Rubeola
Rreth rubeolës ose fruthit gjerman
Rubeola ose fruthi gjerman shkaktohet nga virusi i rubeolës. Ky virus përhapet përmes kontaktit personal, kollitjes dhe teshtitjes.
Simptomat e rubeolës
Virusi i rubeolës zakonisht infekton fëmijët 14-21 ditë përpara se të shfaqet ndonjë simptomë.
Simptomat e hershme të rubeolës duken si simptomat e një ftohjeje të lehtë. Ato mund të përfshijnë: ethe, dhimbje të fytit dhe ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë.
Pas 2-3 ditësh shfaqet një skuqje e lëkurës. Shfaqen pika rozë të zbehta që zbardhen kur i shtypni. Skuqja fillon në fytyrë dhe përhapet në gjoks, stomak dhe shpinë. Gradualisht këto pika bashkohen për të formuar arna. Skuqja zgjat 3-5 ditë para se të largohet.
Fëmijët me rubeolë janë infektues pesë ditë përpara dhe të paktën katër ditë pas shfaqjes së skuqjes.
Rreziqet e infeksionit nga rubeola
Rubeola zakonisht është sëmundje e lehtë te fëmijët që kalon vetvetiu.
Ndërlikimi më serioz nga infeksioni i rubeolës është dëmi që gruaja shtatzënë mund të shkaktojë në zhvillimin e foshnjës. Nëse gruaja shtatzënë e pavaksinuar infektohet me virusin e rubeolës, ajo mund të ketë abort spontan ose foshnja mund të vdesë menjëherë pas lindjes. Gjithashtu, mund t'ia kalojë virusin foshnjës, që mund të zhvillojë defekte serioze të lindjes si:
- probleme me zemrën,
- humbja e dëgjimit dhe shikimit,
- paaftësi intelektuale, dhe
- dëmtim të mëlçisë ose shpretkës.
Defektet serioze të lindjes janë më të zakonshme nëse gruaja shtatzënë infektohet në muajt e parë të shtatzënisë, veçanërisht në tremujorin e parë. Këto defekte të rënda të lindjes njihen si sindroma e rubeolës kongjenitale.
A duhet fëmija të vizitoj mjekun për rubeolën?
Po. Duhet të vizitoni mjekun nëse jeni të shqetësuar se fëmija ka rubeolë.
Fëmijët e infektuar me rubeolë duhet të mbahen larg grave shtatzëna. Nëse jeni shtatzënë dhe mendoni se keni pas kontakt me rubeolën, rekomandohet të bisedoni me mjekun, mjekun obstetër ose maminë.
Trajtim për rubeolën
Nuk ka asnjë ilaç për të trajtuar rubeolën, por ka gjëra që mund të bëni për të lehtësuar simptomat e fëmijës:
- në doza të rekomanduara jepini fëmijës paracetamol ose ibuprofen, për të ndihmuar në uljen e temperaturës, zvogëluar dhimbjen dhe parehatinë;
- inkurajoni fëmijën të pijë ujë sa më shumë dhe të pushojë;
Fëmijët që kanë rubeolë nuk duhet të shkojnë në kopsht, çerdhe, parashkollor ose shkollë, pa rekomandimin paraprak nga mjeku.
Parandalimi i rubeolës
Mënyra më e mirë për të shmangur rubeolën dhe veçanërisht sindromën e rubeolës kongjenitale, është vaksinimi i fëmijës.
Vaksina e rubeolës jepet në 2 doza si pjesë e vaksinës MMR, e cila mbron fëmijën nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Disa prindër janë të shqetësuar se vaksina MMR është e lidhur me një rrezik në rritje të çrregullimit të spektrit të autizmit (ASD). Nuk ka dëshmi shkencore se vaksinat janë të lidhura me zhvillimin e ASD. Nëse keni ndonjë shqetësim lidhur me vaksinën MMR, rekomandohet të diskutoni me mjekun.