Prindërimi përmes lojës

Body

Prindërimi përmes lojës nënkupton angazhimin aktiv të prindërve me fëmijët e tyre, me synimin për të mbështetur dhe nxitur zhvillimin e tyre. Në vitet e para të jetës së fëmijës, çdo moment paraqet mundësi të artë që ata të zhvillohen dhe të mësojnë për të arritur potencialin e tyre. Nga momentet e para të ëmbla si i/e porsalindur deri te ditët e kopshtit, prindërimi përmes lojës vendos themelet e zhvillimit të metutjeshëm të fëmijës. Duke u angazhuar në lojëra të këndshme dhe kuptimplotë me fëmijën tuaj, ju jo vetëm që ndikoni në zhvillimin e tyre në vitet e hershme, por gjithashtu do të kontribuoni në krijimin e një lidhjeje të shëndetshme prind-fëmijë, që do të ketë ndikim afatgjatë në jetën e fëmijës.

Mirësevini në aventurën e prindërimit përmes lojës!

Prinderimi 1

Që nga momenti i lindjes së fëmijës, loja luan rol të rëndësishëm në prindërim. Ndërveprimet e hershme përmes ushqyerjes, përkëdheljes dhe këndimit janë thelbësore për zhvillimin e fëmijës. Në gjashtë muajt e parë të jetës së fëmijës, qumështi i gjirit është i vetmi ushqim për të cilin fëmija ka nevojë. Babai gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në suksesin e ushqyerjes me gji, duke ofruar mbështetje dhe inkurajim për nënën e re. Ushqyerja me gji ofron lëndë ushqyese të domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm. Qumështi i gjirit forcon sistemin imunitar të fëmijës, pasi antitrupat e nënës kalojnë tek fëmija përmes qumështit të gjirit, duke e ndihmuar atë të luftojë infeksionet.

Prinderimi 2

 

 

Këshilla për prindërit:

  • Ushqeni me gji fëmijën gjatë gjashtë muajve të parë. Nëse keni ndonjë vështirësi me ushqyerjen me gji, konsultohuni me profesionistët shëndetësorë.  
  • Praktikoni atë që ekspertët e quajnë “servo dhe ktheje” - përgjigjuni me vëmendje ndaj asaj që bën fëmija, duke ndërvepruar me të në të njëjtën mënyrë. P.sh. buzëqeshni, flisni, ose lëvizni gishtat para tyre; prisni që ata të përgjigjen me buzëqeshje, tingull ose përpjekje për të kapur gishtin tuaj. 
  • Inkurajoni shtrirjen në bark për të forcuar muskujt e qafës, shpatullave, krahëve dhe shpinës së fëmijës. 
  • Përqafoni, flisni dhe u këndoni fëmijës sa më shpesh. 
  • Përdorni lodra me ngjyra dhe tinguj të ndryshëm për të tërhequr vëmendjen e tyre. Lëreni fëmijën tuaj të kapë dhe të eksplorojë lodrat për të stimuluar shqisat e tyre.

 

 

 

 

 

Ndërsa fëmija fillon të lëvizë dhe të eksplorojë mjedisin përreth, është e rëndësishme që ai/ajo të angazhohet në aktivitete që e inkurajojnë atë të lëvizë vetë sa më shumë dhe të kapë lodrat e preferuara. Në këtë fazë, loja është thelbësore për zhvillimin e shkathtësive fizike, gjuhësore dhe zhvillimit emocional të fëmijës.

  • Këshilla për prindërit:
    Përfshihuni në lojëra që inkurajojnë fëmijën të lëvizë, të arrijë, të kapë dhe të hedhë objekte (p.sh. ndërtoni kulla me kube së bashku; uluni në dysheme me fëmijën tuaj dhe rrokullisni topin e butë përpara dhe prapa; fryni flluska dhe inkurajoni fëmijën t'i kapë ose t'i shpërthejë ato etj.). 
  • Prezantoni fjalë dhe koncepte të reja gjatë lojës për të zgjeruar fjalorin e tyre (p.sh. gjatë lojës me kube përdorni fjalë për të përshkruar objektet si ‘i gjatë’, ‘i shkurtër’, ‘rrëzohet’; tregoni fëmijës libra me figura të ndryshme dhe përdorni fjalë për të përshkruar ngjyrat, format dhe tingujt, ‘molla e kuqe’, ‘ky është qeni’, ‘qeni bën ham’ etj.). 
  • Lavdëroni edhe arritjet më të vogla të fëmijës tuaj (p.sh. duartrokisni dhe tregoni entuziazëm për të inkurajuar më shumë zvarritje ose lëvizje; ‘Ua e kape topin!’ kur ata kapin një lodër; ‘Ua, sa i/e zgjuar je!’ kur ata emërtojnë diçka; ‘Provo prap, shumë mirë!’ etj.).
Prinderimi 3

Me rritjen e fëmijëve, atyre u pëlqen të luajnë dhe të ndërveprojnë me bashkëmoshatarët e tyre. Ata fillojnë të kuptojnë koncepte si numërimi dhe renditja, ndërsa fjalori i tyre fillon të zgjerohet me shpejtësi. Imagjinata e fëmijëve zhvillohet dhe ata fillojnë të shprehen më mirë. Në këtë fazë, është shumë e rëndësishme për fëmijët të inkurajohet ndërveprimi social me bashkëmoshatarët dhe të përfshihen në lojëra që nxisin imagjinatën e tyre.

Këshilla për prindërit:

  • Organizoni lojëra të përbashkëta me bashkëmoshatarët e fëmijës ose merrni pjesë në aktivitete grupore për të inkurajuar shoqërimin me fëmijët tjerë. 
  • Luani lojëra me fëmijën qe nxisin imagjinatën (p.sh. luani fsheh dhe kërko; luani role si mjeku dhe pacienti në spital ose kamarieri dhe klienti në restorant etj.). 
  • Inkurajoni shkathtësi të thjeshta si veshja, larja e dhëmbëve dhe mbledhja e lodrave në mënyrë të pavarur.
  • Jini një shembull i mirë për fëmijën tuaj duke treguar respekt për të gjithë, pavarësisht gjinisë, moshës, etnisë ose aftësisë së kufizuar. Fëmijët mësojnë si të trajtojnë të tjerët duke parë sjelljen e të rriturve.
Prinderimi 4

Ndjekja e edukimit në fëmijërinë e hershme u ofron fëmijëve mundësi për të mësuar dhe për t'u zhvilluar në një mjedis të përshtatshëm për moshën e tyre. Kjo ndihmon fëmijët të shoqërohen me bashkëmoshatarë, të zbulojnë dhe të ndjekin interesimet e tyre, të eksperimentojnë përmes lojës dhe të mësojnë gjëra të reja, duke u bërë kështu të pavarur e duke krijuar shkathtësi jetësore. Gjithashtu, ndihmon kalimin më të lehtë të fëmijës në shkollë.

Këshilla për prindërit:

  • Sigurohuni ta regjistroni fëmijën tuaj në institucione të edukimit në fëmijëri të hershme (p.sh. kopsht, qendra me bazë në komunitet, klasa parafillore, ose forma të tjera të organizuara për edukim të hershëm).
  • Mbani një komunikim të rregullt dhe të hapur me edukatorët e fëmijës. Diskutoni me edukatorët për ide ose këshilla rreth mbështetjes së të nxënit në shtëpi.
  • Nxitni kureshtjen e fëmijëve duke inkurajuar pyetje, diskutime rreth interesimeve të tyre në shtëpi (p.sh. lexoni së bashku dhe u bëni pyetje rreth tregimit et.j).
  • Vizitoni bibliotekën ose librarinë së bashku për të ushqyer dashurinë ndaj leximit dhe librave (p.sh fëmija zgjedhë vet librat që i pëlqejnë për t’i blerë).