Polio
Në vitin 1988, Organizata Botërore e Shëndetësisë filloi iniciativën për çrrënjosjen e poliomielitit. Përkundër kësaj, në botë kishte ende raste të raportuara me këtë sëmundjeje edhe në vitin 2019.
Njerëzit janë rezervuari i vetëm natyror për poliovirusin. Përhapet nëpërmjet kontaktit me feçet (jashtëqitje) dhe/ose sekrecionet e frymëmarrjes. Koha që kalon nga futja e virusit në trup deri në zhvillimin e simptomave varion nga 3 deri në 21 ditë.
Personi me virus mund të jetë infektues nga 7 deri në 10 ditë para fillimit të simptomave të para të sëmundjes, por virusi mund të ekskretohet në jashtëqitje nga tre deri në gjashtë javë nga fillimi i sëmundjes.
Simptomat dhe shenjat e sëmundjes
Shumica e fëmijëve të infektuar nuk kanë fare simptoma ose kanë simptoma të lehta si ethe, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Këto simptoma të ngjashme me gripin zakonisht zgjasin për një javë. Një në 100 fëmijë të infektuar ka ngurtësim të qafës dhe të vjella si shenja të meningjitit dhe një në 200 fëmijë të infektuar ka dëmtim nervor dhe paralizë të pakthyeshme të muskujve të gjymtyrëve të poshtme. Duke qenë se paraliza mund të prekë muskujt e frymëmarrjes, 2% deri në 5% e fëmijëve me paralizë vdesin, dhe te të rriturit përqindja e vdekjeve është më e lartë dhe varion nga 15% në 30%.
Personat që kanë vuajtur nga poliomieliti mund t’i shfaqen dhimbje të reja dhe paralizë pas 15 deri në 40 vjet, që quhet sindroma post-polio.
Trajtimi i poliomielitit
Nuk ka shërim për poliomielitin. Simptomat e ngjashme me gripin zakonisht largohen vetë. Në rast të parehatisë dhe dhimbjes në muskuj, rekomandohet përdorimi i paracetamolit. Fëmija duhet të inkurajohet të pijë më shumë lëngje dhe të pushojë mjaftueshëm. Fëmijët që vuajnë nga forma paralizës e sëmundjes, mund të kenë nevojë për trajtim fizik, ndërsa disa do të kenë nevojë për ndihmë edhe për t’i ushqyer dhe për frymëmarrje.
Parandalimi i poliomielitit
Edhe nëse nuk ka raste të raportuara të poliomielitit në një vend, virusi mund të futet nga vende të tjera ku ka raste me poliomielit. Ja pse është e rëndësishme të mbroni fëmijën nga kjo sëmundje me anë të imunizimit. Ekzistojnë dy lloje të vaksinave kundër poliomielitit:
- Vaksinë joaktive kundër poliomielitit (IPV): Përmban viruse të vdekura poliomieliti dhe jepet me injeksion. Vaksina e vrarë zakonisht administrohet në kombinim me vaksina të tjera.
- Vaksina orale e poliomielitit (OPV) është virusi i poliomielitit i gjallë i dobësuar që jepet në gojë në formë të pikave.
Disa vende përdorin vetëm vaksinën e vdekur. Vende të tjera përdorin edhe vaksinën e gjallë.
OBSH ka rekomanduar që gjatë viteve të ardhshme të ndalohet përdorimi i vaksinave të poliomielitit të gjallë dhe të vazhdohet vetëm me vaksinën e vrarë.
Doza e parë e IPV në 6-8 javë, dy doza të tjera në intervale 4-8 javë.
Për të parandaluar transmetimin nga "duart e pista", një nga masat mbrojtëse më të rëndësishme është larja e rregullt e duarve.