Një fëmijë po mbytet - çfarë duhet të bëni?

Simptomat varen nga natyra e trupit të huaj dhe vendi ku ai ka ngecur në rrugët e frymëmarrjes. Kur një trup i huaj hyn në rrugët e frymëmarrjes, mund të ndodhë një skenë dramatike: frymëmarrja befas bëhet e vështirë, fëmija po mbytet, fillon të kollitet dhe të skuqet. Përderisa fëmija kollitet dhe merr frymë, ai/ajo nuk është në rrezik të menjëhershëm për vdekje. Sidoqoftë, nëse kollitja bëhet më e dobët, frymëmarrja është e vështirë, me gulçim, fytyra bëhet blu dhe fëmija humbet vetëdijen, atëherë trupi i huaj ka bllokuar plotësisht rrugët e frymëmarrjes.
Body

Inkurajoni fëmijën tuaj të kollitet së pari!

Kolla spontane është mënyra më e mirë për të hequr trupat e huaja nga trakti i sipërm respirator. Nëse fëmija nuk është në gjendje të kollitet, nëse nuk merr frymë, hiqeni menjëherë trupin e huaj nga rrugët e frymëmarrjes së fëmijës dhe filloni frymemarrjen .

KUJDES! Një trup i huaj mund të tërhiqet  me gishta vetëm nëse është i arritshëm dhe i dukshëm!

Për të hequr një trup të huaj përdoren dy teknika: a) shuplaka në shpinë ose presion në gjoks, dhe b) manovra e Heimlich.

Shuplaka në shpinë dhe presion në gjoks

Ato mund të kryhen në disa mënyra, në varësi të moshës së fëmijës:

  • Mbajeni foshnjën në parakrahun tuaj, të kthyer "përmbys" dhe të drejtuar me fyrë nga dyshemeja. Mbajeni kokën e tij/saj me dorën e krahut mbi të cilën mbështetet fëmija. Me krahun tjetër, me shputën e dorës, godisni foshnjën me forcë të moderuar 5 herë në zonën midis shpatullave.
  • Pastaj kthejeni fëmijën me shpinë dhe mbështeteni atë me parakrahun tuaj. Mbajeni kokën e fëmijës me dorën e atij krahu dhe mbajeni kokën pak më ulët se trupi. Në mënyrë të ngjashme me masazhin e zemrës, shtypni dërrasën e kraharorit 5 herë rresht, por më fort dhe më ngadalë sesa gjatë masazhit të zemrës (një presion duhet të zgjasë 3 sekonda). Nëse trupi i huaj bëhet i dukshëm pas këtyre procedurave, hiqeni atë.

Për një fëmijë të vogël, kryeni këtë procedurë ulur në një karrige: 

Vendoseni fëmijën në gjunjë, përballë dyshemesë dhe mbajeni kokën më ulët se pjesët e tjera të trupit. Me shputën e dorës tuaj, goditeni atë 5 herë fort në zonën midis shpatullave. 

Për një fëmijë më të rritur, kryeni procedurën në pozicion në këmbë:

Thuajini fëmijës të kollitet me gjithë forcën e tij/saj. Përkuleni atë/saj përpara dhe goditeni midis shpatullave 5 herë me shputën  e dorës tuaj. Nëse kjo nuk ju ndihmon ose shfaqen simptoma më të rënda, vendosni të dy krahët tuaj rreth gjoksit të tij/saj, vendosni duart në pjesën e poshtme të dërrasës së kraharorit dhe shtypeni atë deri në 5 herë.

Manovra klasike Heimlich kryhet tek fëmijët më të rritur se një vjeç: 

Teknikat për kryerjen e kësaj procedure ndryshojnë në varësi të pozicionit të fëmijës.

  • Nëse fëmija qëndron në këmbë ose ulur, afrojuni atij nga prapa dhe vendosni të dy krahët tuaja rreth gjoksit të fëmijës, nën sqetull. Vendoseni njërën dorë, të shtrënguar në një grusht, në mes të barkut, pak mbi kërthizë, dhe vendoseni dorën tjetër rreth grushtit të shtrënguar. Pastaj shtypni lart 5 herë rresht, duke pasur kujdes që të mos shtypni majën e kraharorit dhe skajin e poshtëm të brinjëve. Merrni pozicionin që ju përshtatet më shumë - mund ta ngrini fëmijën, të gjunjëzoheni pas tij ose ta vendosni fëmijën në një karrige.
  • Nëse fëmija është shtrirë (pa ndjenja), procedura Heimlich kryhet si më poshtë: fëmija vihet të shtrihet në shpinë, dhe koka drejtohet, në mënyrë që fytyra të ngrihet lart. Shtrëngoni këmbët e fëmijës, vendosni shputën e njërës dorë në mes të barkut të tij/saj (mbi kërthizë, nën majë të dërrasës së kraharorit), vendoseni dorën tjetër mbi të parën dhe shtypni lart 5 herë me radhë. Nëse trupi i huaj bëhet i dukshëm pas këtyre procedurave, hiqeni atë dhe vazhdoni me frymëmarrje artificiale. Nëse frymëmarrja artificiale nuk çon në ngritjen e gjoksit, përsëritni të njëjtën procedurë për të nxjerrë objektin e huaj ose përdorni një procedurë tjetër.

Në rast të një pengese të rëndë, ku nuk jeni në gjendje të nxirrni trupin e huaj me shuplaka në shpinë ose procedurën Heimlich, filloni menjëherë masazhin  kardiopulmonar, pa vonesë! Aplikoni 5 frymëmarrje testuese, dhe nëse kalimi i ajrit është ende i bllokuar, vazhdoni me masazhin kardio-pulmonar vetëm duke shtypur në gjoks. Thërritni shërbimin e urgjencës mjekësore një minutë ose dy pas fillimit të masazhit kardio-pulmonar!

Çfarë nuk duhet bërë

Mos u përpiqni të hiqni një trup të huaj nga goja e fëmijës nëse objekti nuk mund të shihet! Ekziston një rrezik serioz për ta shtyrë objektin edhe më thellë në trake dhe kështu përkeqësoni gjendjen e fëmijës.