Kollë e keqe (Pertusis)

Kollitja e keqe fillon si një ftohje dhe pastaj zhvillohet në kollë. Periudhat e kollitjes mund të përfundojnë me një tingull “gulçues”, kur fëmijët marrin frymë në. Vizitoni mjekun tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse fëmija juaj ka simptoma të kollës së keqe. Mjeku mund të përshkruajë antibiotikë për ta ndaluar përhapjen e infeksionit. Ndihmoni në parandalimin e kollës së keqe, duke e imunizuar fëmijën tuaj. Rekomandohet gjithashtu imunizimi për gratë shtatzëna.
Body

Kollë e keqe

Kolla e keqe është sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga lloji i bakteres Bordetella pertusis. Ajo përcillet përmes kontaktit të ngushtë personal, teshtitjes dhe kollitjes.

Kolla e keqe quhet edhe pertusis.

Fëmijët imunizohen në mënyrë rutinore kundër kollës së keqe, megjithatë herë pas here ka shpërthim të kollës së keqe.

 Simptomat e kollës së keqe

Zakonisht, bakteret e kollës së keqe infektojnë fëmijën 1-2 javë para shfaqjes së simptomave.

Simptomat e hershme duken si simptomat e ftohjes. Fëmija mund të ketë rrufë (rrjedhje nga hundët), teshtitje dhe herë pas here ethe ose temperaturë të lehtë për rreth një javë.

Kolla zhvillohet gradualisht, fëmija mund të kenë periudha të kollitjes që ia bënë të vështirë frymëmarrjen. Gjithashtu, mund të bëjnë një tingull 'gërhitës' në fund të periudhave të kollitjes ndërsa marrin frymë thellë. Kolla zakonisht pasohet nga të vjella dhe fytyra e fëmijës mund të skuqet.

Periudhat e kollitjes përkeqësohen në dy javët e ardhshme, duke u rritur si për nga ashpërsia, po ashtu edhe për nga shpeshtësia. Periudhat e kollitjes mund të jenë rraskapitëse, ndonëse fëmijët zakonisht ndjehen rehat në mes episodeve.

Kolla mund të zgjasë për muaj të tërë.

Fëmijët mund të jenë infektues deri në 21 ditë pas fillimit të kollës.

Fëmijët që janë imunizuar kundër kollës së keqe kanë më pak gjasa të sëmuren. Nëse fëmijët e imunizuar i prek kolla e keqe,  zakonisht simptomat e tyre janë më të buta.

Komplikimet nga kolla e keqe

Te foshnjat nën moshën gjashtë muajsh, kolla e keqe shpesh ka komplikime serioze duke përfshirë pneumoni të rënda dhe apnoes (ndërprerje të frymëmarrjes). Tek fëmijët e vegjël, pneumonia është ndërlikimi më i zakonshëm. Vdekja është e rrallë dhe mund të ndodhë pothuajse vetëm tek foshnjat e paimunizuara.

Nëse fëmija ka kollë të keqe, i ka humbur oreksi dhe vjell shumë gjatë periudhave të shkurtra të kollitjes, ekziston rreziku që mund të humbasë peshë dhe të dehidratohet.

A duhet ta vizitoni mjekun për kollën e keqe?

Po. Duhet ta dërgoni fëmijën te mjeku nëse:

  • ka ndonjë nga simptomat e përshkruara më sipër;
  • ka kollitje të përsëritur dhe shqetësuese;
  • ka kollë, që ka zgjat më shumë se dy javë;
  • ka vështirësi në frymëmarrje ose përpiqet me vështirësi të merr frymë pas kollitjes;
  • pas kollitjes sipërfaqja rreth buzëve i merr ngjyrë blu;
  • ka ethe të rregullta, si dhe kollë;
  • ka kollë dhe gjithashtu ankohet se i është lënduar veshi;
  • tashmë ka kollë të keqe, po humb peshë dhe duket i dehidratuar.

Nëse fëmija është nën gjashtë muaj dhe vëreni pauza në frymëmarrje, duhet ta çoni menjëherë te mjeku ose në spital emergjentë.

Trajtimi i kollës së keqe

Antibiotikët zakonisht nuk ndihmojnë  në trajtimin e simptomave të kollës së keqe, megjithëse mjeku mund të përshkruajë antibiotikë për ta parandaluar kalimin e kollës së keqe nga fëmija juaj te të tjerët.

Nëse kollitja ka zgjatur më pak se 21 ditë, mjeku mund të përshkruaj antibiotikë sepse ky trajtim do të reduktojë kohëzgjatjen e infektimit të fëmijës. Pas pesë ditëve të përdorimit të antibiotikut, fëmija mund te vazhdojë të shkojë në kopsht, çerdhe, parashkollorë dhe shkollë.

Nëse kollitja është e rëndë dhe shkakton vështirësi në frymëmarrje, ose nëse foshnja është më pak se gjashtë muaj, mjeku mund t’iu rekomandojë të qëndroni në spital për kujdes më të afërt mjekësor. Nëse sëmundja është mjaft e rëndë sa për t’u shtruar në spital, fëmijës do t’i jepen antibiotikë.

Anëtarët tjerë të familjes që jetojnë së bashku në shtëpi, mund të marrin antibiotikë për t’u mbrojtur nga sëmundja e kollës së keqe.

Nëse fëmija nuk është trajtuar me antibiotikë, nuk duhet të  dërgohet në kopsht, çerdhe, parashkollorë ose shkollë për 21 ditë pas fillimit të kollës.

Parandalimi i kollës së keqe

Mënyra më e mirë për ta shmangur kollën e keqe është që fëmija të imunizohet. Imunizimi kundër kollës së keqe zakonisht fillon në 6-8 javë me doza të përsëritura gjatë muajve dhe viteve në vijim.

Imuniteti kundër kollës së keqe zbehet me kalimin e kohës. Kjo do të thotë që është e mundur të merrni sëmundjen në një moshë të mëvonshme edhe nëse jeni imunizuar. Për këtë arsye vaksina e kollës së keqe jepet disa herë gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. 

Gjithashtu, vaksina suplementare kundër kollës së keqe rekomandohet për gratë shtatzëna në tremujorin e tyre të tretë. Mbron të porsalindurin në dy muajt e parë të jetës, në kohën me rrezikshmëri më të lartë të komplikimeve nga kollitja e keqe.