Le të tundim kutinë!
Materiale që ju nevojiten: kutia e vezëve bosh (një kuti që mban 12 vezë do të funksionojë më mirë), dy topa shkume të vegjël të bardhë (ose kapse druri me ngjyra, kuba ndërtimi etj), stilolaps ose laps, një copë letër ose një bllok shënimesh për të mbajtur rezultatin.
Çfarë mund të bëni së bashku: Shkruani numrat nga një deri në dymbëdhjetë në pjesën e poshtme të çdo hapësire në kutinë e vezëve. Pastaj vendosni dy topat e vegjël brenda dhe mbyllni kutinë.
Lojtarët duhet të ulen në një rreth. Lojtari i parë merr kutinë e vezëve, e tund lehtësisht për disa sekonda pastaj e hap. Më pas, ai/ajo duhet të shikojë se çfarë numri kanë dy hapësirat ku janë pozicionuar topat nga tundja. Duke mbledhur dy numrat përkatës, ata kuptojnë rezultatin e tyre për këtë raund. Pasi të kenë llogaritur dhe regjistruar rezultatin e tyre, kalojnë kutinë tek lojtari pranë tyre.
Në këtë mënyrë, kutia kalon tek të gjithë lojtarët në rreth dhe lojtarët mbledhin pikët e tyre për çdo rast. Fituesi është lojtari i parë që arrin 100 pikë - ose cilido numër që mund të vendosni si limit!
Për të praktikuar tabelën e shumëzimit, nxitini fëmijët që në vend të mbledhjes, të shumëzojnë dy numrat për të parë rezultatin e tyre çdo raund. Ju lutemi mbani parasysh, që ky është një aktivitet argëtues dhe nuk ka qëllim primar testimin e njohurive.
Çfarë po mëson fëmija juaj: Kjo lojë e thjeshtë matematikore për fëmijët është një mënyrë argëtuese që ata të praktikojnë aftësitë e tyre. Për më tepër, loja kërkon pajisje minimale dhe mund të shijohet nga fëmijë të të gjitha moshave (duke u përshtatur në varësi të moshës së fëmijës)!