Të bëhesh baba: përshtatja me atësinë

Përvetësimi e përvojës praktike është mënyra më e mirë për t’i ndërtuar aftësitë dhe besimin tuaj si një baba i ri. Ndryshimet në marrëdhënie janë normale. Biseda me partnerin tuaj është mënyra më e mirë për t’i trajtuar këto ndryshime dhe për t’u kujdesur për marrëdhënien tuaj. Puna ekipore e prindërve është e dobishme edhe për ju edhe për foshnjën. Ka të bëjë me komunikimin, vendimmarrjen e përbashkët dhe zgjidhjen e problemeve pozitive. Ju dhe partneri juaj mund të keni nevojë t’i shqyrtoni rolet tuaja brenda dhe jashtë shtëpisë.
Body

Baballarët e rinj: përfshirja me të porsalindurin tuaj

Ju mund të ndiheni të tronditur në fillim, por baballarët e rinj janë të pajisur plotësisht me rolin e atësisë. Baballarët janë po aq të mirë sa nënat në njohjen dhe përgjigjen ndaj nevojave të të porsalindurve të tyre. Ata janë po aq të aftë të kujdesen për fëmijët më të mëdhenj.

Në fakt, kur kujdeseni për fëmijën tuaj, ju e bëni këtë në mënyra që vetëm një baba mund ta bëjë. Ju ndoshta jeni prindër në një mënyrë të ndryshme nga partneri juaj, dhe përshtatja me stilet e ndryshme të prindërimit e ndihmon fëmijën tuaj ta mësojë aftësitë shoqërore.

Këtu janë dhënë disa këshilla për t’u përfshirë me fëmijën tuaj.

Provoni gjithçka
Veshjen, qetësimin, lojën, larjen dhe ndërrimin e pelenat - të gjitha këto janë mënyra të shkëlqyera për t’u ndërlidhur me fëmijën tuaj. Aftësitë e prindërimit janë pjesërisht një çështje praktike - sa më shumë përvojë praktike që përfitoni,  aq më të mirë dhe më të sigurt bëheni.

Vazhdoni të provoni
Rezistoni dëshirën për t’ia dorëzuar foshnjën nënës, kur gjërat kërkojnë qasje më ndryshe. Koha e kaluar një me një me fëmijën tuaj, do t’ua shtojë besimin dhe aftësitë tuaja.

Kaloni kohë një me një me fëmijën tuaj
Kjo është një pjesë vërtet e rëndësishme e zhvillimit të një lidhjeje të fortë dhe të qëndrueshme. Gjithashtu është mirë për partnerin tuaj, e cila do të ketë mundësi një për pushim, që i nevojitet aq shumë.

Tregoni dashurinë tuaj
Kur i tregoni dashuri foshnjës tuaj dhe i përgjigjeni sinjaleve të fëmijës suaj, një hormon natyral i quajtur oksitocinë lëshohet në trurin e foshnjës tuaj. Ky hormon e bën fëmijën tuaj të ndihet mirë. Ai gjithashtu krijon lidhje midis qelizave nervore, duke e stimuluar zhvillimin e trurit.

Ju gjithashtu mund t’i imitoni shprehjet e fytyrës së foshnjës tuaj - vrenjtje, nxjerrjen e gjuhës, tinguj dhe buzëqeshje. E gjithë kjo ndihmon në lidhjen dhe përafrimin mes jush dhe foshnjës tuaj.

Flisni me foshnjën tuaj
Derisa kujdeseni për fëmijën tuaj, përpiquni të flisni me fëmijën tuaj për atë që po bëni. Për shembull, “Le të vishemi tani – këtë e vesh përmbi”. Përdorimi i një zëri të ngrohtë dhe muzikal i ndihmon të porsalindurit tuaj të ndihen të kënaqur dhe të mbrojtur.

Biseda është si ushqimi i trurit për foshnjat. Që nga lindja e tyre i ndihmon ata të ndërtojnë aftësi gjuhësore dhe komunikuese. Nuk ka nevojë që foshnjat t’i kuptojnë fjalë, që të përfitojnë nga të folurit.

Ndani kohë për lojë
Luajtja me të porsalindurin tuaj nuk ka të bëjë me lojërat dhe lodrat - ka të bëjë me ndërveprimet midis jush dhe foshnjës tuaj. Këtu janë dhënë disa ide:

  • Mundësoni fëmijës tuaj të kalojë çdo ditë kohë dukë qëndruar në bark. Kjo e ndihmon zhvillimin e muskujve dhe trurit të foshnjës tuaj. Nëse foshnjës suaj nuk i pëlqen, thjesht provojeni për një kohë të shkurtër.  (Mos harroni se fëmija duhet të flejë në shpinë, e jo në bark.)
  • Luani me fjalë, këngë, vjersha dhe tregime për t’i ndërtuar aftësitë gjuhësore dhe të kujtesës. Filloni me disa sosh, që i keni më të preferuara, të cilat i keni dëgjuar si fëmijë.  
  • Provoni me lojën kukafshehthi. Loja e thjeshtë si kjo e ndërton marrëdhënien tuaj dhe gjithashtu i hedh themelet për gjuhën, mendimin, aftësitë motorike dhe zhvillimin shoqëror dhe emocional të foshnjës tuaj.

Nivelet e larta të përfshirjes së babait ndërlidhen me aftësitë më të mira shoqërore dhe akademike të fëmijëve të tyre. Në fakt, kurrë nuk është vonë për t’u përfshirë!

Kujdesi për marrëdhënien tuaj

Shumica e çifteve vërejnë ndryshime në marrëdhënie pasi lind fëmija i tyre. Në fillim, është shumë emocionuese dhe çiftet shpesh ndihen më afër. Por pas rreth një muaji, çiftet shpesh fillojnë të ndihen më të lodhur, të stresuar dhe të mbingarkuar nga kërkesat për kujdesin e fëmijëve dhe punët e shtëpisë.

Ndonjëherë, ata zbulojnë se kanë ide të ndryshme për jetën familjare ose prindërimin.

Biseda me partnerin tuaj është mënyra më e mirë për t’u marrë me këto ndryshime dhe për t’u kujdesur për marrëdhënien tuaj. Lexoni artikuj të tjerë se si ta përballoni stresin dhe si të relaksoheni.

Deri në 15% të grave dhe 10% të burrave zhvillojnë depresion postnatal (DPN). Lexoni më shumë për DPN te gratë, te burrat. Nëse mendoni se ju ose partneri juaj po përjetoni DPN, vizitoni një profesionist shëndetësor sa më shpejt të jetë e mundur.  

Kuptimi i ndryshimit të marrëdhënies tuaj seksuale

Ardhja e foshnjës mund ta ndryshojë marrëdhënien tuaj seksuale me partnerin tuaj. Si ju ashtu edhe partneri juaj mund të dëshironi të ndiheni përsëri të afërt. Por marrëdhënia seksuale ndonjëherë mund të jetë e vështirë për shkak të lodhjes, ndryshimeve fizike pas lindjes, ndryshimeve në mënyrën se si partneri juaj ndihet seksualisht ose depresionit pas lindjes (DPN).

Shumica e çifteve e kthejnë marrëdhënien e tyre seksuale në rrugën e duhur. Këtu janë disa gjëra që mund ta ndihmojnë këtë së bashku:

  • Bëhuni të durueshëm. Ju të dy po kaloni ndryshime të mëdha. Është e rëndësishme të jeni pranë partnerit tuaj dhe të përpiqeni t’i kuptoni ndjenjat e partnerit. Shpesh, çiftet këshillohen të presin deri në kontrollin gjashtë javor pas lindjes, para se të bëjnë përsëri seks. Gjithkush është i ndryshëm, megjithatë, dhe disa nëna mund të kenë nevojë të presin më gjatë.
  • Gjeni mënyra të tjera për të qenë intim. Provoni ta tregoni dashurinë tuaj me puthje ose përqafime shtesë, duke mbajtur duart, duke bërë masazhe ose duke bërë një banjë së bashku. Edhe një prekje e shkurtër kur kaloni pranë njëri-tjetrit në kuzhinë ose merrni gjëra nga makina mund t’jua kujtojë lidhjen tuaj.
  • Ndani ngarkesën. Kur përfshiheni me kujdesin për foshnjën ose bëni punë shtesë në shtëpi, kjo i jep partnerit tuaj më shumë kohë për t’u shëruar.

Këto mund të jenë çështje të vështira për të folur. Nëse e keni të vështirë, mund të dëshironi ta vizitoni së bashku një këshilltar.

Prindërimi si ekip

Prindërimi si ekip do të thotë të punosh drejt vlerave të përbashkëta të prindërimit, të marrësh vendime së bashku, të zgjidhësh problemet në mënyrë konstruktive dhe të zgjidhësh konfliktet me qetësi.

Puna ekipore e prindërve ka disa përfitime:

  • Kur së bashku, ju dhe partneri juaj përballeni me sfidat dhe shpërblimet e prindërimit, atëherë jeni më të fortë dhe më të pajisur për të marrë vendime të vështira.
  • Fëmijët mësojnë se si të sillen, duke parë mënyrën se si bashkëveproni me njëri-tjetrin. Kur përballeni me sfida, zgjidhni probleme dhe i trajtoni konfliktet në mënyra pozitive dhe bashkëpunuese, ju në fakt modeloni sjellje të mirë.
  • Kur fëmija juaj ju sheh ose ndjen se po flisni dhe punoni mirë së bashku, ai/ajo ndihet i sigurt dhe i rehatshëm. Kjo mund të nënkuptojë që fëmija juaj do të qajë më pak.

Në ditët e para, çelësi është të ngelni pozitivë dhe ta mbështesni njëri-tjetrin, derisa mësoni prindërimin së bashku. Në këtë drejtim mund të ndihmojnë këto këshilla:

  • Dëgjoni interesat dhe shqetësimet e partnerit tuaj. Nënat shpesh thonë se e vlerësojnë mundësinë për të ndarë atë që po ndodh me dikë që kujdeset vërtet, qoftë për të mirë ose për të keqe.
  • Bëhuni gati të ndërhyni kur të keni nevojë, në mënyrë që partneri juaj të bëjë një pushim.
  • Mbështeteni njëri-tjetrin para fëmijëve tuaj dhe diskutoni mosmarrëveshjet kur fëmijët nuk janë pranë.
  • Mbani këshilla të padëshiruara për veten tuaj - ndonjëherë partneri juaj thjesht do të dëshirojë të lirojë stresin, duke folur me një dëgjues të kujdesshëm.
  • Bëni një kohë të rregullt për t’i ndarë idetë në lidhje me trajtimin e problemeve.  Mënyrë ideale për ta bërë këtë, është kohë kur jeni të pushuar dhe të relaksuar.

Për më shumë informacione, lexoni rëndësinë e punës në grup, mbështetjen e njëri-tjetrit, menaxhimin e konfliktit dhe zgjidhjen e problemeve së bashku.

Shtejllimi i roleve të reja si prindër

Është e rëndësishme që çiftet t’i diskutojnë rolet e tyre si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë. Për shembull, nëse një baba dëshiron të përfshihet më për së afërmi me fëmijët e tij, ai mund të jetë i pakënaqur, pasi punon me orë të gjata çdo ditë të javës. Në mënyrë të ngjashme, nuk është e shëndetshme që nënë të jetë në shtëpi me orar të plotë, nëse puna e saj është e rëndësishme për të dhe ajo është e pakënaqur nëse nuk punon.

Këtu janë dhënë disa pika fillestare për të folur:

  • Çfarë duhet bërë? Bëni një listë të kërkesave të familjes suaj, pavarësisht nëse kujdeseni për foshnjën, bëni pazar dhe dërgoni rrobat për t’i larë, gatuani, lani enët ose fitoni para. Kjo do t'ju japë një pikënisje për të planifikuar se kush mund të bëjë çfarë.
  • Sa dëshironi ose keni nevojë të punoni secili prej jush? Mundohuni t’i shikoni faktet si kush fiton më shumë, si dhe ndjenjat për qëndrimin në shtëpi me fëmijën tuaj.
  • Sa para ju duhen? Hartimi i një buxheti familjar mund t’ju ndihmojë të vendosni nëse njëri ose të dy prej juve mund të përballoni t’i shkurtoni orët e punës për të kaluar më shumë kohë në shtëpi, nëse kjo është ajo që dëshironi ta bëni.
  • Puna e kujt është më fleksibël? Ju mund të gjeni se një punëdhënës është më miqësor ndaj familjes se tjetri. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh kur ktheheni në punë.
  • Çfarë do t’ju bëjë të lumtur? Nuk ka rëndësi se kush i merr rolet në familje, përderisa ju të dy ndiheni të lumtur dhe të përmbushur.

Lexoni më shumë rreth ekuilibrit punë-familje për baballarët dhe zbuloni se si funksionojnë familjet e forta.