Gjumi i foshnjave: çfarë duhet të presim
Gjumi i foshnjave: çfarë duhet të dini
Shumica e foshnjave, pasi i zë gjumi një herë, shumicën e netëve flenë gjatë gjithë natës pa e zgjuar nënën ose babain. Por foshnjave u pëlqen të testojnë pavarësinë e tyre, kështu që sfida e parë mund të jetë që t'i vendosni në shtrat.
Foshnjat gjithashtu lodhen shpejt. Kur lodhen, e kanë më të vështirë të flenë. Kur t'i dalloni shenjat e lodhjes së fëmijës tuaj, do të jeni në gjendje ta vendosni fëmijën tuaj në gjumë para se të fillojë të zemërohet. Rutina konsistente para gjumit do të jetë një ndihmë e madhe.
Të kuptuarit e gjumit dhe modeleve të gjumit është një pikënisje e rëndësishme për të ndihmuar fëmijën tuaj të zhvillojë zakone të shëndetshme dhe një qëndrim pozitiv ndaj gjumit.
Orari i gjumit të foshnjave
Nëse fëmija fle gjatë në gjumin e pasdites ose fle vonë, mbase nuk do të ketë gjumë deri natën vonë.
Disa foshnja pëlqejnë të zgjohen në orën 5.30 ose 6 të mëngjesit. Nuk keni çfarë të bëni për këtë gjë. Ta vendosni fëmijën në gjumë në një orar më të vonshëm të natës me shpresë se do të zgjohet më vonë në mëngjes zakonisht nuk funksionon. Foshnja prapëseprapë do të zgjohet herët dhe do të jetë i/e mërzitur për shkak të orëve të pakta të gjumit që ka bërë.
Nëse foshnja juaj zgjohet herët, do të ishte më mirë të flini edhe ju më herët.
Rutina e gjumit të foshnjës
Një rutinë konsistente para gjumit ndihmon në përgatitjen e foshnjave për gjumë.
Shumica e foshnjave janë gati për të fjetur ndërmjet orës 18:30 dhe 19:30. Kjo është një kohë e mirë, sepse ata/ato kanë gjumë më të thellë nga ora 20:00 dhe në mesnatë. Është e rëndësishme të mbani rutinën konsistente në fundjavë, si dhe gjatë javës.
Një rutinë para gjumit mund të jetë si më poshtë:
- 18:30: ndërrimi i pelenës
- 18:45: kohë e qetë (lexoni një libër ose tregoni një histori)
- 19:00: në shtrat, puthje dhe natën e mirë.
Përpara se të fikni dritën, është mirë të bëni një kontroll të shpejtë të dhomës së fëmijës tuaj për t'u siguruar që ambienti i gjumit është i sigurt.
Marrja e një shishe qumështi ose biberoni në shtrat nuk është një ide e mirë, sepse mund të shkaktojë prishje të dhëmbëve dhe të çojë në më shumë probleme me gjumin. Është më mirë që fëmija juaj të mbarojë qumështin të paktën 30 minuta para se të shkojë në shtrat.
Thirrja dhe ngritja pas gjumit
Fëmija juaj mund të kalojë në një fazë që ju thërret juve ose ngrihet nga shtrati pasi të keni thënë natën e mirë.
Provoni këto këshilla:
- Shmangni lojërat e zhurmshme para gjumit. Kjo mund ta bëjë më të vështirë që fëmija juaj të rehatohet.
- Fikni televizorin, kompjuterat ose tabletin një orë para gjumit dhe mos e lini fëmijën tuaj të shikojë gjëra të frikshme ose emocionuese afër kohës së gjumit.
- Krijoni një rutinë konsistente dhe qetësuese para gjumit.
- Përpara se të dilni nga dhoma e gjumit të fëmijës suaj, kontrolloni që fëmija juaj ka gjithçka që i nevojitet. Kujtojini fëmijës tuaj të qëndrojë i/e qetë në shtrat.
Nëse foshnja juaj fle së bashku me ndonjë vëlla ose motër në të njëjtën dhomë, mbase mund t'ju duhet që ta shtyni kohën e gjumit të fëmijës tjetër rreth gjysmë ore, derisa foshnja të qetësohet dhe të flejë.
Kontrolloni nëse foshnja juaj vërtet ka nevojë për diçka kur ai/ajo thërret. Nëse fëmija juaj ka bërë jashtëqitjen, ndërroni pelenën me shumë pak dritë dhe pa folur. Nëse fëmija juaj më i madh ka frikë nga një përbindësh nën krevat, kontrolloni shpejt (me dritën e fikur) për të konfirmuar se dhoma nuk ka 'përbindësha'. Nëse fëmija juaj ka frikë nga errësira, mendoni të përdorni një ambazhur.
Shumë foshnja kanë probleme me rehatinë dhe gjumin. Por tek foshnjat me çrregullim të spektrit të autizmit (ASD), problemet si gjumi dhe qëndrimi në gjumë mund të jenë më të rënda. Ju mund të menaxhoni dhe tejkaloni shumë probleme të gjumit tek fëmijët me ASD duke përdorur strategji të zakonshme të sjelljes.
Ankthet e natës
Ankthi i natës është kur fëmija befasisht mërzitet shumë gjatë një gjumi të thellë. Ankthet e natës mund të jenë të frikshme për ju, por nuk e lëndojnë fëmijën dhe ai/ajo nuk do i mbajë mend ato kur të zgjohet në mëngjes.
Mungesa e gjumit mund të shkaktojë ankthe të natës tek disa fëmijë. Nëse mendoni se fëmija juaj nuk po fle mjaftueshëm, një rutinë pozitive e gjumit mund të ndihmojë.
Foshnja mund të qetësohet pas 10-15 minutave pas një ankthi të natës, por ka raste kur mund të zgjasë më shumë.
Kalimi në një "krevat të madh"
Shumica e fëmijëve kalojnë nga një shtrat i vogël në shtrat të madh kur janë rreth 2-3 vjeç e gjysmë. Por nuk keni nevojë të nxitoheni, veçanërisht për shkak të faktit se disa foshnje priren të ngrihen më shpesh nga një shtrat i madh.
Mund t'ju duhet ta zhvendosni fëmijën nga krevati i vogël nëse ka filluar të ngjitet ose i duhet ta përdorë oturakun natën, ose nëse ju duhet ta përdorni krevatin e vogël për ndonjë foshnje tjetër të porsalindur.
Kërcitja e dhëmbëve
Shumë fëmijë kërcasin dhëmbët në ndonjë fazë të jetës. Fëmijët zakonisht nuk do të zgjohen nga zhurma e kërcitjes së dhëmbëve të tyre - por njerëzit e tjerë në dhomë mund të zgjohen!
Kërkimi i ndihmës
Medikamentet e gjumit zakonisht nuk janë zgjidhje për problemet e gjumit të fëmijëve - ka mënyra më të mira për t'u marrë me këto vështirësi.
Problemet me gjumin tek fëmijët janë një nga arsyet më të zakonshme që prindërit kërkojnë ndihmë nga profesionistët e kujdesit shëndetësor. Problemet e gjumit të fëmijës suaj do të jenë shumë më të lehta për t'u menaxhuar me mbështetjen e ndonjë profesionisti të besuar të shëndetit të fëmijëve.