Kutitë shqisore të natyrës!
Materialet që ju nevojiten: disa kuti - kutitë e këpucëve do të funksionojnë në mënyrë perfekte, shami për të lidhur sytë, materiale të ndryshme natyrore.
Çfarë mund të bëni së bashku: Nxitini fëmijët që të dalin në ambient të hapur, park ose pyll në kërkim të materialeve natyrore për kutitë e tyre. Para se të mbledhni sendet e tyre, sigurohuni që ato të jenë të sigurta për t'u prekur. Gjërat që do të funksionojnë mirë janë gjethet, guralecët e vegjël, guaskat, degëzat, boçe pishe, gështenja të egra, lulet dhe rëra.
Vendosni secilin nga artikujt që keni mbledhur në një kuti të veçantë, më pas rregulloni kutitë pranë njëra-tjetrës në tokë ose në një tryezë. Sa më shumë objekte/materiale të grumbulloni dhe sa më të ndryshme të jenë përbërjet dhe format e tyre, aq më mirë! Më pas, lojtarët mbyllin sytë me shami, dhe secili me radhë i merr objektet dhe i ndjen me duar- a mund t'i gjejnë fëmijët saktë objektet duke përdorur vetëm shqisën e tyre të prekjes?
Është më mirë që lojtarët të mos kenë parë asnjë nga materialet përpara se të luajnë. Megjithatë, nëse lojtarët i dinë objektet natyrore të përfshira - ose nëse lojtarët dëshirojnë të luajnë disa herë - ju gjithmonë mund t'i ri-organizoni kutitë. Pse mos të vendosni një kronometër dhe të shihni se kush mund t'i identifikojë artikujt më shpejt?!
Pasi secili lojtar të ketë nisur, shikoni nëse mund t'i hamendësojnë objektet duke prekur vetëm kutitë! A mund t'i kuptojnë ata materialet natyrore duke ngritur, tundur dhe dëgjuar atë që ka brenda në kuti?
Çfarë po mëson fëmija juaj: Ky aktivitet është një mënyrë e shkëlqyer për t'i emocionuar fëmijët për natyrën. Ndërsa prekin dhe ndiejnë të gjitha llojet e materialeve natyrore, ata do të vënë në provë shqisat e tyre dhe do të mësojnë për botën përreth tyre!