Lidhja e fortë emocionale me prindërit është vendimtare për zhvillimin e fëmijës
Nga këndvështrimi i foshnjës, siguria emocionale nënkupton perceptimin dhe përvojën që prindi, para së gjithash, i vëren dhe kupton nevojat e tij/saj, qofshin ato fiziologjike (ushqim, zgjim, gjumë, kujdes), emocionale ose sociale (nevoja për përkatësi, butësi, qetësim, rregullim/menaxhim të emocioneve, inkurajim, mbështetje, emërtimin e një situate të re, hulumtim dhe mësim, etj.). Më tej, për fëmijën, siguria emocionale nënkupton perceptimin dhe përvojën që prindi është i gatshëm dhe në gjendje t’i përgjigjet këtyre nevojave. Kjo është arsyeja pse lidhja emocionale që ndjen foshnja juaj është formuar nga gjërat që bëni së bashku, mënyra se si kaloni kohë me foshnjën tuaj dhe si ndihet foshnja me ju. Siguria emocionale zhvillohet kur ju vazhdimisht, ngrohtësisht dhe butësisht i përgjigjeni nevojave të foshnjës suaj. Prandaj, për lidhjen e fortë emocionale dhe zhvillimin e foshnjës, themelet më të hershme hedhen që nga një buzëqeshja, butësia, biseda me foshnjën, përqafimi, koha e veçantë e dedikuar për të luajtur dhe kënaqësia së bashku. Përderisa fëmija juaj rritet, ju do të njihni edhe mënyra të reja të lidhjes me të.
|