Disiplina dhe sjellja drejtuese: foshnjat dhe fëmijët

Disiplina e ndihmon fëmijën të mësojë si të sillet. Disiplina funksionon më mirë nëse ke një marrëdhënie të ngrohtë e të dashur me fëmijën. Foshnjat kanë nevojë për kujdes të ngrohtë e të dashur për t’u ndier të sigurt dhe të mbrojtur. Për fëmijët e vegjël dhe më të mëdhenj, disiplina do të thotë të vendosësh kufij dhe pasoja, si dhe të stimulosh sjelljen e mirë.
Body

Rreth disiplinës!

Disiplina e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë si të sillet dhe si të mos sillet. Funksionon më mirë kur keni një marrëdhënie të ngrohtë e të dashur me fëmijën.

Disiplinë nuk do të thotë ndëshkim. Në fakt, disiplina dhe strategjitë e disiplinës janë pozitive. Ato përshijnë të folurit dhe dëgjimin dhe e udhëheqin fëmijët drejt:

  • njohjes se cila sjellje është e përshtatshme qoftë në shtëpinë e vet, në shtëpinë e shokut, në çerdhe, kopësht, ose në shkollë.
  • menaxhimit të sjelljes dhe zhvillimit të aftësive të rëndësishme si aftësia për të kaluar mirë me të tjerët.
  • mësimit të kuptimit, menaxhimit dhe shprehjes së ndjenjave të tyre.
Zgjedhja e metodës për disiplinim

Të zgjedhësh një metodë për disiplinim nënkupton gjetjen e një ekuilibri të duhur.

Disiplina jo e mjaftueshme mund t’i lërë fëmijët të ndihen të pasigurt dhe prindërit të ndihen jashtë kontrollit. Disiplina e tepërt negative dhe mosdhënia mjaftueshëm e lavdërimeve apo e shpërblimeve, mund t’i bëjë fëmijët të sillen mirë por për shkak të frikës. Kjo mund të sjellë që fëmijët të kenë probleme me vetëvlerësimin ose ankthin në vitet e mëvonshme.

Disiplina funksionon më mirë kur është e pandryshueshme, por e drejtë. Kjo do të thotë se ju i vendosni kufijtë dhe pasojat për sjelljen e fëmijës tuaj, duke e nxitur, gjithashtu, sjelljen e mirë me lavdërime, shpërblime dhe strategji të tjera.

Mënyra si e disiplinoni fëmijën do të varet edhe nga gjëra të tjera, si stili juaj i prindërimit, nga faza e zhvillimit të fëmijës dhe nga temperamenti i tij.

Ndëshkimi fizik – për shembull, goditja – nuk i mëson fëmijët si të sillen. Kur prindërit përdorin ndëshkim fizik, fëmijët kanë më shumë të ngjarë të kenë sjellje sfiduese, ankth ose depresion. Ekziston edhe rreziku i lëndimit të fëmijës nga goditja.

Disiplina në mosha të ndryshme

Mënyrat se si e përdorni disiplinën do të ndryshojë në varësi të asaj që po ndodh me fëmijën tuaj në faza të ndryshme të zhvillimit të tij/saj.

Foshnjat
Foshnjat bëjnë gjëra për të provuar aftësitë që po u zhvillohen. Gjithashtu, atyre u pëlqen të marrin reagime pas një veprimi. Për shembull, fëmijës ndoshta i pëlqen të nxisë reagimin tuaj, kur ju shkul flokët.

Mirëpo foshnjat nuk i kuptojnë pasojat. Ato, gjithashtu, nuk e dinë dallimin midis së drejtës dhe të gabuarës.

Kjo do të thotë se pasojat negative ose ndëshkimi nuk funksionojnë për foshnjat.

Përkundrazi, foshnjat kanë nevojë për kujdes të ngrohtë e të dashur që të ndihen të sigurt. Pra, kur foshnja ua shkul flokët, mund t’i thoni “jo” dhe t’i tregoni si t’ua prekë flokët me ledhatim. Ndoshta do t’ju duhet ta bëni këtë herë pas here, sepse fëmijës suaj mund të mos i kujtohet vetëm me një herë.

Kërkoni artikuj në lidhje me sinjalet e foshnjave që t’ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë po përpiqet t’ju thotë foshnja nëpërmjet sjelljes dhe gjuhës së trupit.

Fëmijët e vegjël
Shpesh fëmijët e vegjël përballen me ndjenja të mëdha si zhgënjimi dhe zemërimi. Aftësitë e tyre shoqërore dhe emocionale sapo kanë filluar të zhvillohen dhe mund të jenë duke e vënë në provë pavarësinë e tyre në rritje e sipër.

Ju mund ta ndihmoni fëmijën e vogël të sillet mirë, duke kuptuar më shumë për ndjenjat e tij/saj, duke ndryshuar mjedisin, duke e shpërqendruar dhe duke planifikuar që më përpara për situata të vështira.

Fëmijët e moshës parashkollore
Që nga mosha 3-vjeçare, pjesa më e madhe e parashkollorëve fillojnë të kuptojnë se çfarë është sjellja e pranueshme dhe çfarë jo. Ata do të testojnë sjellje të ndryshme dhe mund të sillen në mënyra të ndryshme në më shumë se një herë, derisa t’i mësojnë pasojat e sjelljes së tyre. Mund ta ndihmoni fëmijën e moshës parashkollore, duke vendosur kufij dhe duke qenë të qartë për sjelljen që dëshironi të shihni.

Këshillat dhe mjetet tona për menaxhimin e sjelljes së fëmijës së moshës parashkollore kanë informacion mbi përshtatjen e strategjive të disiplinës ndaj sjelljes së fëmijës tuaj.

Katër hapa drejt disiplinës dhe sjelljes më të mirë të fëmijëve

Pritshmëritë e qarta për sjelljen e fëmijës janë themeli i disiplinës për fëmijën tuaj. Ja si të filloni.

1. Vendosni rregulla familjare
Një fillim i mirë për disiplinën është vendosja e 4-5 rregullave familjare. Për shembull, rregullat e familjes mund të jenë të tilla, si:

  • Ne flasim mirë me njëri-tjetrin.
  • Në kujdesemi për njerëzit e tjerë.
  • Të gjithë ndihmojmë në shtëpi.
  • Ne kujdesemi për gjërat tona.

Fëmijët e vegjël deri në 3 vjeç mund t’ju ndihmojnë të vendosni rregulla dhe t’u flisni pse familja ka nevojë për to.

2. Bëhuni model i sjelljes që prisni
Fëmijët mësojnë duke parë se çfarë bëni. Kur ju e bëni vetë sjelljen, që dëshironi ta bëjë fëmija juaj, ju jeni duke e ndihmuar të mësojë. Për shembull, nëse doni që fëmija juaj të ulet për të ngrënë, të ulurit së bashku për të ngrënë vaktet familjare mund ta ndihmojnë fëmijën ta mësojë këtë sjellje.  

3. Lavdërojeni fëmijën për sjelljen e mirë
Lavdërimi i tregon fëmijës se çfarë të pëlqen te sjellja e tij/saj. Kur fëmija merr lavdërime për sjelljen e mirë, ka të ngjarë që të dojë të vazhdojë të sillet mirë.

Lavdërimi përshkrues i shpjegon fëmijës se çfarë të pëlqen. Është më efektiv për stimulimin e sjelljes së mirë. Për shembull, “Ani, mua me të vërtetë më pëlqen kur përdor shprehjet “Të lutem!” dhe “Faleminderit!”. Sjellje e shkëlqyer!”.

4. Vendosni kufij dhe pasoja të qarta
Vendosni pasoja për thyerjen e ndonjë rregulli familjar. Për shembull, nëse fëmija juaj 8-vjeçar nuk i ka kryer punët e shtëpisë që i janë caktuar, një pasojë për sjelljen e tij/saj mund të ishte humbja e qindarkave që i jepen për një javë.

Kur i përdor gjithmonë pasojat në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën sjellje, fëmija yt e di se çfarë duhet të presë.