e shkuar. Për shembull, ai/ajo mund të thotë “këmbët” për "këmba", ose “vini” në vend të “erdhi”. Kjo ndodh sepse ai/ajo është ende në përpjekjet për të kuptuar se si funksionon gjuha.

Kuptimi dhe zhvillimi i gjuhës

Zhvillimi i gjuhës përfshin mundësinë që fëmijët të kuptojnë gjithnjë e më shumë atë që i thuhet dhe si i thuhet.

Fëmija juaj do t’i kuptojë udhëzimet me nga një hap dhe dy hapa, për sa kohë që ato kanë të bëjnë me gjëra që tashmë i di - për shembull, “Merri lodrat e tua dhe vendosi në kuti” ose “Eja  dhe merr pak mollë”. Për objekte ose detyra të panjohura mund ta ketë ende të vështirë t’i ndjekë udhëzimet.

Ai/ajo do të fillojë t’u përgjigjet pyetjeve të të rriturve në lidhje me “kush”, “çfarë” dhe “ku”, por ende nuk mund të kuptojë se si t’i përgjigjet pyetjeve “pse” dhe “si”.

Nga toni i zërit tuaj mund të kuptojë nëse jeni të lumtur, të dashur, ose të zemëruar.

Nëse fëmija juaj po përpiqet të bëjë diçka, ai/ajo di si ta kërkojë ndihmën tuaj.

Gjithashtu, fëmija juaj do t’i kuptojë rutinat shtëpiake dhe do ta marrë me mend se çfarë do të ndodhë më pas. Për shembull, nëse i thoni të veshë çizmet, e di që do të shkojë në park.

Shqiptimi gjatë zhvillimit të gjuhës

Deri në moshën tre vjeçare, fëmija juaj do ta përdorë shumicën e tingujve të të folurit në fjalët e tij/saj, por do të vijojë ende të shqiptojë fjalë ndryshe nga të rriturit. Për shembull, edhe pse mund t’i shqiptojë tingujt “b” dhe “l”, mund të ketë probleme t’i kombinojë ato së bashku në “blu’. Disa tinguj të vështirë si “z”, “sh”, “f”, “v”, “r” dhe “th” mund të jenë ende të vështira për të për t’i thënë.

Deri në kohën kur fëmija të bëhet tre vjeç, njerëzit e panjohur do të jenë në gjendje të kuptojnë vetëm rreth tre të katërtat e asaj që po thotë.

Zhvillimi i aftësive të bisedës

Fëmija juaj do të fillojë të mësojë dhe të marrë fjalën me radhë, dhe mund të jetë në gjendje të bëjë një bisedë të shkurtër me ju.

Ai/ajo do të flasë për gjërat që kanë ndodhur gjatë ditës. Me ndihmën tuaj, mund të krijojë një histori të thjeshtë - për shembull, mund të thotë “Unë shkoj në dyqan”. Ju mund të përgjigjeni, “Dhe çfarë ke bërë në dyqan?” Ai/ajo do të përgjigjet “Blej ëmbëlsira". Deri në moshën tre vjeçare, ai/ajo mund të jetë i/e aftë të tregojë një histori të thjeshtë të “shpikur”, bazuar në përvojat që ka pasur, por që me siguri do të heqë shumë detaje.

Fëmija juaj do të flasë për njerëz dhe objekte që nuk janë të pranishme - për shembull, “Gjyshja në dyqane”, “Topi im në pemë”.

Ai/ajo do të fillojë të flasë njësoj si ju ose të afërm të tjerë të rritur. Ju madje mund ta dëgjoni atë të thotë fjalë specifike që i thoni ju. Gjithashtu, mund të fillojë të “drejtojë” njerëzit e tjerë përreth, veçanërisht fëmijët më të vegjël!

Loja dhe zhvillimi i gjuhës

Fëmija juaj do të jetë në gjendje të luajë dhe të flasë deri në moshën tre vjeçare - për shembull, duke iu dhënë zë lodrave me të cilat luan. Si dhe do të fillojë të luajë në grup me fëmijët e tjerë, të ndajë lodrat dhe të presë radhën.

Ju mund ta dëgjoni fëmijën tuaj duke luajtur me gjuhën përmes rimimit, këndimit dhe dëgjimit të tregimeve. Ai/ajo mund të përdorë një zë tepër të lartë ose të butë kur flet.

Fëmijët rriten dhe zhvillohen me ritme të ndryshme. Informacioni në këtë artikull ofrohet vetëm si një udhëzues, dhe ju e njihni fëmijën tuaj më mirë se kushdo tjetër. Flisni me mjekun, pediatrin ose infermierin/en tuaj nëse jeni të shqetësuar për zhvillimin gjuhësor të fëmijës tuaj, nëse zhvillimi gjuhësor duket se ka ndaluar, ose nëse ai/ajo e ka humbur aftësinë gjuhësore që kishte dikur. Nëse profesionisti juaj shëndetësor nuk ka shqetësime për fëmijën tuaj, por ju ende shqetësoheni, atëherë është në rregull të merrni një mendim tjetër.