Muzikë dhe lojë: tinguj muzikorë për foshnjat
Materialet që ju nevojiten: muzikë e lehtë, gjëra që prodhojnë tinguj të ndryshëm, rrake.
Çfarë mund të bëni së bashku: Mbajeni me kujdes foshnjën dhe tunduni butësisht duke ndjekur ritmin e muzikës (këndoni vetë ose vendosni muzikë në radio ose në telefon). Mund të lëvizni ngadalë nëpër dhomë me foshnjën në krahë. Ndërsa fëmija rritet, ai/ajo do të fillojë të identifikojë lloje të ndryshme të tingujve dhe ritmeve muzikore (zgjidhni muzikën që ju dhe familja juaj pëlqeni, duke përfshirë muzikë tradicionale, këngë për fëmijë etj).
Para se fëmija të flejë, mbajeni foshnjën dhe tundeni butësisht atë ndërsa këndoni një ninullë. Këndoji fëmijës (edhe nëse nuk mund të këndoni mirë nuk do ketë rëndësi për ta pasi fëmijët adhurojnë të dëgjojnë zërin tuaj!). Përsëritni këngët dhe ninullat për të qetësuar foshnjën. Ninullat tradicionale e lidhin atë me kulturën dhe komunitetin tuaj.
Një mënyrë tjetër për t'i prezantuar fëmijës tingujt është përdorimi i disa gjërave të përditshme shtëpiake që bëjnë zhurmë. Për shembull, lugët dhe filxhanët kanë forma interesante dhe mund të bëjnë tinguj interesantë kur përplasen lehtësisht në një tavolinë. Lëvizni me butësi dhe tundni disa lugë ose filxhanë në një distancë që foshnja juaj mund t'i arrijë me duart e tij/saj (ose me këmbët e tij/saj). Pastaj jepjani fëmijës që t'i mbajë, t'i studiojë dhe t'i tundë ato. Mund t'i përdorni për të krijuar një ritëm dhe melodi - shikoni foshnjën ndërsa ndjek tingullin.
Krijoni një melodi duke përdorur këmbanat, kapakët e enëve ose gotat. Jepi foshnjës nga një rrake që bën zhurmë për të mbajtur në secilën dorë. Përpiquni të kuptoni nëse i pëlqen më shumë njëri nga tingujt se tjetri.
Nëse foshnja juaj ka filluar të qëndrojë ulur vetë, uleni foshnjën të pozicionuar me gjunjët e tij/saj drejtuar nga ju. Ngrini gjunjët lart e poshtë nën ritmin e këngës ose të një muzike tjetër tradicionale. Këndoni dhe lëvizni duke ndjekur ritmin. Ndihmojeni foshnjën që t'ju bashkohet në këngë duke e ndihmuar edhe të duartrokasë.
Çfarë po mëson fëmija juaj: Ky aktivitet është për të gjitha rastet, sidomos kur muzika e gëzon ose e qetëson fëmijën tuaj! Dëgjimi i një kënge nga një zë i njohur e ndihmon foshnjën të mësojë dhe të dëgjojë.