Lojërat në këmbë - duke ecur
Materialet që ju nevojiten: Lodra, kuti të mëdha prej kartoni, top ose çorape të pastra të mbështjella sikur top
Çka mund të bëni së bashku: Nëse fëmija juaj tashmë mund të ngritët dhe qëndrojë në këmbë vet, vendosni lodrat në një divan ose tavolinë solide (që nuk rrëzohet), në mënyrë që fëmija të ngritët në këmbë pranë tyre, kështu duke praktikuar qëndrimin në këmbë dhe duke luajtur në të njëjtën kohë. Gjithashtu, gjeni ndonjë kuti të madhe ku fëmija juaj mund të zvarritet brenda saj dhe të dalë nga ajo. Për të shtuar interesin e fëmijës, mund ta vendosni lodrën e preferuar brenda në kuti. Qëndroni afër dhe flisni me fëmijën tuaj rreth asaj që ai/ajo po bën: ''U fute brenda! Tani dole jashtë!'' Mund të bëni sikur kutia është ''kamion'' dhe e shtyni dhe tërhiqni atë nëpër dhomë. Kjo gjë është shumë argëtuese për fëmijën, sidomos gjatë dimrit kur koha nuk është shumë e përshtatshme për të dalë jashtë.
Loja me top me fëmijën është një mënyrë tjetër për të inkurajuar ecjen. Hidhni topin duke e rrokullisur atë tek fëmija juaj. Ndihmoni fëmijën ta kthej topin duke e rrokullisur përsëri tek ju. Varësisht nga mosha e tij/saj, fëmija mund të jetë në gjendje ta hedhë topin, pra për këtë lojë më së shumti përshtatet një top i vogël i plazhit ose ndonjë top tjetër i butë.
Këto aktivitete mund t'i përdorni sa herë që keni kohë të lirë për të luajtur. Fëmija juaj do ju tregojë kur është i/e interesuar dhe motivuar të ecë; ju mbetet juve ta ndiqni dhe mbështesni.
Çfarë mëson fëmija juaj: Ky aktivitet e inkurajon fëmijën tuaj të ecë dhe të praktikojë ecjen, nëse e hidhni topin duke e rrokullisur para tij/saj.