Alergjitë joushqimore tek fëmijët

Nëse fëmijët kanë alergji ndaj gjërave të tilla si merimangat e pluhurit në shtëpi, polenet e pemëve ose barit, kafshët, lateksi, thumbimet dhe pickimet e insekteve, atëherë ata/ato duhet t'i shmangin këta alergjenë. Simptomat e një reaksioni alergjik të lehtë ose të moderuar përfshijnë skuqje, ënjtje, ndjesi shpimi gjilpërash, dhimbje stomaku, të vjella, ethe të barit dhe astmë. Simptomat e një reaksioni të rëndë alergjik ose anafilaksisë përfshijnë ënjtjen e gojës, shtrëngimin e fytit, zërin e shterrur, vështirësi në frymëmarrje dhe të fikët. Flisni me mjekun tuaj për alergjinë e fëmijës suaj.
Body

Alergjitë joushqimore

Shumë fëmijë janë alergjikë ndaj gjërave të zakonshme në shtëpitë dhe mjedisin tonë, si merimangat e pluhurit në shtëpi, thumbimet dhe pickimet e insekteve, kafshët shtëpiake, barërat, barërat e këqija dhe polenet e tjera. Simptomat e alergjisë nga reaksione të lehta - të moderuara në reaksione të rënda.

Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë alergji, bisedoni me mjekun tuaj, i cili mund t'ju referojë te specialisti i alergjive, i cili mund ta vlerësojë fëmijën tuaj duke përdorur disa metoda, duke përfshirë:

  • Testimin përmes shpimit të lëkurës: lëkura e fëmijës suaj shpohet me një pajisje të veçantë e cila duket paksa si kruese dhëmbësh dhe përmban një pikë të një alergjeni specifik. Nëse shfaqet urtikarie aty ku është shpuar lëkura e fëmijës suaj, fëmija juaj ka gjasa të ketë alergji.
  • Testet e gjakut: Për të kërkuar antitrup specifik IgE (antitrup që shkakton reaksion alergjik) të drejtuar kundër një alergjeni të caktuar të dyshuar. Nëse gjaku i fëmijës suaj ka një sasi të lartë të këtyre antitrupave specifikë, ai/ajo ndoshta ka alergji. Fëmija juaj mund t'i nënshtrohet këtij testi, nëse ai/ajo nuk mund të testohet përmes shpimit të lëkurës.

Reaksion alergjik i lehtë ose i moderuar

Simptomat e një reaksioni alergjik të lehtë ose të moderuar zakonisht përfshijnë një ose më shumë nga simptomat në vijim:

  • skuqje, urtikarie ose fryrje
  • ënjtje e fytyrës, syve ose buzëve
  • ndjesi shpimi gjilpërash në gojë
  • simptoma të ekzemës, etheve të barit ose astmës – këto simptoma mund të jenë më të rënda se zakonisht
  • diarre, dhimbje stomaku ose të vjella

Çfarë duhet të bëni për reaksionet e lehta e deri tek ato të moderuara
Nëse mendoni se fëmija ka reaksion alergjik të lehtë apo të moderuar, mund t'i jepni fëmijës tuaj një dozë antihistaminë.

Në fakt, të keni antihistaminë në kutinë e ndihmës së parë të shtëpisë tuaj është ide e mirë.

Reaksionet alergjike të lehta dhe të moderuara janë të zakonshme, por vdekjet nga reaksionet alergjike janë të rralla. Vdekjet mund të ndodhin kur ka vonesë në dhënien e ilaçeve jetëshpëtuese personit që ka reaksion.

Reaksioni i rëndë alergjik ose anafilaksia

Reaksioni i rëndë alergjik quhet anafilaksi. Simptomat mund të përfshijnë një ose më shumë nga simptomat në vijim:

• frymëmarrje e vështirësuar ose e zhurmshme

• ënjtje ose shtrëngim të gjuhës dhe fytit

• probleme në të folur ose zë i shterrur

• gulçim ose kollë e vazhdueshme

• marramendje e vazhdueshme ose të fikët

• zbehje dhe plogështi (te fëmijët e vegjël)

• presion i ulët i gjakut

• diarre, dhimbje stomaku ose të vjella pas pickimit ose thumbimit të insektit.

Anafilaksia është një reaksion alergjik i rrezikshëm për jetë dhe kërkon kujdes emergjent mjekësor. Nëse fëmija juaj ka reaksion anafilaktik, së pari shtrijeni atë ose mbajeni ulur. Mos e lini të qëndrojë në këmbë ose të ecë. Më pas, përdorni një autoinjektor adrenalinë si EpiPen. Pastaj thirreni ambulancën.

Alergjitë ndaj ilaçeve

Fëmija juaj mund të përjetojë skuqje ose ënjtje kur merr ilaçe me recetë siç janë antibiotikët. Kjo mund të ndodhë për shkak se ai/ajo ka alergji ndaj ilaçeve. Por ndonjëherë skuqjet dhe ënjtjet mund të shkaktohen nga ndonjë infeksion ekzistues dhe jo nga alergjia.

Nëse fëmija juaj ka diarre ose të vjella pas marrjes së ilaçeve, me shumë gjasë, ky nuk është reaksion alergjik. Ka më shumë gjasa të shkaktohet nga sëmundja ose efekti i ilaçeve në stomak.

Reaksionet ndaj vaksinave në vendin ku ato injektohen janë të zakonshme dhe zakonisht përfshijnë dhimbje, skuqje dhe ënjtje. Fëmija juaj mund të ketë gjithashtu ethe të lehta. Reaksionet e vërteta alergjike ndaj vaksinave janë shumë të rralla.

Nëse fëmija juaj ka reaksion ndaj ndonjë ilaçi, është më së miri të flisni me mjekun tuaj të përgjithshëm.

Shembuj të alergjenëve të zakonshëm:

Alergjia ndaj merimangave të pluhurit

Merimangat e pluhurit jetojnë pothuajse në çdo shtëpi, përveç rajoneve të thata dhe të larta (zona më të larta se 1500 m mbi nivelin e detit). Ato jetojnë në vende të ngrohta dhe me lagështi si dyshekë, jastëk, lodra të buta, orendi të buta dhe qilim.

Simptomat e zakonshme të alergjisë ndaj merimangave të pluhurit përfshijnë ethe të barit, ekzemë dhe astmë.

Alergjitë ndaj merimangave të pluhurit nuk janë sezonale - ato ndodhin gjatë gjithë vitit.

Parandalimi

Më së miri është të përqendroheni në shtratin dhe dhomën e gjumit të fëmijës suaj. Ju mund t'i reduktoni merimangat e pluhurit në këto zona duke:

• mbuluar shtratin e fëmijës tuaj me një mbulesë kundër merimangave të pluhurit, e cila do t'i mbajë merimangat larg nga fëmija juaj kur ai/ajo është duke fjetur

• larë çarçafët dhe jastëkët çdo javë në temperaturë 60°C

• larë batanijet, jorganët dhe mbulesat kundër merimangave të pluhurit çdo dy muaj në ujë të nxehtë

• larguar të gjitha lodrat e buta nga dhoma e gjumit, ose duke i larë ato çdo javë

• larguar qilimat në shtëpinë tuaj, kur është e mundur, ose duke i fshirë ato shpesh me fshesë elektrike.

Alergjia ndaj kafshëve shtëpiake

Fëmijët mund të bëhen alergjikë ndaj flokëve, zbokthit dhe pështymës së kafshëve si macet, qentë, kuajt dhe lepujt.

Parandalimi:

Nëse problemi qëndron te kafsha juaj shtëpiake, mënyra më e mirë që fëmija juaj ta shmangë kontaktin është ta mbani kafshën jashtë. Mos e lini kafshën të flejë në shtratin e fëmijës suaj ose në dhomën e gjumit të fëmijës suaj.

Alergjia ndaj barërave, barërave të këqija dhe poleneve

Këto alergji priren të përkeqësohen në muajt e pranverës dhe verës, kur barërat dhe bimët e tjera lulëzojnë.

Parandalimi

• mbajtja e dritareve dhe dyerve të mbyllura dhe qëndrimi brenda gjatë ditëve kur ka sasi të lartë të polenit dhe gjatë ditëve me erë

• pastrimi i fëmijës tuaj pas lojës jashtë, veçanërisht nëse fëmija juaj ka kruajtje.

Alergjia ndaj lateksit

Alergjia ndaj lateksit mund të jetë problemi nëse fëmija juaj ka skuqje, irritim të lëkurës ose ënjtje pas kontaktit me një produkt që përmban lateks. Këto produkte mund të jenë tullumbace, doreza gome, cuclla e biberonit ose cuclla mashtruese.

Nëse fëmija juaj ka alergji ndaj lateksit, do t'ju duhet t'i tregoni për këtë të gjithë profesionistëve mjekësorë, dentarë dhe profesionistëve të tjerë të kujdesit shëndetësor që e kontrollojnë fëmijën tuaj. Ata duhet ta shmangin përdorimin e produkteve të lateksit rreth tij/saj.

Disa njerëz kanë reaksion anafilaktik ndaj lateksit. Nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat dhe simptomat e anafilaksisë, shtrijeni atë, jepini një autoinjektor adrenalinë (nëse keni) dhe thirreni ambulancën.