Abuzimi emocional (psikologjik) i fëmijës

“Abuzimi emocional i fëmijëve është çdo veprim ose ngjarje që konsiston në përçmimin, frikësimin apo presionin sistematik të fëmijës dhe që dëmton në mënyre serioze zhvillimin e tij”
Body

Format e abuzimit emocional të fëmijëve janë:

  1. Refuzimi i fëmijës - kur fëmija shmanget ose largohet nga prindërit dhe ata e bëjnë atë të ndihet i pavlerë dhe i papranueshëm.
  2. Nënvlerësimi ose zhvlerësimi i fëmijëve - kur ata kritikohen, stigmatizohen, i deprivohet dinjiteti, poshtërohen dhe ndihen inferiorë.
  3. Terrorizmi - kur ata sulmohen verbalisht nga prindërit, ose kërcënohen se do ta braktisin atë, ta largojnë nga shtëpia, apo se do ta lëndojnë fëmijën, do t’ia vjedhin gjërat e tij/saj ose do t’i bëjnë diçka të keqe kafshës së tij/saj të dashur.
  4. Izolimi - kur fëmijeve i privohen kontaktet sociale jashtë familjes, nuk i lejohet që të ketë shokë dhe shoqe, mbahet në një hapësirë të kufizuar për periudha të gjata kohe pa ndërveprim social.
  5. Formimi i sjelljeve të papërshtatshme ose ndryshe "plotësimi i të gjithë tekave të fëmijës" - prindi me sjelljen e tij e drejton fëmijën drejt formave të ndryshme të sjelljes së dhunshme, shkatërruese dhe antisociale.
  6. Shfrytëzimi - prindi e shfrytëzon fëmijën në mënyrë që t’i plotësojë nevojat e tij, e detyron atë të bëjë punë të papërshtatshme ose punë për të cilat ai/ajo ende nuk e ka arritur zhvillimin e duhur.
  7. Privimi nga atashimi emocional - prindërit nuk i ofrojnë fëmijës ngrohtësi emocionale.
  8. Prind jo i besueshëm dhe i paqëndrueshëm - prindi ka kërkesa të paqarta ose ambivalente për fëmijën, duke e privuar atë nga një ndjenjë e stabilitetit familjar.

Si të njohësh një fëmijë që është abuzuar emocionalisht?

Treguesit fizikë të abuzimit emocional janë vonesa në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, urinimi dhe jashtëqitja e pavullnetshme, goditja e kokës, kafshimi, çrregullime të gjumit dhe dhimbje të kokës. Nëse vëreni reagime të pazakonta emocionale te një fëmijë, të tilla si fobia (frika), hipokondria, obsesioni, sjelljet ekstreme, ankthi, sjellje të papërshtatshme “si i rritur” ose "sjellje infantile", ndryshime të papritura në pamjen e fëmijës ose në arritjet e tij/saj në shkollë, atëherë mund të bëhet fjalë për një fëmijë të abuzuar emocionalisht. Depresioni, tentativat për vetëvrasje dhe braktisja e mjedisit familjar nga fëmija mund të manifestojnë gjithashtu këtë formë të abuzimit.