Pozicionet e të ushqyerit me gji
Gjatë ushqyerjes me gji mund të përdorni pozicione të ndryshme. Për shkak të dhimbjeve të shpinës, plagës së dhimbshme të episiotomisë ose plagës së operacionit cezarian, ju mund të mos jeni në gjendje të qëndroni në pozicionet e rekomanduara të ushqyerjes me gji. Pozicioni më i mirë është ai në të cilin ti ndihesh rehat; me kalimin e kohës, ju të dy do të gjeni pozicionin që ju përshtatet më mirë ju dhe fëmijës suaj.
Për çdo pozicion që do të zgjedhësh, parimet bazë që e lejojnë foshnjën të thithë gji me sukses, janë të rëndësishme: Foshnja është e pozicionuar në mënyrë që i gjithë trupi i tij/saj të jetë pranë trupit tuaj, dhe koka e tij/saj të jetë në nivelin e gjirit tuaj. Koka, qafa dhe trupi i foshnjës janë në të njëjtin plan, me fytyrën përballë gjirit. Nëse është i sapolindur, duhet mbështetur i gjithë trupi, jo vetëm koka dhe qafa.
Pozicioni i ulur me foshnjën në krahë - "pozicioni i djepit " - Shtylla kurrizore e juaj dhe e foshnjës suaj janë në kënd të drejtë; koka e foshnjës është në gropën e brrylit tuaj ; trupi i foshnjës mbështetet nga e gjithë gjatësia e krahut tuaj; ofroni gjirin me dorën tuaj të lirë duke vendosur gishtin e madh në anën e sipërme të gjirit, gishtin tregues dhe gishtin e mesëm nën gji, duke mbajtur gjoksin me pëllëmbë.
- Pozicioni i ulur, me foshnjën në krahë - "mbajtja në djep kryq " - Foshnja shtrihet në prehrin tuaj ose në jastëk, për t'u ngritur në nivelin e thithkës. Sigurohuni që jastëku e mbështet mirë foshnjën, në mënyrë që krahët tuaj të mos e mbajnë të gjithë peshën e foshnjës. Nëse jeni duke ushqyer me gji foshnjën në gjirin tuaj të majtë, mbështetni gjoksin me dorën në formë "U"-je, duke përdorur dorën tuaj të majtë dhe mbajeni foshnjën me gishtat e dorës së djathtë.
- Pozicioni ulur, me foshnjën në krahë - "mbajtja si top bejsbolli" - Koka e foshnjës është përballë gjirit, dhe trupi i tij /saj është pranë tuajit, nën krahun tuaj. Ky është një pozicion i mirë për nënat që lindën me operacion cezarian dhe ato që ushqejnë me gji binjakët. Gjithashtu, ndihmon nëse refleksi juaj i lëshimit të qumështit është tepër i fuqishëm. Mbaje kokën e fëmijës me pëllëmbën tënde. Përsëri, jastëkët mund të ndihmojnë për ta mbajtur foshnjën më afër thithkës.
- Pozicioni shtrirë, me foshnjën të shtrirë përgjatë trupit tuaj, përballë jush - ky pozicion i përshtatet shumë nënave, veçanërisht gjatë natës, dhe është shumë praktik për ato që kanë pasur një episiotomi. Ti dhe fëmija shtriheni në krah, duke u përballur me njëri-tjetrin. Koka e foshnjës mund të mbështetet në krahun tuaj të shtrirë, me parakrahun që mbështet kurrizin e foshnjës. Bëni kujdes mos ju zërë gjumi me foshnjën në shtrat!
Pozicioni i ushqyerjes me gji duhet të jetë i rehatshëm për nënën! Me dëshirën për të ushqyer foshnjën e saj me sukses, ndonjëherë, sidomos në ditët e para, nëna merr pozicione të ndryshme të panatyrshme dhe të detyruara, të cilat pasohen në mënyrë të pashmangshme nga dhimbje shpine, qafë e ngurtësuar dhe parehati të tjera. Foshnja ndonjëherë thith deri në 10-12 herë në 24 orë, kështu që është e rëndësishme që ju të jeni rehat: të mbështetni mirë shpinën; nëse uleni në një karrige ose kolltuk - të keni një stol ku të vendosni këmbët. Pozicioni i duhur mund të mbështetet nga jastëkë shtesë - një jastëk "fole" (në formë rrethore si cerdhe zogu) ose jastëkë të zakonshëm - vënë një pas shpinës tuaj për t'u mbështetur, dhe një tjetër në prehër për të vënë foshnjën.
Ushqyerja me gji nuk duhet të dëmtojë! Momentet e para të ushqyerjes me gji mund të shoqërohen me shqetësime të shkurtra ose dhimbje. Nëse ndjeni dhimbje gjatë gjithë kohës gjatë ushqyerjes me gji, kjo do të thotë se foshnja nuk është kapur mirë në gji dhe është duke u ushqyer pa efektshmëri. Ndaloni së ushqyeri me gji duke rrëshqitur gishtin tuaj të vogël në gojën e foshnjës pranë thithkës, butësisht nxirreni thithkën nga goja e tij/saj dhe provoni përsëri.
Çdo çift nënë-foshnjë është një botë për vete. Edhe nënat që tashmë kanë përvojë me një fëmijë më të madh e kuptojnë shpejt se, me çdo fëmijë, përvoja është e re dhe e ndryshme, se duhet kohë për t'u njohur dhe për t'u mësuar me të. Nëna dhe foshnja duhet të mësojnë të funksionojnë si një skuadër e efektshme. Gjëja më e rëndësishme është të mos dorëzohesh nëse gjithçka nuk shkon menjëherë siç e prisje!
Nëse keni pyetje, dilema apo dyshime rreth ushqyerjes me gji, kontaktoni me infermieren/maminë dhe mjeken e konsultorit të fëmijës apo qendrës shëndetësore që mbulon zonën tuaj, ato do t'ju japin ndihmë dhe këshilla profesionale dhe do t'ju ndihmojnë të qetësoheni.