Libra, media dhe reklama - Perspektiva gjinore
Shumica e përmbajtjes në libra, media dhe reklamat për fëmijë duke përfshirë tekstet shkollore, përjetësojnë stereotipet dhe rolet diskriminuese gjinore. Për shembull, dëgjimi i përsëritur i tregimeve të princave që shpëtojnë princeshat, i nxit fëmijët të lidhin disa tipare me gjininë me të cilat identifikohen. Prandaj, në mënyrë të pavetëdijshme fëmijët fillojnë të modelojnë rolet, sjelljet dhe pritshmëritë e lidhura me gjininë e tyre në një moshë ku nuk janë ende në gjendje të përpunojnë informacionin në mënyrë kritike. Kjo çon në zhvillimin e paragjykimeve të nënkuptuara gjinore dhe në perjetimin e strukturës së pabarabartë të pushtetit brenda shoqërive. E njëjta çështje vërehet në media të të gjitha llojeve, duke përfshirë reklamat e synuara ndaj fëmijëve. Për më tepër, me përdorimin në rritje të mediave online nga fëmijët e vegjël, sfidat e abuzimit seksual online po rriten.
Këshilla për prindërit:
- Kërkoni në mënyrë aktive libra dhe media që janë neutrale në aspektin gjinor ose fuqizuese për të gjitha gjinitë dhe përfshirëse në përfaqësim; shmangni historitë tradicionale dhe stereotipike që inkurajojnë patriarkalitetin.
- Inkurajoni fëmijët të angazhohen me libra dhe media tradicionalisht të lidhura me gjininë e kundërt.
- Prindërit dhe kujdestarët duhet të modelojnë shprehi pozitive dhe të shëndetshme të përdorimit të teknologjisë dixhitale, ndërsa kufizojnë përdorimin nga fëmijët dhe mbeten vigjilentë ndaj shenjave të abuzimit online.
- Shkollat duhet të inkurajohen që të rishikojnë tekstet shkollore për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor dhe gjithëpërfshirës.