Java e parë e jetës e foshnjës tuaj: çfarë pret

I porsalinduri juaj e kalon javën e parë duke u ushqyer, duke fjetur dhe duke u lidhur me ju. Ju mund të lidheni me të porsalindurin tuaj duke kaluar kohë duke u përqafuar, duke folur dhe duke buzëqeshur. Nëse jeni të shqetësuar për foshnjën tuaj, kërkoni këshilla nga mjeku familjar ose pediatri/ja juaj.
Body

Disa informacione rreth javës së parë të jetës së foshnjës tuaj

    I porsalinduri juaj e kalon javën e parë të jetës duke u përshtatur me mjedisin e saj/tij të ri.

    Bota e jashtme është shumë e ndryshme nga barku i nënës, ku është errësirë, temperatura është konstante dhe nuk ka shume zhurmë. Ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj që të mësohet me botën e jashtme duke i dhënë ngrohtësi, dashuri, siguri, vëmendje - dhe shumë përqafime dhe buzëqeshje.

    Ndryshimet në pamjen e të porsalindurit tuaj në javën e parë të jetës

    Pamja e foshnjës tuaj do të ndryshojë gjatë javës së parë.

    Nëse koka e foshnjës tuaj ka një formë konike pas kalimit të saj/tij nëpër kanalin e lindjes ose për shkak të lindjes me ndihmën e vakumit apo forcepsit, ajo do të rrumbullakoset në një formë më normale.

    Çdo ënjtje rreth fytyrës dhe syve të foshnjës suaj do të largohet brenda pak ditësh. Nëse fytyra ose koka e foshnjës tuaj është mavijosur - për shembull, pas lindjes me forceps - mavijosja do të zhduket. Foshnjat me mavijosje janë në rrezik për verdhëz të të porsalindurit më të shprehur sesa foshnjat e tjera. Lëreni mjekun tuaj që të vendosë nëse verdhëza e foshnjës tuaj është një verdhëz normale e të porsalindurit apo ka nevojë për trajtim. 

    Kordoni umbilikal apo i kërthizës së foshnjës suaj gradualisht do të thahet, do të bëhet i zi dhe më pas do të bjerë, zakonisht brenda 10 ditëve të para. Mundohuni ta mbani atë të pastër dhe të thatë. Nëse zona rreth kordonit të kërthizës duket e kuqe ose ka sekrecione me aromë të keqe njoftoni mjekun apo profesionistin tjetër shëndetësor.

    Foshnja juaj mund të ketë një ose më shumë shenja lindjeje, shenja të fituara gjatë procesit të lindjes ose që janë shfaqur më vonë. Shenjat e lindjes janë të zakonshme dhe zakonisht nuk kanë nevojë për kujdes mjekësor. Por nëse shenja e lindjes e foshnjës suaj ju shqetëson ose nëse ndryshon, është një ide e mirë që ta kontrolloni atë tek mjeku apo profesionisti tjetër shëndetësor.

    Ushqyerja dhe gjumi në javën e parë të jetës

    I porsalinduri juaj do të flejë shumicën e kohës, duke u zgjuar çdo disa orë për t'u ushqyer. Të porsalindurit nuk mund të "flenë gjatë gjithë natës". Ata kanë bark të vogël, kështu që ata duhet të zgjohen dhe të ushqehen më shpesh.

    Shumica e foshnjave kanë nevojë për ushqim çdo 2-4 orë, dhe ata ushqehen rreth 8-12 ushqyerje çdo 24 orë. Ndonjëherë ushqyerja mund të zgjasi edhe deri në një orë kur fëmija juaj është duke u ushqyer me gji por duhet bërë kujdes që të mos e mbajë gjirin si biberon në gojë.

    Fëmija juaj zakonisht zgjohet kur ka nevojë të ushqehet. Por disa foshnja mund të kenë nevojë që t'i zgjoni për t’i ushqyer - për shembull, foshnjat që kanë humbur shumë në peshë, që janë shumë të vegjël ose janë me verdhëz.

    Ka të ngjarë që të kalojë kohë para se të shihni një ritëm ose rutinë të ciklit të të ushqyerit dhe gjumit.

    Në javët e para, kujdesi për veten është i rëndësishëm. Kjo do të thotë të hani mirë dhe të bëni disa aktivitete fizike, dhe gjithashtu të flini kur fëmija juaj fle, gjë që do t'ju ndihmojë të arrini sasinë e gjumit që keni nevojë. Ёshtë e kuptueshme nëse keni nevojë të kërkoni ndihmë nga familja dhe miqtë gjithashtu.

    Zhvillimi në javën e parë të jetës

    Foshnja juaj po mëson shumë ndërsa kaloni kohë së bashku çdo ditë. Truri i saj/tij po rritet dhe zhvillohet ndërsa sheh, dëgjon, nuhat dhe prek botën përreth saj/tij.

    Foshnja juaj do t'i mbyllë duart pa dashje duke bërë refleksin e kapjes dhe do të trembet nga zhurmat e papritura të forta (refleksi Moro ose i përqafimit). Ajo/Ai gjithashtu ka të ngjarë të ketë lëvizje të papritura, të vrullshme gjatë gjumit.

    Lidhja dhe komunikimi në javën e parë të jetës

    I/e porsalinduri/a juaj njeh zërin tuaj - në fund të fundit, ai/ajo ju ka dëgjuar që brenda mitrës për nëntë muajt e fundit. Ju mund të komunikoni me të porsalindurin/en tuaj duke përdorur zërin, prekjen, shikimin dhe erën tuaj.

    Fëmija juaj do të ketë mënyrat e saj/tij të komunikimit me ju duke përdorur sjelljen e saj/tij - edhe pse ajo/ai nuk mund të buzëqeshë ende. Gjatë kësaj jave të parë, do të filloni të njihni shenjat dhe gjuhën e trupit të foshnjës tuaj.

    Shumë prekje të buta, përqafime, buzëqeshje dhe shikim do ta ndihmojnë fëmijën tuaj të ndihet i/e qetë dhe i/e sigurt me ju. Kjo ndihmon për të promovuar lidhjen me nënën dhe zhvillimin e shëndetshëm dhe është gjithashtu e mirë për zhvillimin e trurit të foshnjës tuaj.

    Problemet e zakonshme shëndetësore në javën e parë të jetës

    Humbja e peshës
    Ёshtë normale që fëmija juaj të humbasë peshë gjatë pesë ditëve të para pas lindjes pasi humbet lëngun e tepërt. Kjo humbje peshe nuk duhet të jetë më shumë se 10% e peshës së saj/tij të lindjes. Shumica e foshnjave rifitojnë peshën e tyre të lindjes pas 1-2 javësh. Nëse foshnja juaj ka humbur shumë peshë, ajo/ai mund të duhet të qëndrojë në spital me ju për pak më shumë për t'u siguruar që ajo/ai ushqehet mirë dhe shton në peshë çdo ditë.

    Sklepat tek sytë 
    Ёshtë e zakonshme që foshnjat të kenë sklepa dhe sekrecione ngjitëse tek sytë gjatë javëve të para të jetës. Shkaku më i zakonshëm është bllokimi i kanaleve të lotit dhe kjo zakonisht përmirësohet vetvetiu. Pastrimi i butë i syve dhe masazhi do të ndihmojnë për këtë gjë. Por është mirë që mjeku ose infermierja juaj të kontrollojë sytë e foshnjës tuaj nëse ato janë të kuqe dhe me sklepa.

    Skuqja 
    Foshnjat e porsalindura mund të zhvillojnë të gjitha llojet e skuqjeve, të cilat zakonisht nuk janë serioze. Por nëse foshnja juaj ka një skuqje të lëkurës është mirë që ta kontrolloni me mjekun ose infermierin tuaj. Skuqjet e zakonshme përfshijnë zona të tilla si tek pjesa e sipërme e kokës ose kapaku i kokës, zona e pelenës, skuqjen nga nxehtësia, ekzemën, miliet dhe lëkurën e thatë.

    Kur duhet ta konsultoni fëmijën me mjekun ose infermierin tuaj
    Nëse diçka nuk ju duket normale dhe jeni të shqetësuar për të porsalindurin/en tuaj, kërkoni ndihmë mjekësore. Kontaktoni profesionistët shëndetësorë në njësinë ku ka lindur fëmija juaj, mjekun ose profesionistin tjetën shëndetësor.

    Kërkoni ndihmë mjekësore sa më shpejt që të jetë e mundur nëse fëmija juaj:

    • nuk ushqehet-për shembull, ajo/ai merr gjysmën e vëllimit normal ose numrin e ushqimeve në një periudhë 24-orëshe ose vjell më shumë se gjysmën e tre vakteve ushqimore me radhë
    • ka më pak se 6-8 pelena të lagura në ditë
    • duket nervoz/e, letargjik/e ose shumë i/e lodhur gjatë gjithë kohës ose është i/e vështirë që të zgjohet për tu ushqyer
    • ka lëkurë të zbehtë ose të verdhë.

    Të qarat në javën e parë të jetës

    Ёshtë normale që të porsalindurit të qajnë, por mund të jetë stresuese nëse nuk e dini atë që fëmija juaj po përpiqet t'ju tregojë. I/e porsalinduri/a juaj mund të qajë sepse ai/ajo:

    • është i/e uritur
    • ka një pelenë të lagur ose të ndytë me fece
    • ndihet i/e pakëndshëm/me (shumë i nxehtë ose shumë i ftohtë)
    • ju dëshiron afër për siguri.

    Nëse i/e porsalinduri/a juaj po qan, mund të provoni ta ushqeni atë, t'i ndryshoni pelenën, ta përkëdhelni ose ta luhatni, t'i flisni ose t'i këndoni me një zë qetësues ose t'i bëni një banjë të ngrohtë relaksuese. Nëse fëmija juaj po qan shumë, kjo nuk do të thotë që ju nuk jeni duke e menagjuar mirë situatën si prindër të rinjë.

    Kur të kërkoni ndihmë për të qarën
    Nëse mendoni se i/e porsalinduri/a juaj qan shumë ose keni probleme me përballimin e kësaj situate, flisni me mjekun ose profesionistin tjetër shëndetësor sa më shpejt që të mundeni.

    Në veçanti, kërkoni ndihmë mjekësore nëse fëmija juaj:

    • ka një të qarë me zë të lartë (si një mace)
    • duket se ka një klithmë të dobët ose po rënkon
    • po qan për periudha të gjata kohore.

    Të qash është mënyra kryesore e një të porsalinduri/e për t'ju thënë se për çfarë ka nevojë.

    Pas javës së parë: kontrollet shëndetësore të foshnjës

    Zakonisht qendra më e afërt shëndetësore, si qendrat e mjekësise familjare sigurojnë kontrolle falas për fëmijën tuaj, zakonisht në dy, katër dhe tetë javë pas lindjes.

    Kur shkoni për kontrolle të foshnjës tuaj, është një kohë e mirë për të bërë pyetje në lidhje me çdo gjë, nga skuqjet tek të vjellat dhe deri tek të qarat. Ju mund të shkruani një listë pyetjesh para kontrolleve, kështu që mos harroni të pyesni mjekun ose pediatrin për gjithçka që dëshironi të dini.