Loja me pantomime!

Materialet që ju nevojiten: stilolaps ose laps, letër, kronometër.  

Çfarë mund të bëni së bashku: Ndani pjesëtarët e grupit në dy skuadra. Jepini të gjithëve një letër për të shkruar një fjalë që më pas skuadra tjetër do duhet ta gjejë vetëm përmes aktrimit me veprime. Për fëmijët më të vegjël shkruani ju disa ide. Idetë mund të përfshijnë tituj librash, filmash ose këngësh, veprime ose fjalë dhe gjëra të përditshme. Pastaj vendosni të gjitha idetë nga Ekipi A në një kapele ose kuti ku Ekipi B mund të përzgjedhë letrën, dhe anasjelltas. 

Një person i zgjedhur nga Ekipi A merr një fjalë nga kutia dhe duhet ta tregojë përmes veprimeve dhe gjesteve pa folur, se për çfarë bëhet fjalë. Grupi tjetër duhet të gjejë fjalën ose frazën. Ata mund ta ndajnë fjalën në rrokje ose fjalinë në disa fjalë, dhe të përdorin gjeste dhe veprime, por nuk lejohet që të flasin. Për shembull, ju mund të bëni sikur po e ngisni makinën, dhe jo të bëni zhurmën e borisë.

Ju mund të vendosni një afat kohor për të gjetur fjalën, ose nëse ekipi dorëzohet, atëherë nuk fitohet asnjë pikë dhe është radha e ekipit B për të vazhduar. Për çdo mendim të saktë ekipi merr një pikë - dhe ekipi i parë që gjen saktë pesë fjalë fiton! Me fëmijët më të vegjël, ju mund t'i vendosni fjalët në një kuti dhe mund t'i bëni pantomimet për secilën prej tyre që fëmijët t'i gjejnë. Fëmija që gjen saktë fjalën, merr radhën për të vazhduar lojën.

A e dini se mimikat janë një nga format më të hershme të komunikimit? Para se të kishte një gjuhë të folur, njerëzit në kohët primitive përdornin gjestet për të komunikuar! 

Çfarë po mëson fëmija juaj: Loja me pantomime është një lojë klasike e përshtatshme për të gjitha moshat. Qëllimi i lojës është të përcjellë ide pa folur, duke zhvilluar aftësitë joverbale të komunikimit të fëmijëve, duke provokuar edhe të qeshura! Loja mund të përshtatet lehtësisht për mosha të ndryshme, pasi janë vetë fëmijët që zgjedhin fjalët që njohin dhe mund t'i bëjnë me pantomime. Kujt nuk i pëlqen pak konkurrencë miqësore?