Përdorimi i rutinës (punëve të përditshme) për menaxhimin e sjelljes

Rutinat e ndihmojnë jetën familjare të shkojë mirë dhe mund të ndihmojë në sjelljen e fëmijëve. Ju mund t'i përdorni rutinat për të ndihmuar fëmijët me aktivitete të rregullta dhe për të planifikuar për kohë të caktuara të ditës. Duke folur për rutinat ose duke i përfshirë fëmijët në krijimin e tyre, do t'i ndihmoni ata t'i kuptojnë dhe ndjekin rutinat. 
Body

Përse rutinat (aktivitetet e përditshme) ndihmojnë në menaxhimin e sjelljes

Rutinat i ndihmojnë anëtarët e familjes të dinë se çfarë duhet të bëjnë, kur, në çfarë radhe dhe sa shpesh. Për shembull, fëmijët e dijnë se duhet të mbushin dhe zbrasin lavastoviljen (makinën larëse të enëve) çdo ditë, me radhë. Kjo nënkupton më pak konflikte dhe më pak argumente për aktivitete të tilla.

Rutinat, gjithashtu ju vijnë në ndihmë për të planifikuar kohën dhe aktivitetet kur fëmijët tuaj nuk sillen mirë,  si në rastin kur jeni duke bërë pazar, duke i dhënë makinës ose duke vizituar një mik/e. Për shembull, një rutinë e thjeshtë mund të jetë duke dëgjuar muzikë ose luajtur së bashku me fëmijët, përpara se ata të bëjnë mësimet.

Ju mund të krijoni rutina për fëmijët e vegjël rreth lojrave, ushqimit dhe gjumit. Kur fëmijët kanë fjetur mirë, janë ushqyer shëndetshëm dhe kanë luajtur mjaftueshëm, ata do të jenë më të prirur të sillen siç ju dëshironi.

 Aktivitetet e përditshme i ndihmojnë fëmijët e vegjël të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt. Ata duhet të ndihen të tillë, në mënyrë që të zhvillojnë vetëbesimin dhe për të mësuar, dukë përfshirë dhe mënyrën sesi duhet të sillen.

Krijimi i rutinave (aktiviteteve të përditshme)

Disa këshilla për të filluar me rutinat e familjes:

  • Planifikoni rutina për kohë të caktuara të ditës - për shembull, përpara dhe pas punës ose shkollës. Gjërat shpesh shkojnë më mirë kur keni një rutinë që u jep të gjithëve diçka për të bërë ose që i mban fëmijët të zënë ndërsa ju bëni punë.
  • Përfshini kohën e pushimit në rutinën e fëmijës tuaj. Kjo i jep kohë për të fjetur dhe për t'u shplodhur, e cila mund të ndihmojë me sjelljen. Njëkohësisht e mëson atë t'i kushtojë vetes kohë për t'u argëtuar.
  • Nëse doni të vendosni kufizime kohore në disa aktivitete, si përdorimi i televizorit, bëjeni këtë pjesë të rutinës. Për shembull, fëmijët mund të shikojnë TV ose të përdorin tabletët e tyre, por vetëm në intervalin kohor 17:00-17:30 (ose çdo kohë që i përshtatet familjes tuaj).
  • Ndërthurni dy ose më shumë aktivitete së bashku. Kjo mund ta ndihmojë fëmijën tuaj të kalojë më shpejt aktivitetet e mërzitshme. Kjo njëkohësisht funksionon për ti kujtuar aktivitetin e radhës. Për shembull, fëmija juaj mund të pastrojë dhëmbët gjatë larjes.
  • Flisni për rutinat me fëmijën tuaj. Edhe fëmijët më të vegjël mund të kuptojnë shpjegime të thjeshta dhe të qëndrueshme - për shembull, 'Së pari pastroni dhëmbët. Më pas vjen koha e tregimeve me babin '. Dhe për fëmijët e moshës shkollore, diskutimet rreth rutinave mund t'i ndihmojnë ata të mësojnë gjëra të rëndësishme, të tilla si të jenë gati në kohë.
  • Ndërsa flisni për aktivitetet e përditshme, përdorni gjuhën ose idetë që fëmija juaj mund të kuptojë. Për shembull, nëse ai është shumë i vogël për të kuptuar oraret, provoni t'i thoni: "Ne do shikojmë vetëm Dorën (ose një film tjetër për fëmijë) ", në vend të "Ne shikojmë vetëm gjysëm ore TV".

Si t'i bëjmë fëmijët të ndjekin rutinat

Pra, ju keni një rutinë, por si ta bëni fëmijën tuaj ta ndjekë atë - pa u bezdisur? Këtu janë disa ide:

  • Vendosni një poster të ilustruar të rutinës tuaj në një hapësirë ku të gjithë mund ta shohin. Përgatitja e posterit me fëmijën tuaj mund të jetë argëtuese dhe do t'ju japë mundësinë të flisni për rutinën.
  • Përfshini fëmijën në pjesë të rutinës të cilat ai/ajo mund t'i menaxhojë vetë - për shembull, të lajë duart përpara ushqimit.
  • Gjeni mënyra për t’i kujtuar fëmijës që të ndjekë rutinën pa ndihmën tuaj. Për shembull, vendosni një orë alarmi në dhomën e tij/saj. Muzika mund të jetë një sinjal se është koha për t'u zgjuar, koha për të filluar përgatitjen për në shkollë, ose koha për të dalë nga dhoma e gjumit në mëngjes.
  • Mendoni nëse pjesë të rutinës mund të jenë përgjegjësi e fëmijës tuaj. Ai/ajo mund të mësojë aftësi të reja dhe të ndihmojë familjen duke bërë punët e shtëpisë. Për shembull, një fëmijë në moshën parashkollore mund të shtrojë tryezën.
  • Kujdesuni dhe përgëzojeni fëmijën kur e ndjek pa ndihmë rutinën .

Rutinat nuk do të thonë që ju dhe familja juaj jeni të ngurtë apo nuk përshtateni. Ndryshimet dhe devijimet e çastit janë një pjesë normale e jetës.