Periudhat kalimtare: ndihmojini fëmijët të ndryshojnë aktivitete

Pikat kryesore: Mund të jetë e vështirë për fëmijët të kalojnë nga njëri aktivitet në tjetrin, veçanërisht nëse ata janë duke shijuar diçka dhe nuk duan të ndahen prej saj. Rutinat mund të ndihmojnë për ndryshimin e veprimtarive. Fëmijët mund ta pranojnë ndryshimin më mirë kur e dinë se po vjen. Gjithashtu, fëmijëve mund t’u jepni paralajmërime të mjaftueshme, t'i jepni kohë për të kaluar në një aktivitet të ri, t'i ofroni zgjedhje të tjera dhe t’i rezistoni refuzimit të tyre.
Body

Çfarë janë periudhat e tranzicionit?

Tranzicion është koha kur fëmija ndalon së bëri një aktivitet për të kaluar në një aktivitet tjetër. Shembuj të këtyre periudhave kalimtare përfshijnë:

  • përgatitja për të dalë nga shtëpia,
  • mbledhja e lodrave para gjumit,
  • fikja e televizorit ose e kompjuterit,
  • dalja nga banja.

Fëmija juaj ndoshta ka nevojë të bëjë kalime nga njëri aktivitet në tjetrin shumë herë gjatë ditës. Mirëpo tranzicionet mund të jenë të vështira, veçanërisht nëse fëmija juaj është i kënaqur me atë që po bën dhe nuk dëshiron të shkëputet.

Planifikimi i tranzicioneve: këshilla

Një rutinë e parashikueshme familjare mund të ndihmojë në zbutjen e tranzicioneve që ndodhin çdo ditë. Fëmijët mund ta pranojnë më mirë ndryshimin, kur e dinë se çfarë do të bëjnë më pas.

Në vijim, janë dhënë disa këshilla për planifikimin e tranzicionit:

  • Shpjegojini fëmijës tuaj se çfarë po ndodh para se të filloni ditën ose para se të dilni nga shtëpia. Të diturit se çfarë e pret, e ndihmon fëmijën (veçanërisht në rastin kur fëmija është më i madh në moshë) të ketë pritshmëri realiste.
  • Përdorni një kalendar familjar që tregon se çfarë bëjnë çdo ditë anëtarët e ndryshëm të familjes. Ju mund të përdorni një kalendar me fotografi për fëmijët më të vegjël.
  • Mbani parasysh se cilat janë aftësitë ose njohuritë e reja që e ndihmojnë fëmijën në  tranzicionet e përditshme. Për shembull, fëmija juaj mund të ketë nevojë të mësojë si t'i lidhë vetë lidhëset e këpucëve, duke e bërë më të lehtë daljen nga shtëpia. Ose ndoshta fëmija juaj ka nevojë për një listë të shkruar ose vizuale për ta ndihmuar ta bëjë gati çantën e shkollës çdo mëngjes.

Caktimi i kohës së tranzicioneve: këshilla

Tranzicionet janë pjesë e ditës së çdo fëmije. Përcaktimi i një kohe të duhur për tranzicionin mund ta bëjë më të lehtë për fëmijën kalimin nga njëri aktivitet në tjetrin:

  • Zgjidhni kohën tuaj. Nëse mundeni, ndaloni një aktivitet dhe filloni një tjetër gjatë kohës që fëmija juaj nuk është duke u marrë me diçka. Për shembull, prisni derisa fëmija juaj ta ketë përfunduar vizatimin përpara se t’i thoni se dreka është gati. Nëse jeni të ndjeshëm ndaj asaj që po bën fëmija juaj, kjo mund t’i bëjë më të lehta kalimet për ju të dy.
  • Jepini fëmijës tuaj një paralajmërim për çdo ndryshim të aktivitetit që po vjen. Për shembull, “Ke edhe pesë minuta kohë për të luajtur. Pastaj do të jetë koha për t'u kthyer në shtëpi”, ose “Bëj edhe një lojë dhe pastaj do të shkojmë në shtëpi”.
  • Nëse fëmija juaj i sheh kalimet të vështira e sfiduese, mundohuni t'i jepni më shumë kohë për të kaluar nga njëri aktivitet në tjetrin. Kjo i jep fëmijës tuaj kohë shtesë për të bërë ndryshimin dhe përshtatjen.

Dhënia e mundësisë së zgjedhjes në lidhje me tranzicionin

Ju nuk mund t’i jepni gjithmonë zgjedhje fëmijës tuaj për të ndërprerë një aktivitet dhe për të filluar një tjetër. Ndonjëherë, ju mund t’i jepni mundësinë të bëjë zgjedhje për gjëra të tjera. Ja disa ide:

  • Jepini fëmijës tuaj një zgjedhje në lidhje me gjërat që janë pjesë e tranzicionit. Për shembull, “Duhet të shkojmë te makina për një minutë. Mund të marrësh një lodër me vete. Çfarë do të marrësh?” ose “Do t'i rregullosh vetë rrobat apo do ta bëjmë së bashku?”.
  • Kufizoni mundësitë. Për shembull, lëreni fëmijën tuaj të zgjedhë midis dy bluzave të ndryshme, por jo çdo veshje që ndodhet në dollapin e tij/saj! Nëse fëmija nuk do të zgjedhë, ju mund të zgjidhni për të.
  • Mos i jepni mundësi zgjedhjeje në rastin e një tranzicioni që ju doni që fëmija të kryejë. Për shembull, kur e pyesni: “A do t’i mbledhësh lodrat e tua tani?”, në fakt,  ju i jepni një zgjedhje. Në vend të kësaj, ju mund t' thoni, “Fillo t'i mbledhësh lodrat e tua tani, të lutem”.

Kalime pozitive nga njëri aktivitet në tjetrin

Theksimi i anës pozitive të tranzicionit mund ta drejtojë vëmendjen e fëmijës suaj te gjërat që ai/ajo ka qejf, në vend të faktit se i duhet të ndryshojë aktivitetin.  

Përpiquni t’i bëni kalimet argëtuese. Për shembull, “Hej si thua sikur të ecim si një ushtar deri te makina?” ose “Si thua të luajmë lojën “Kush e gjen përgjigjen” gjatë kthimit për në shtëpi?”.

  • Kombinoni aktivitetet që fëmija nuk dëshiron t’i bëjë me aktivitete që i pëlqejnë. Për shembull, “Së pari mbledhim lodrat, pastaj do hamë biskotat me çokollatë”.
  • Vini në dukje çdo gjë që fëmija juaj pret me padurim pas ndryshimit të aktivitetit me të cilin po merrej. Për shembull, “Nëse largohemi tani, do të kemi kohë të luajmë me gara para darkës”.
  • Lavdërojeni fëmijën tuaj kur bëhet i dëgjueshëm gjatë kalimit të tranzicioneve. Theksojini sa mirë është kur të dy punoni së bashku si ekip.

Zgjidhja e problemeve të tranzicionit

Është normale nëse fëmja juaj mërzitet kur i duhet të ndërpresë aktivitetin që pëlqen. Shfrytëzojeni mërzitjen e fëmijës si mundësi për të folur për emocionet dhe nxiteni t'i shprehë me fjalë ndjenjat - për shembull, “Unë e di që do të mërzitesh, që do ta ndërpresësh lojën tani”.

Nëse fëmija juaj vazhdon të luajë edhe pasi i keni kërkuar që ta ndërpresë lojën, apo fillon të zemërohet ose të qajë, kini kujdes që të mos ta shpërbleni duke i dhënë më shumë kohë për ta vazhduar lojën. Mund të jeni mirëkuptues/e por edhe të qartë dhe të vendosur. Butësisht, këmbëngulni që fëmija juaj ta bëjë atë që po i kërkoni.