Shyta
Rreth shytave
Parotiti/shytat shkaktohen nga virusi i shytave. Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me pështymë ose 'pikat' nga teshtitja dhe kollitja.
Shytat është e rrallë në vendet që kanë program të mirë vaksinimi.
Simptomat e shytave
Virusi i shytave zakonisht infekton fëmijët 14-15 ditë para se të shfaqet ndonjë simptomë.
Simptomat e hershme të shytave janë: ethe, dhimbje koke dhe lodhje.
Këto simptoma shoqërohen me ënjtje të njërës prej gjëndrave të pështymës. Ënjtja fillon përpara veshit dhe përhapet nën nofull. Ndonjëherë ënjtja ndodh në të dy gjëndrat e pështymës, kështu që të dy anët e fytyrës ënjten. Për shkak të ënjtjes, fëmija mund të ketë dhimbje kur përtyp apo gëlltit.
Djemtë me shytat ndonjëherë mund të kenë ënjtje dhe dhimbje në testikuj. Zakonisht kjo nuk shkakton probleme me fertilitetin në të ardhmen.
Në raste shumë të rralla, shytat mund të shkaktojnë meningjit, encefalit dhe probleme me dëgjimin. Shytat mund të shkaktojnë miokardit, që është inflamacion i muskujve të zemrës.
Fëmijët me shytat janë infektues disa ditë para se gjëndrat e pështymës të fillojnë të ënjten deri në pesë ditë pas fillimit të ënjtjes.
A duhet fëmija të vizitoj mjekun për shyta?
Po. Duhet ta dërgoni fëmijën te mjeku nëse:
- mendoni se fëmija ka shyta;
- djali ka shyta dhe ka testikuj të ënjtur dhe të butë;
- ka shyta dhe ankohet për dhimbje koke të rëndë, është i përgjumur, vjell, nuk mund të durojë dritën e fortë.
Testet për shyta
Mjeku mund të marrë një mostër gjaku ose tampon/shtupë nga goja e fëmijës për të konfirmuar që fëmija ka shytat.
Trajtimi i shytave
Shumica e fëmijëve shërohen plotësisht nga shyta pa probleme.
Nuk ka trajtim specifik për shytat, disa mënyra për të lehtësuar simptomat e fëmijës, si:
- në doza të rekomanduara jepini fëmijës paracetamol ose ibuprofen, për të ndihmuar në uljen e temperaturës, zvogëluar dhimbjen dhe parehatin;
- inkurajoni fëmijën të pijë ujë sa më shumë dhe të pushojë;
- jepini fëmijës ushqime të buta për të ngrënë, në mënyrë që mos të ketë nevojë të përtypë shumë;
- shmanguani përdorimin e ushqimeve të tharta, sepse këto ushqime mund të stimulojnë pështymë;
- në disa raste mund të vendosni paketë akulli në pjesët e lënduar dhe të fryrë të fytyrës së fëmijës.
Nëse jeni duke u kujdesur për fëmijë me shyta, duhet ti lani duart me kujdes.
Fëmijët që kanë shyta nuk duhet të shkojnë në kopsht, çerdhe, parashkollor ose shkollë, të paktën pesë ditë pas fillimit të ënjtjes.
Parandalimi i shytave
Mënyra më e mirë për të shmangur shytat është që fëmija të imunizohet. Vaksina mbron fëmijën nga shytat deri në 95%.
Vaksina e shytave është pjesë e vaksinës MMR, e cila mbron fëmijën nga fruthi, shytat dhe rubeola (fruthi gjerman).
Disa prindër janë të shqetësuar se vaksina MMR është e lidhur me një rrezik në rritje të çrregullimit të spektrit të autizmit (ASD). Nuk ka dëshmi shkencore se vaksinat janë të lidhura me zhvillimin e ASD. Nëse keni ndonjë shqetësim lidhur me vaksinën MMR, rekomandohet të diskutoni me mjekun.