Sëmundjet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tipi b (Hib) ose gripi hemofil i tipit b (Hib)
Infeksioni transmetohet përmes pikave dhe sekrecioneve që personi i infektuar lëshon në mjedis. Tek personat e pambrojtur (të ndjeshëm), sëmundja manifestohet brenda shtatë ditëve pasi bakteret hyjnë në trup.
Tek infektimi i fëmijëve të ndjeshëm, mund të ndodhë infeksion i traktit të sipërm respirator, i cili mund të çojë në inflamacion të indeve dhe organeve të tjera, qoftë nëpërmjet përhapjes lokale ose nëpërmjet qarkullimit të gjakut.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Epiglotitis: Epiglotis është një llapë në formë gjetheje në fyt pas gjuhës që parandalon hyrjen e ushqimit në grykë dhe në mushkëri. Në rast të infektimit me HIB fryhet, meqë është në hyrje të rrugëve të frymëmarrjes, hyrja ngushtohet dhe kështu rrezikohet aftësia e frymëmarrjes së fëmijës, pra jeta e tij/saj. Fëmija sëmuret, zbehet, mërzitet, ka gojë të hapur nga e cila pikon pështymë, ka vështirësi në gëlltitje dhe gëlltitja është e dhimbshme, frymëmarrja është e ndërlikuar dhe dëgjohet. Një gjendje e tillë kërkon ndërhyrje urgjente mjekësore.
Meningjiti dhe komplikime të tjera: Duke hyrë në qarkullimin e gjakut, përmes rrugëve të sipërme të frymëmarrjes Hib përhapet në të gjithë trupin dhe shkakton infeksione dhe procese inflamatore në vende të tjera: meningjit, mushkëri, kyçe, indet nënlëkurore, më së shpeshti në fytyrë dhe qafë, etj.
Edhe sot këto komplikime mund të ndodhin tek fëmijët e pavaksinuar, shenjat e sëmundjes varen nga organi i prekur. Para përdorimit të vaksinës, ky bakter ishte shkaktari më i zakonshëm i meningjitit bakterial, i cili manifestohej me rritje të temperaturës së trupit, dhimbje koke, përgjumje, ngurtësim të qafës, të vjella dhe çrregullime mendore. Pavarësisht përdorimit të antibiotikëve, në 3% -6% të fëmijëve, meningjiti HIB është fatal dhe deri në 30% të fëmijëve të prekur përfundojnë me dëmtim të dëgjimit.
Trajtimi
Infeksionet e rënda trajtohen me antibiotikë në spital.
Parandalimi
Sëmundjet e rënda që mund të shkaktohen nga bakteret Hib, më së miri mund të parandalohen me anë të vaksinimit. Vaksina që u jepet fëmijëve në vitet e para të jetës është një vaksinë konjugate (Hib), që do të thotë se një pjesë e baktereve (antigjeni polisakarid) lidhet me proteina të tilla si proteina e tetanozit në mënyrë që të stimulojë prodhimin e antitrupave dhe për të nxitur kujtesën imune afatgjatë.
Vaksina Hib mund të administrohet si vaksinë njëvalente (monovalente), ose si pjesë e vaksinës të kombinuar së bashku me vaksinat kundër tetanozit, difterisë, kollës së keqe dhe poliomielitit, në moshën 2 muaj, 3.5-4 muaj, 5-6 muaj dhe 12- 18 muaj.