Impetigo (infeksion bakterial i lëkurës)
Shkaqet e impetigo ose plagëve në shkollë
Impetigo ose plagët në shkollë zhvillohen kur një bakter i zakonshëm (zakonisht Staphylococcus aureus ose Streptococcus grupi A) futet në një prerje, gërvishtje ose plagë në lëkurën e fëmijës suaj. Për shkak se lëkura është e qarë, ajo nuk mund të veprojë si një pengesë kundër baktereve.
Bakteret mund të përhapen nëse pjesë të tjera të trupit bien në kontakt me plagën origjinale. Kjo mund të shkaktojë që të zhvillohen më shumë plagë impetigo.
Impetigo është shumë ngjitëse. Është mjaft e zakonshme që të ketë përhapje në shkolla dhe qendra të kujdesit për fëmijët.
Impetigo shpesh shfaqet krahas problemeve të tjera të lëkurës si ekzema, zgjeba, pickimi i insekteve ose lija e ujit.
Impetigo është më e zakonshme në muajt e ngrohtë.
Simptomat e impetigo ose plagëve në shkollë
Në fazat e hershme të impetigo, gjithçka që mund të vini re janë pika të kuqe të sheshta ose flluska të vogla në çdo pjesë të trupit të fëmijës suaj. Këto pika janë veçanërisht të zakonshme rreth fytyrës (veçanërisht gojës dhe hundës), duarve dhe këmbëve.
Njollat mund të mbushen me qelb të verdhë ose të gjelbër, të shpërthejnë ose të formojnë kore. Bakteret janë në lëngjet dhe koret e plagëve. Nëse nuk i trajtoni plagët, ato mund të bëhen më të mëdha dhe më shumë prej tyre mund të rriten.
Impetigo mund të shkaktojë kruajtje ose të jetë e ndjeshme.
Kur duhet të vizitoni mjekun për impetigo ose plagët në shkollë
Ju duhet të vizitoni mjekun nëse:
- një plagë në trupin e fëmijës suaj është e rrethuar nga një zonë e lëkurës së kuqe
- fëmija juaj ka një plagë me kore ose që rrjedh, veçanërisht nëse plaga po bëhet më e madhe ose po përhapet
- fëmija juaj është në përgjithësi i/e sëmurë ose ka temperaturë
- ju mendoni se fëmija juaj ka impetigo.
Analizat për impetigo ose plagë në shkollë
Shumë herë nuk nevojiten analiza dhe mjeku mund të identifikojë infeksionin duke parë plagën/ët. Në disa raste mjeku mund të marrë një mostër të plagëve të infektuara dhe ta dërgojë atë për egzaminim për të identifikuar bakteret që shkaktojnë infeksionin impetigo dhe antibiotikun që do të funksionojë më mirë kundër tij.
Trajtimi i impetigo ose plagëve në shkollë
Nëse plagët e impetigo janë të vogla dhe nuk kanë flluska, aplikoni një krem antibiotik dhe jini jashtëzakonisht të kujdesshëm për higjienën e lëkurës dhe larjen e duarve. Kjo mund të parandalojë përhapjen e plagëve dhe t'i lejojë ato të shërohen.
Por shumica e rasteve të impetigo kanë nevojë për një mjekim të përshkruar si një pomadë, tabletë ose lëng antibiotik.
Në mes të vendosjes së pomadës në njollat e infektuara, lani butësisht lëkurën e fëmijës tuaj me sapun ose një solucion antibakterial dhe më pas thajeni.
Ju mund t'i hiqni koret nga lëkura e fëmijës tuaj duke e bërë atë të zhytet në banjë për 20-30 minuta për të zbutur koret. Më pas mund ta fshini butësisht koren me një peshqir.
Parandalimi i impetigo ose plagëve në shkollë
Impetigo mund të përhapet me shpejtësi në pjesë të tjera të trupit nëse fëmija juaj prek plagën dhe më pas kruan trupin diku tjetër. Shpjegojini këtë fëmijës suaj dhe inkurajoni atë që të mos i presë plagët.
Mbani thonjtë e fëmijës tuaj të shkurtër dhe sigurohuni që ai/ajo të lajë duart shpesh, derisa infeksioni të jetë pastruar.
Impetigo është shumë ngjitëse. Mbajeni fëmijën tuaj në shtëpi larg nga insitucioni i kujdesit për fëmijë, parashkollori ose shkolla. Pasi fëmija juaj të fillojë trajtimin me antibiotikë, prisni të paktën 24 orë përpara se ta ktheni përsëri në institucionin e kujdesit për fëmijë, parashkollor ose shkollë dhe sigurohuni që të mbuloni të gjitha plagët e lagura me fasha të papërshkueshme nga uji.