Infeksion i gojës me herpes simplex
Rreth infeksionit të gojës me herpes simplex
Kur një fëmijë infektohet me virusin herpes simplex për herë të parë, ky virus mund të shkaktojë infeksion të gojës me herpes simplex. Ky infeksion shpesh çon në dhimbje të mishit të dhëmbëve dhe ulçera brenda gojës së një fëmije. Kjo quhet gingivostomatiti.
Pas një infeksioni të parë me virusin herpes simplex, virusi fle brenda qelizave nervore. Mund të zgjohet dhe të shkaktojë ulçera ftohjeje kur sistemi juaj imunitar është nën stres – për shembull, gjatë një sëmundjeje të vogël, ndryshimeve hormonale ose djegie nga dielli.
Virusi mund të shpërthejë edhe tek vajzat më të mëdha në moshë gjatë kohës së ciklit menstrual.
Virusi herpes simplex është shumë ngjitës dhe mund të përhapet edhe para se të krijohen flluskat.
Simptomat e infeksionit të gojës me herpes simplex
Fëmija juaj mund të thotë se ka dhimbje në gojë. Buzët, mishrat dhe fyti i tij/saj gjithashtu mund të jenë në dhimbje.
Pjesa e brendshme e gojës së fëmijës suaj mund të jetë e fryrë dhe e kuqe, dhe ju mund të shihni shumë flluska ose ulçera të vogla.
Fëmijët më të vegjël mund të refuzojnë ushqimin ose pijen dhe mund të jargaviten shumë. Fëmija juaj mund të jetë nervoz dhe të qajë shumë. Gjithashtu mund të ketë ethe dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.
Simptomat zakonisht fillojnë të largohen brenda 3-4 ditëve dhe zhduken plotësisht në 7-10 ditë pa lënë asnjë gjurmë.
Komplikimet e infeksionit të gojës me herpes simplex
Komplikimi kryesor i infeksionit të gojës me virusin herpes simplex është marrja e dobët e lëngjeve dhe dehidrimi. Kjo është për shkak se gingivostomatiti e bën gëlltitjen të dhimbshme dhe të vështirë. Ndonjëherë plagët në gojë mund të infektohen nga bakteret.
Simptomat e dehidrimit janë si në vijim:
- pak ose aspak urinë
- zbehje
- sy të nxirë
- duar dhe këmbë të ftohta
- përgjumje
- nevrikosje.
Në raste shumë të rralla, virusi herpes simplex mund të shkaktojë encefalit, që është inflamacion i indit të trurit. Kjo mund të shkaktojë ndryshime në sjellje, përgjumje dhe kriza.
Fëmijët me një sistem imunitar të dobësuar për shkak të sëmundjes ose mjekimit kanë një rrezik në rritje të infeksionit të gojës nga herpes simplex dhe encefalitit. Foshnjat nën tre muajsh janë gjithashtu në rrezik të shtuar dhe duhet të vizitohen menjëherë nga mjeku.
A ka nevojë fëmija juaj të vizitojë mjekun për infeksionin e gojës me herpes simplex?
Nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj është i/e dehidratuar, duhet të shkoni direkt tek mjeku juaj familjar ose në departamentin më të afërt të emergjencës. Ju gjithashtu duhet të kërkoni ndihmë nëse fëmija juaj:
- në përgjithësi nuk është mirë
- refuzon ushqimin dhe lëngjet
- urinon më rrallë se zakonisht
- është konfuz, i/e përgjumur ose sillet në një mënyrë shqetësuese
- nuk përmirësohet pas disa ditësh
- nëse fëmija është më i vogël se 3 muajsh ose ka sistem imunitar të dobësuar.
Trajtimi për infeksionin e gojës me herpes simplex
Ju mund t'i jepni fëmijës tuaj paracetamol ose ibuprofen në doza të rekomanduara për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes së fëmijës suaj.
Ju gjithashtu mund të përdorni preparate për dhimbje lokale direkt në gojën e fëmijës suaj për të lehtësuar dhimbjen. Këto preparate përfshijnë xhelin e lignokainës 2% ose larësin e gojës me lignokainë dhe klorheksidin (për fëmijët më të rritur që nuk gëlltisin).
Ju duhet ta inkurajoni fëmijën tuaj të pijë lëngje, madje edhe sasi të vogla kohë pas kohe. Një opsion është solucioni i rihidrimit oral si Gastrolyte® ose Hydralyte™, të cilin mund ta merrni si lëng ose blloqe akulli nga barnatorja.
Nëse fëmija juaj është mësuar me shishe, mund të jetë më e lehtë ta ushqeni atë duke përdorur një filxhan dhe lugë derisa infeksioni të përmirësohet. Nëse fëmija juaj refuzon ushqimin, përpiquni t'i ofroni atij/asaj ushqime shumë të buta.
Nëse infeksioni është i rëndë ose fëmija juaj është në rrezik të një infeksioni të rëndë, mjeku juaj mund të sugjerojë një ilaç antiviral si acikloviri.
Parandalimi i infeksionit të gojës me herpes simplex
Nëse dikush në familjen tuaj ka një infeksion të gojës me herpes simplex, anëtarët e tjerë të familjes duhet të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me flluskat. Gjithashtu shmangni përdorimin e enëve, gotave ose peshqirëve të përbashkët.