Sjelljet e foshnjave dhe të fëmijëve të vegjël që mund t'ju shqetësojnë: frika nga të panjohurit!

Foshnja juaj mund të shfaqë siklet kur mbahet ose afrohet dhe i drejtohet një personi të panjohur për të. Kjo sjellje është e zakonshme dhe zakonisht ndodh midis moshës 7-10 muajsh. Mund të zgjasë disa muaj, por mund të vazhdojë edhe më gjatë. Zakonisht kalon kur fëmija është 18-24 muajsh.
Body

Çfarë mund të bëni?

Edhe pse frika nga të panjohurit është e pritshme gjatë zhvillimit të fëmijës, ju mund ta ndihmoni fëmijën të ndihet më pak i/e frikësuar.

  • Mos e injoroni dhe refuzoni shqetësimin e foshnjës. Foshnja mund të qajë dhe të reagojë edhe më fort nga nevoja për t’ju treguar më qartë se çfarë po përjeton.
  • Mbajeni dorën e foshnjës, ose mbajeni në prehër kur prezantohet me njerëz të rinj. Kurdo që të jetë e mundur, prezantojini njerëzit e rinj në një mjedis që është familjar për foshnjën - për shembull, në shtëpinë tuaj.
  • Nëse foshnja është shumë e frikësuar nga një person i ri, ngushëllojeni dhe qetësojeni plotësisht, dhe vetëm pas kësaj provoni, për shembull, të luani të gjithë së bashku. Për ta filluar lojën, largojeni fëmijën nga personi i ri.
  • Jini të durueshëm dhe të butë. Mos këmbëngulni në kontaktin midis foshnjës dhe personit të ri. Mos u shqetësoni shumë për mënyrën se si ndihen të rriturit - kërkoni nga të huajt të presin para se ta marrin fëmijën në krahë. Thuaj që foshnja po mëson të takojë njerëz të rinj dhe jepini fëmijës kohë të njihet dhe të dojë të vendosi kontakt me personin e ri.
  • Jini të qetë - as shumë të lumtur, të ngazëllyer dhe as të shqetësuar – kur e prezantoni fëmijën me njerëz të rinj. Foshnja do ta vëzhgojë sjelljen tuaj dhe do ta vlerësojë situatën bazuar në reagimet tuaja.
  • Përkundrazi, mos hiqni dorë nga takimi me njerëz të rinj. Krijoni fëmijës mundësi të takojë njerëz të rinj. Gjithmonë përshëndeteni me përzemërsi, duke ia bërë të ditur foshnjës - me një buzëqeshje, zë të këndshëm, të gëzuar, kontakt me sy - se kontakti me personin e ri është i këndshëm.

Frika jashtëzakonisht e fortë nga të huajt mund të çojë në ankth dhe siklet shoqëror në marrëdhëniet shoqërore kur fëmija të rritet më shumë në moshë. Prandaj, është e rëndësishme të kërkoni këshilla profesionale, nëse jeni të shqetësuar se ankthi që fëmija përjeton kur takon njerëz të rinj është aq i fortë, sa foshnja nuk qetësohet edhe kur i huaji largohet. Gjithashtu, kërkoni këshilla nëse frika nga të huajt vazhdon përtej vitit të dytë të jetës së fëmijës.