Hapat e parë të lidhjes me fëmijën

Të bëhesh prind do të thotë, mbi të gjitha, njohja e fëmijës suaj dhe gjetja e një mënyre për të qenë burim sigurie, pranimi dhe ndërtimi i një imazhi të mirë të tij/vetes. Ndonjëherë ne mund të kemi përshtypjen se ka disa - mjaft të mira - udhëzime për fëmijët që zbatohen për të gjithë ata, duke përfshirë udhëzimet e përgjithshme për kujdesin e fëmijëve. Realiteti, megjithatë, është se çdo fëmijë është krejtësisht i ndryshëm dhe rruga për t'u bërë një prind i mirë është, në fakt, përvoja juaj unike me fëmijën tuaj.
Body

Shkenca thotë se hapi i parë i prindërimit cilësor si dhe i zhvillimit të shëndetshëm të fëmijës suaj është gjetja e mënyrës për t’u ndërlidhur me fëmijën.

Lidhja me fëmijën do të thotë t’i përgjigjesh nevojave të foshnjës me butësi, dashuri dhe kujdes. Kur silleni kështu, bëheni të veçantë për foshnjën, person që është i besueshëm dhe mbështetës, person me të cilin ai/ajo qetësohet, mëson aftësi të reja, mëson rreth vetes dhe botës për rreth.

Ndërtimi i një lidhjeje mes jush dhe fëmijës suaj është një nga aspektet kryesore të zhvillimit. Kur fëmija juaj e merr atë që ai/ajo ka nevojë nga ju: buzëqeshjen, mbrojtjen, përqafimin, butësinë - ai/ajo ndjen se është i/e sigurt dhe se bota është një vend i sigurt për të mësuar, për të luajtur dhe për të eksploruar. Kjo e formon themelin e shëndetit mendor të fëmijës suaj, mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm gjatë fëmijërisë dhe më vonë në jetë.

Në mënyrë që të lidheni me fëmijën, është e rëndësishme, para së gjithash, t’i ndiqni – t’i shikoni, t’i dëgjoni, t’i vini re gjëra rreth fëmijës suaj (atë që ai/ajo e pëlqen, çfarë e qetëson atë, çfarë e shqetëson atë, si ai/ajo reagon ndaj dhimbjes, tingujve...). Pastaj është e rëndësishme ta kuptoni gjuhën “e fëmijës suaj. “Bebet zakonisht “flasin” duke i kthyer sytë dhe kokën, duke drejtuar shikimin ose lëvizjen drejt jush, duke mbajtur kontaktin me sy, duke e kthyer kokën kah tingujt e zërit tuaj, duke bërë pak tinguj ose duke qarë, duke bërë vështrim të relaksuar, vështrim të interesuar ose duke lëvizur krahët dhe këmbët derisa janë në kontakt me ju. Ndiqni këto sjellje te fëmija juaj dhe përpiquni t’iu përgjigjeni atyre.