Nxitja e sjelljes së mirë: 15 këshilla
Si ta stimuloni sjelljen e mirë te fëmija!?
Shpesh, mënyra më e mirë për të drejtuar sjelljen e fëmijës është mënyra pozitive dhe konstruktive. Kjo do të thotë t’i kushtoni vëmendje fëmijës kur sillet mirë, në vend që thjesht t’i jepni pasoja dhe paralajmërime kur bën diçka që nuk duhet.
Në vijim, jepen 15 këshilla praktike për ta vënë në veprim këtë metodë pozitive.
Këshilla për sjellje më të mirë!
1. Bëhuni model i sjelljes së mirë
Përdorni sjelljen tuaj për ta udhëhequr fëmijën. Fëmija juaj ju vëzhgon që të marrë ide si të sillet - dhe ajo që bëni, shpesh, është shumë më e rëndësishme se ajo që thoni. Për shembull, nëse doni që fëmija të thotë “Të lutem”, duhet t'ia thoni së pari ju vetë. Nëse nuk doni që fëmija ta ngrejë zërin, flisni vetë me qetësi dhe me butësi.
2. Tregojini fëmijës se si ndiheni
Duke i treguar me ndershmëri fëmijës si ndikon te ti sjellja e tij/saj, e ndihmon t’i shohë ndjenjat e veta te ju. Dhe nëse filloni fjalitë me ‘unë”, kjo i jep mundësi fëmijës tënd t’i shohë gjërat nga këndvështrimi yt. Për shembull, “Unë po mërzitem, sepse ka kaq shumë zhurmë, saqë nuk mund të flas në telefon”.
3. Shpërblejeni fëmijën tuaj kur e shihni që sillet mirë
Kur fëmija sillet në një mënyrën që të pëlqen, bëjini komente pozitive. Për shembull, “O sa mirë, po luan kaq bukur. Më pëlqen mënyra se si i mban të gjitha blloqet në tavolinë”. Kjo mënyrë të shprehuri funksionon më mirë se sa në rastin kur fëmija i përplas blloqet mbi dysheme dhe i lë aty deri në momentin që ju i bërtisni: “Hej, mjaft tani!”
Ky reagim pozitiv ndonjëherë quhet lavdërim përshkrues, sepse u tregon fëmijëve në mënyrë specifike se çfarë po bëjnë mirë. Përpiqu të bëni gjashtë komente pozitive për çdo koment negativ. Dhe mos harroni se, nëse fëmijët kanë një zgjedhje midis mungesës së vëmendjes tuaj dhe vëmendjes negative, shpesh ata do të kërkojnë vëmendje negative.
4. Uluni në nivelin e fëmijës tuaj
Kur jeni i afërt me fëmijën, ju mund të jeni në gjendje të kuptoni më mirë ndjenjat dhe mendimet e tij/saj. Gjithashtu, kjo mund të ndihmojë, duke e bërë më të vëmendshëm fëmijën të përqendrohet në atë që i thoni. Nëse jeni i afërt me fëmijën tuaj dhe i kushtoni vëmendje, nuk do të keni nevojë t’i kërkoni që t’ju shohë dhe të përqëndrohet tek ju, sepse ai/ajo do ta bëjë këtë gjë natyrshëm.
5. Dëgjojeni në mënyrë aktive
Të dëgjosh në mënyrë aktive, do të thotë të dëgjosh me vëmendje atë që fëmija është duke thënë dhe t’i përsëritësh ato në mënyrë të përmbledhur, për t’i treguar fëmijës që e ke dëgjuar. Ju, gjithashtu, mund të tregoni për emocionet që mendoni se po ndjen fëmija. Për shembull, “duket sikur ndihesh vërtet i mërzitur që blloqet e tua u rrëzuan”. Duke e bërë këtë gjë, mund t'i ndihmojë fëmijët e vegjël ta përballojnë tensionin dhe emocionet e mëdha si zhgënjimi, gjë që ndonjëherë çon në sjellje të padëshiruara. Gjithashtu, i bën të ndihen të respektuar e të ngushëlluar. Madje mund të zhdukë edhe shpërthimet e mundshme të zemërimit.
6. Mbani premtimet
Kur i zbatoni premtimet tuaja, të mira a të këqija, fëmija mëson t’ju besojë dhe t’ju respektojë. Ai/ajo mëson se nuk do ta zhgënjeni kur t’i keni premtuar diçka të këndshme dhe gjithashtu mëson të mos përpiqet të të ndryshojë mendjen kur ti ke marrë një vendim. Prandaj, kur premtoni se do të dilni për një shëtitje, pasi fëmija t’i ketë mbledhur lodrat e veta, sigurohuni që ta bëni këtë gjë me të vërtetë. Kur ju thoni se do të largoheni nga biblioteka, nëse fëmija juaj nuk pushon së vrapuari, përgatituni që të largoheni menjëherë.
7. Krijoni një mjedis për sjellje të mirë
Mjedisi përreth fëmijës mund të ndikojë në sjelljen që shfaq, kështu që mund t’i jepni formë mjedisit për ta ndihmuar fëmijën të sillet mirë. Kjo mund të jetë po aq e thjeshtë sa të siguroheni që hapësira e fëmijës suaj të ketë shumë gjëra të sigurta dhe nxitëse me të cilat të luajë. Sigurohuni që fëmija yt të mos arrijë dot gjëra që mund t’i thyejë ose që mund ta lëndojnë. Për shembull syzet tuaja mund t’i duken fëmijës shumë argëtuese për të luajtur, por është e vështirë për të që ta mbajë mend se nuk duhet ti marrë ato. Reduktoni mundësitë e lindjes së problemeve duke mos ia lënë në zonën e shikimit fëmijës gjërat që thyhen, apo gjërat që janë me shumë vlerë.
8. Zgjidhni betejat tuaja
Para se të përfshiheni në ndonjë gjë që fëmija juaj është duke bërë - sidomos për të thënë “jo” ose “ndal” – pyeteni veten nëse ka vërtet rëndësi. Kur ju nuk i përsërisni shpesh udhëzimet, kërkesat ose reagimet negative, ulni mundësitë për të krijuar konflikte me fëmijën. Rregullat janë të rëndësishme, por përdorini vetëm kur janë me të vërtetë të rëndësishme.
9. Tregohuni i vendosur kur fëmija qan
Nëse dorëzoheni kur fëmija qan për diçka, rastësisht mund ta përforcosh atë që të qajë edhe më shumë. “Jo” do të thotë “jo”, dhe jo ndoshta, kështu që mos e thoni nëse nuk e keni me gjithë mend.
10. Mbajini gjërat të thjeshta dhe pozitive
Nëse jepni udhëzime të qarta me fjalë të thjeshta, fëmija do të dijë se çfarë pritet prej tij/saj – për shembull, “Të lutem, kape dorën time kur të kalojmë rrugën”. Në fakt, rregullat pozitive zakonisht janë më të mira se ato negative, sepse e drejtojnë sjelljen e fëmijës tuaj në një mënyrë pozitive. Për shembull, “Të lutem, mbylle derën” është më mirë se “Mos e lër derën hapur”.
11. Jepuni fëmijëve përgjegjësi dhe tregojini pasojat e sjelljeve të tyre
Teksa fëmijët rriten, ju mund t’u jepni më shumë përjegjësi për sjelljen e tyre. Gjithashtu, ju duhet t’i jepni mundësinë që ata t’i përjetojnë edhe pasojat e sjelljes së tyre. Nuk duhet të jeni 'i keqi' gjatë gjithë kohës. Për shembull, nëse është përgjegjësi e fëmijës për ta bërë vetë gati çantën për të fjetur te shtëpia e shoqes dhe ai/ajo harron arushin e preferuar, do të duhet ta kalojë natën pa të.
Në raste tjera, mund t’ju duhet të përcaktoni pasoja për sjellje të papranueshme ose të rrezikshme. Për këto raste, është më mirë të siguroheni se i keni shpjeguar pasojat dhe se fëmija juaj ka rënë dakord me to që më përpara.
12. Thuajeni atë që do të thoni vetëm një herë
Nëse i thoni fëmijës shumë shpesh se çfarë duhet të bëjë ose të mos bëjë, ai/ajo mund të mos t’ju dëgjojë me vëmendje. Nëse dëshironi t’i jepni një mundësi të fundit për të bashkëpunuar, kujtojini pasojat që vijnë kur nuk bashkëpunon. Pastaj filloni të numëroni deri në tre.
13. Bëjeni fëmijën të ndihet i rëndësishëm
Jepini fëmijës disa punë të thjeshta ose gjëra që mund t’i bëjë për të ndihmuar në shtëpi. Kjo do ta bëjë fëmijën të ndihet i rëndësishëm. Nëse fëmija i praktikon disa herë punët e shtëpisë, ai/ajo do të bëhet më i/e mirë në bërjen e tyre, do të ndihet mirë për këtë gjë dhe do të dojë të vazhdojë t’i bëjë ato. Dhe nëse i jepni lavdërime për sjelljen dhe përpjekjet e tij/saj, kjo do ta ndihmojë në ndërtimin e vetëvlerësimit.
14. Përgatituni për situata sfiduese
Ka raste kur do të jetë e vështirë të kujdeseni për fëmijën dhe të bëni ato gjëra që duhen bërë. Nëse i mendoni më përpara këto situata të vështira, mund të planifikoni për nevojat e fëmijës. Jepini një paralajmërim pesë minuta para se të jetë e nevojshme ndryshimi i aktivitetit. Bisedo me fëmijën, se pse ke nevojë për bashkëpunimin e tij/saj. Pastaj fëmija do të jetë i përgatitur për t’u sjellë në mënyrën që ju prisni që ai/ajo të sillet.
15. Ruajeni sensin e humorit
Kur e përditshmja bëhet argëtuese, shpesh kjo ndihmon në menaxhimin e fëmijëve. Kjo gjë mund të arrihet duke përdorur këngë, humor dhe argëtim. Për shembull, ju mund të shtireni si një përbindësh i frikshëm që të gudulis, i cili ka nevojë që lodrat të mblidhen mënjëherë nga dyshemeja. Kur ju qeshni të dy me humorin që bëhet është fantastike, por duhet të kini parasysh se të bërit humor me fëmijën, nuk ndihmon. Fëmijët e vegjël lëndohen lehtësisht nga 'talljet' e prindërve.