Dalja e dhëmbëve tek foshnjat
Në shumicën e foshnjave, dhëmbët e parë dalin midis 6 dhe 10 muajsh. Shqetësimi shoqërues që përjeton foshnja lehtësohet duke i dhënë atij/saj objekte të ftohta për të përtypur ose duke masazhuar butësisht mishrat e dhëmbëve.
Body
Rritja e dhëmbëve të qumështit
- Dhëmbët formohen në mishrat e dhëmbëve ndërsa foshnja është ende në mitër.
- Tek shumica e fëmijëve dhëmbi i parë del në moshën 6 deri në 10 muajshe, por mund të shfaqet edhe më herët, madje edhe në lindje ose më vonë, pas vitit të parë të jetës.
- Ata dalin sipas një radhe të caktuar, e cila jo domosdoshmërisht ndiqet gjithmonë.
- Zakonisht, prerësit e poshtëm qendror dalin së pari, pasuar nga prerësit e sipërm qendror dhe anësor (lateral) dhe në fund të vitit të parë fëmija zakonisht ka 6 dhëmbë.
- Deri në fund të vitit të tretë shumica e fëmijëve kanë 20 dhëmbë qumështi.
Dalja e dhëmbëve
- Gjersa dhëmbët dalin përmes mishit të dhëmbëve, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme. Ato duhet të fërkojnë vazhdimisht mishrat e dhëmbëve me diçka dhe vendi ku dalin dhëmbët ndonjëherë është paksa i kuq dhe i fryrë.
- Dhëmbët e disa fëmijëve dalin pa u ndier, por në shumicën e fëmijëve, prindërit vërejnë disa ndryshime në sjellje: ata qajnë ose bëhen më të çuditshëm, nuk hanë normalisht; jargëzojnë, e kanë të vështirë të flenë dhe zgjohen më shpesh natën, përtypin gjithçka që u vjen në dorë: lodra, përparëse; kërkojnë cucëll, i ndotin më shpesh pelenat; e fërkojnë veshin në anën që po del dhëmbi.
- Këto ndryshime mund të jenë pjesë normale e zhvillimit, por ndonjëherë janë pasojë e infeksioneve të lehta.
- Nëse fëmija juaj nuk është mirë, veçanërisht nëse ai/ajo ka temperaturë ose diarre, ose jeni të shqetësuar për disa shenja të tjera të sëmundjes, konsultohuni me një pediatër.
Ndihma gjatë daljes së dhëmbëve
Ju do ta ndihmoni foshnjën tuaj duke:
- masazhuar butësisht mishrat e dhëmbëve me një gisht të pastër ose duke i larë ato me një furçë të butë;
- i ofruar foshnjës sende të ftohta për të përtypur: një gomë për dhëmbë ose një lodër që e keni mbajtur në frigorifer për pak kohë;
- përgatitur ushqim pure, nëse e shihni të nevojshme.