Infeksioni i traktit urinar (ITU-të) tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël
Rreth infeksioneve të traktit urinar (ITU-të)
Infeksionet e traktit urinar (ITU) shfaqen kur bakteret që hyjnë në traktin urinar përmes uretrës ose përmes gjakut, futen në urinë dhe më pas rriten në fshikëz.
ITU-të janë mjaft të zakonshme tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Rreth 4% e foshnjave prekën nga ITU-të në 12 muajt e parë. Në këtë moshë, djemtë prekën më shumë nga ITU-të sesa vajzat.
Fëmijët që kanë anomali në strukturën e veshkave ose të traktit urinar kanë më shumë gjasa të preken nga ITU-të. Por nëse fëmija juaj i vogël prekët nga ITU-të, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai/ajo ka një anomali të traktit urinar.
Simptomat e infeksioneve të traktit urinar tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël
Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, simptomat e infeksioneve të traktit urinar (ITU) mund të duken si simptoma të shumë problemeve të tjera shëndetësore. Nëse fëmija juaj është prekur nga një ITU, ajo/ai mund të:
- ketë ethe të pashpjegueshme
- të irritohet dhe të qajë shumë
- të largohet nga ushqimet e saj/tij
- të ketë vjella
- të jetë jashtëzakonisht i/e përgjumur
- të ketë shtim të dobët në peshë
- të ketë pelenë të përgjakshme.
ITU-të tek fëmijët më të rritur janë të ndryshme nga ITU-të tek foshnjat dhe të vegjlit. Nëse fëmija juaj më i madh ka një infeksion të traktit urinar, ai/ajo mund të ketë djegie gjatë urinimit, ose mund të ndjejë nevojë të urinimit të shpeshtë.
A ka nevojë fëmija juaj të vizitojë mjekun për infeksione të traktit urinar (ITU)?
Po. Ju duhet ta dërgoni fëmijën tuaj te mjeku ose të shkoni menjëherë në repartin e emergjencës së spitalit nëse fëmija juaj ka temperaturë të lartë, të pashpjegueshme ose nëse në përgjithësi nuk ndjehet mirë.
Analizat për infeksionet e traktit urinar (ITU-ve)
Mjekët nuk mund të diagnostikojnë një infeksion të traktit urinar (ITU) vetëm sipas simptomave të fëmijës suaj. Ata duhet të ekzaminojnë edhe urinën e fëmijës suaj. Mjeku gjithashtu mund ta udhëzojë fëmijën tuaj për një ekografi për t'u siguruar që nuk ka probleme në traktin e tyre urinar. Nëse identifikohen probleme, fëmija juaj mund të udhëzohet tek nefrologu ose mjeku i veshkave - domethënë një mjek i specializuar për problemet e veshkave.
Trajtimi për infeksionet e traktit urinar (ITU)
Foshnjave nën tre muaj zakonisht duhet tu jepet antibiotikë drejtpërdrejtë në venë përmes pikave për të trajtuar infeksionin e traktit urinar (UTI). Kjo do të thotë se ata/ato duhet të trajtohen në spital.
Foshnjat më të mëdha se tre muaj ndonjëherë mund të trajtohen në shtëpi me antibiotikë me administrim oral.
Parandalimi i infeksioneve të traktit urinar (ITU-të)
Ju nuk mund të parandaloni infeksionet e traktit urinar (ITU-të) tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Dhe nëse foshnja juaj ka nevojë për trajtim spitalor për një ITU, mund të jetë mjaft shqetësuese. Mund të ndihmojë të dini se shumica e foshnjave dhe të vegjëlve i kalojnë shpejt ITU-të dhe nuk kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm.