Difteria

Difteria është një sëmundje akute infektive e shkaktuar nga bakteri Corynebacterium diphteriae. Bakteri shkakton inflamimin e aparatit të sipërm të frymëmarrjes, hundës dhe fytit, dhe prodhon toksina që mund të përhapen përmes gjakut në pjesë të tjera të trupit të tilla si zemra dhe nervat duke shkaktuar komplikime të rënda.
Body

Difteria është një sëmundje akute infektive e shkaktuar nga bakteri Corynebacterium diphteriae. Kjo toksinë shkakton një inflamacion të lokalizuar, kryesisht tek bajamet, faringu dhe laringu. Ajo çon në nekrozë (vdekje) të indeve të prekura. Në raste të rralla, bakteri mund të gjendet edhe në plagë të ndryshme. Bakteri i difterisë gjendet kryesisht tek njeriu. Ai transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet spërklave të pështymës, që dalin nga gryka e personit të infektuar sa herë që ai teshtin ose kollitet. Mund të transmetohet, gjithashtu, edhe nëpërmjet objekteve të infektuara. 

Shenjat dhe simptomat e sëmundjes

Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në shenjat e para të sëmundjes) është zakonisht 2-5 ditë (mund të jetë edhe 1 deri në 10 ditë).

Shkalla e rëndesës së simptomave varet nga lokalizimi i inflamacionit.

Simptomat e përgjithshme përfshijnë: të vjella, zmadhim i nyjeve limfatike, dobësi e përgjithshme trupore, axhitim dhe humbje e oreksit.  

Difteria nazale: me nxjerrje qelbi nga hundët, përzier me rrema gjaku (shpesh tek foshnjat).

Difteria faringeale: me çrregullime të gëlltitjes; bajamet mbulohen me një shtresë me ngjyrë të bardhë në të verdhë, goja ka shije të ëmbël, me ethe. 

Difteria laringeale: me fishkëllima gjatë frymëmarrjes, ndjesi të shtrëngimit në kraharor, ngjirje të zërit, vështirësi në frymëmarrje që mund të arrijë deri në asfiksi (bllokim të frymëmarrjes).

Difteria toksike: është fjala për formën më të rëndë të difterisë, që mund të provokojë probleme kardio-vaskulare (në zemër dhe në enët e gjakut), një tendencë për hemorragji, dëmtime të veshkave dhe mëlçisë, inflamacion të nervave (neurite), dhe një dobësim të muskulit të zemrës (miokardit), që mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të zemrës (aritmi).

Komplikimet

Ndërlikimet më të zakonshme, të cilat ndodhin si pasojë e veprimit të toksinave në rastin e difterisë, janë inflamacioni i muskulit të zemrës dhe enëve të gjakut. Ndërlikimet e zemrës përfshijnë normat anormale të zemrës dhe dështimin e zemrës. Përfshirja e sistemit nervor mund të shkaktojë nivel jonormal të ndërgjegjes dhe mund të çojë në koma. Nervat e prekura mund të humbasin përkohësisht funksionin e tyre dhe të ndodhin paraliza: të muskujve të butë të qiellzës, muskujve të syve, muskujve të gjymtyrëve, diafragmës, etj. Këto komplikime mund të jenë fatale dhe në fakt 20% e fëmijëve më të vegjël se 5 vjeç me difteri vdesin nga kjo sëmundje.

Trajtimi i difterisë

Gjatë trajtimit të difterisë përdoren antibiotikë në dozën e duhur, antitoksinë dhe mbështetje të përgjithshme simptomatike.

Parandalimi (mbrojtja) nga difteria

Mbrojtja e fëmijëve nga difteria sigurohet nga imunizimi. Vaksina e difterisë jepet së bashku me vaksinat kundër tetanozit, kollës së mirë, poliomielitit dhe bakterit hemofilik të gripit B në moshën: 2 muaj, 3,5-4 muaj, 5-6 muaj dhe 12-18 muaj. Dozat e mëvonshme jepen së bashku me vaksinën e tetanozit zakonisht në moshën shkollore sipas orarit të imunizimit të çdo vendi.

Falë vaksinimit të suksesshëm të fëmijëve, kjo sëmundje nuk është regjistruar në shumë vende, megjithatë infeksioni ekziston ende në disa pjesë të botës dhe mund të importohet, dhe për këtë arsye ju duhet të mbroni fëmijën tuaj.