Le të shembim kalanë!

Materialet që ju nevojiten:  kuti të vogla; pjesë nga kartoni që mban zakonisht vezët kur i blejmë; jastëkë; disa kuti kosi bosh; blloqe druri.

Çfarë mund të bëni së bashku: Para se të fillojmë duhet të përgatisim hapësirën ku do të zhvillohet aktiviteti. Mund ta bëni në një dhomë të qetë të ulur në dysheme.

Uleni fëmijën tuaj në dysheme dhe vetë qëndroni përballë tij/saj, duke u siguruar që i keni afër jush objektet e zgjedhura. Duke përdorur këto materiale ndërtoni për fëmijën një kala dhe më pas thoni: "Shiko këtu, ne ndërtuam një kala!" 

Pastaj, shembni kalanë që ndërtuat, duartrokit dhe festo për veprimin që sapo bëre. Kështu, fëmija do ta kuptojë se kjo është një lojë. Kërkoji fëmijës që të marrë materialet dhe të ndërtojë një tjetër kala. 

Këtë herë, lëre fëmijën që ta rrëzojë vetë kalanë. Mund të duhet që herën e parë, t'i tërhiqni dorën dhe t'ia tregoni si mund ta bëjë. Përsëriteni lojën derisa fëmija të shfaqë lodhje dhe humbje interesi për të.

Sigurohuni që aktiviteti të mbetet i sigurt duke mos e ndërtuar kalanë shumë të lartë dhe përdorni vetëm materiale që nuk janë të rënda apo të dëmshme. Planifikoni që të ndërtoni të paktën 5 kala. 

Mund të ndodhë që fëmija të frikësohet nga zhurma e objekteve që bien, prandaj sugjerohet që të qeshni, të përdorni duartrokitje dhe të festoni çdo herë duke treguar qetësi dhe gëzim.

Çfarë po mëson fëmija juaj: Duke ndihmuar fëmijën tuaj për të bërë këtë aktivitet i ofroni atij/asaj një botë me mundësi të panumërta për të eksploruar objekte në mënyra të ndryshme dhe për të forcuar muskujt, për të zhvilluar koordinimin e lëvizjeve ndërsa ata ndërtojnë dhe shembin 'kalanë'.