Dhimbjet në rritje
Rreth dhimbjeve në rritje tek fëmijët dhe adoleshentët
Dhimbjet në rritje janë shumë të zakonshme, veçanërisht gjatë viteve të shkollës fillore.
Nuk dihet saktësisht se çfarë i shkakton dhimbjet në rritje - por nuk shkaktohen nga rritja!
Tek shumica e fëmijëve me dhimbje në rritje, nuk është e qartë se çfarë i shkakton ato dhimbje.
Një teori ekziston se këto dhimbje lidhen me ushtrimet fizike, por ky nuk është gjithmonë shkaku i vërtetë.
Disa fëmijë me dhimbje në rritje gjithashtu mund të kenë dhimbje stomaku dhe dhimbje koke. Për këta fëmijë, dhimbjet në rritje mund të lidhen me stresin ose ankthin.
Simptomat e dhimbjeve në rritje
Nëse fëmija juaj ka dhimbje në rritje, ai/ajo mund të thotë se ka ndjenjë të irritimit ose djegies në të dy këmbët - në muskujt e kofshëve, pulpave ose këmbëve. Dhimbjet gjithashtu mund të ndodhin në krahë ose pjesë të tjera të trupit, edhe pse kjo është shumë më pak e zakonshme.
Dhimbjet në rritje zakonisht ndodhin gjatë natës dhe ndonjëherë mund ta zgjojnë fëmijën tuaj nga gjumi. Ato janë gjithashtu të zakonshme gjatë ditës, por rrallë janë aq të këqija sa të pengojnë aktivitetin e përditshëm.
Tek shumica e fëmijëve, dhimbja ose shqetësimi shfaqet dhe ndalon. Është e vështirë të dihet se kur do të ndodhin dhimbjet në rritje.
Një fëmijë me dhimbje në rritje zakonisht ju lejon të masazhoni zonën ku ka dhimbje. Kjo mund t'ju ndihmojë të hetoni dallimin midis dhimbjeve në rritje dhe ndonjë gjendjeje më serioze. Fëmijët, dhimbjet e këmbëve të të cilëve kanë një shkak më serioz, zakonisht nuk do të lejojnë askënd të prekë zonën ku ka dhimbje.
A ka nevojë fëmija juaj për të vizituar mjekun për dhimbjet në rritje?
Po. Nuk mund ta dalloni nëse dhimbja vjen nga dhimbja në rritje ose nga ndonjë sëmundje më serioze siç është infeksioni, inflamacioni ose në raste të rralla tumori i kockave ose muskujve.
Prandaj, nëse dhimbja nuk largohet shpejt, duhet ta çoni fëmijën tuaj te doktori për t'u siguruar që nuk ka ndonjë gjendje serioze.
Është veçanërisht e rëndësishme të çoni fëmijën tuaj te mjeku kur:
- dhimbjet janë shumë të këqija dhe nuk largohen
- fëmija juaj çalon
- pjesa e dhimbshme e trupit është e butë, ndihet e nxehtë ose është e fryrë.
Testet për dhimbjet në rritje
Me raste mjeku mund të urdhërojë të bëni rentgen ose test (analiza) gjaku për t'u siguruar që nuk ka ndonjë shkak tjetër për dhimbjen, si ndonjë frakturë ose inflamacion.
Trajtimi për dhimbjet në rritje
Nuk ka ndonjë trajtim specifik për dhimbjet në rritje. Fëmija juaj ka nevojë vetëm që t’i thoni që dhimbjet nuk janë serioze dhe do të largohen.
Masazhimi ose vendosja e ndonjë qeseje të nxehtë mbi zonën e prekur mund të ndihmojë. Zgjatja e muskujve para se të shkoni në shtrat gjithashtu mund të ndihmojë. Herë pas here mjeku mund t’ju sugjerojë që t’i jepni fëmijës suaj ndonjë lehtësim të lehtë të dhimbjeve si p.sh. paracetamol.
Nuk ka nevojë t'i ndaloni fëmijës ushtrimet fizike.
Dhimbjet në rritje zakonisht zgjidhen me kalimin e kohës.
Parandalimi i dhimbjeve në rritje
Nuk mund të bëni asgjë për t'i parandaluar dhimbjet në rritje.