Tetanosi
Bakteri Clostridium tetani gjendet kudo në natyrë: në tokë, në zorrët e kafshëve. Mund të futet në trupin e fëmijës përmes dëmtimit të lëkurës me gjëra të ndotura, kafshimit nga kafshët ose djegies. Në vendin tonë, fëmijët janë vaksinuar me sukses kundër kësaj sëmundjeje, kështu që sëmundja pothuajse është zhdukur.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Sëmundja zakonisht shfaqet 1-2 javë pas infektimit. Infektimi me tetanos shkakton dhimbje të forta dhe ngërçe në të gjithë trupin. Ngërçet (spazmat) e dhimbshme të muskujve fillojnë në fytyrë, pastaj në qafë, në trung dhe në këmbë. Kur preken muskujt e fytyrës dhe qafës, shfaqen probleme me gëlltitjen dhe frymëmarrjen. Para epokës së vaksinimit, kjo sëmundje ishte fatale në shumicën e rasteve (80% vdekshmëri).
Konsultohuni me pediatrin kur:
- pas kafshimit nga ndonjë kafshë;
- plaga është e ndotur, prerja është e thellë, plagë është shkaktuar me thikë ose gërvishtje nga ndonjë objekt i ndotur;
- lindja nuk është sterile, foshnja e porsalindur mund të infektohet.
Trajtimi i tetanosit
Trajtimi i tetanosit është i ndërlikuar dhe kryhet në mjedis spitalor. Përfshin përdorimin e antitoksinave dhe antibiotikëve, pastrimin e plagës, ndonjëherë edhe operimin. Nëse është e nevojshme, përdoren medikamente për të lehtësuar dhimbjen, ngurtësimin e muskujve si dhe pajisje për të lehtësuar frymëmarrjen.
Parandalimi i tetanosit
Tetanosi është sëmundje që nuk mund të zhduket sepse bakteret janë të pranishme kudo në natyrë. Nuk ka rezistencë të fituar as pas infektimit. Mënyra më e mirë për ta mbrojtur fëmijën nga kjo sëmundje është ta vaksinoni atë në kohë. Sipas rekomandimeve të imunizimit, vaksinat kundër tetanosit jepen në tri doza: e para jepet kur foshnja është gjashtëjavëshe, ndërsa doza e dytë dhe e tretë jepen në intervale nga 4 deri në 8 javë. Vaksinimi kundër tetanosit zakonisht bëhet së bashku me vaksinën kundër: difterisë, kollës së keqe, poliomielitit dhe sëmundjeve të shkaktuara nga bakteri Haemophilus influenza b. Në disa vende, rivaksinimi bëhet pas moshës dy vjeçare së bashku me vaksinën e difterisë.
Në rast të plagës së hapur të lëkurës, është e rëndësishme ta pastroni me kujdes plagën dhe ta largoni të gjithë materialin e tepërt prej saj. Nëse fëmija nuk është vaksinuar në mënyrë adekuate ose nuk është vaksinuar plotësisht, ose është vaksinuar siç duhet por kanë kaluar më shumë se 5-10 vjet nga doza e fundit e vaksinës (në varësi të ashpërsisë së plagës), fëmija nuk është i/e mbrojtur siç duhet. Vizitojeni pediatrin për ta kontrolluar statusin e vaksinimit dhe për të konstatuar nëse duhet të marrë vaksinën, në disa situata edhe imunoglobulinën e tetanosit (TIG).
I porsalinduri që lind pa ndihmë profesionale mjekësore, është në rrezik për t'u infektuar me bakterin Clostridium tetani, andaj duhet ta marrë menjëherë imunoglobulinën e tetanosit.