Dhimbja e kokës
Shkaqet e dhimbjes së kokës
Tek fëmijët, dhimbjet e kokës mund të shkaktohen nga:
- sëmundjet infektive - për shembull, sinusiti, ftohja ose gripi
- muskujt e tendosur si pasojë e ankthit, lodhjes ose kërcitjes së dhëmbëve gjatë gjumit
- probleme të të pamurit - për shembull, lodhja e syve
- dëmtimet e kokës
- migrena
- medikamentet - për shembull, kontraceptivët oralë, kortikosteroidet dhe antidepresantët.
Fëmijët më të rinj, në krahasim me të rriturit, priren të kenë më pak tendosje të muskujve dhe migrenë, megjithëse këto probleme janë shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së kokës tek adoleshentët.
Mos pirja e lëngjeve në sasi të duhur, pagjumësia dhe niveli i lartë i kafeinës mund të shkaktojnë dhimbje koke ose t'i përkeqësojnë ato. Diçka e tillë paraqitet veçanërisht tek fëmijët aktivë të moshës shkollore në muajt e verës.
Dhimbjet e kokës gjithashtu mund të ndërlidhen me meningjitin, tumoret e trurit ose gjakderdhjen në tru, por sëmundjet e tilla janë të rralla.
Simptomat e dhimbjes së kokës
Dhimbja e kokës në disa raste është e lehtë saqë fëmijët vazhdojnë me aktivitetet e tyre normale. Por, ndonjëherë dhimbja e kokës mund t'i bëjë fëmijët të ndihet vërtet të sëmurë – fëmija juaj mund të ketë nevojë edhe të shtrihet e të pushojë.
Dhimbjet e kokës mund të jetë të forta ose të lehta, në njërën anë të kokës ose në të gjithë kokën dhe qafën. Dhimbja e kokës mund të përjetohet si ndjesi e goditjes ose thjesht si shtrëngim i muskujve.
Migrena tek fëmijët e vegjël dhe adoleshentët mund të ketë simptoma si dhimbje e përsëritur në njërën ose në të dyja anët, të përziera dhe të vjella, dhimbje barku dhe ndonjëherë si një lloj “aura” përpara se të fillojë dhimbja e kokës.
Aura e migrenës ndikon shikimin ose dëgjimin. Fëmija juaj mund të shohë drita të lëkundura rreth objekteve ose të ketë ushtimë në veshë. Ai/ajo gjithashtu mund të mos i pëlqejë dritat e forta dhe zhurmat e larta ose mund të dëshirojë të flejë pavarësisht kohës së ditës.
Në cilat raste duhet të vizitoni mjekun lidhur me dhimbjet e kokës
Fëmijën tuaj duhet ta çoni te mjeku menjëherë nëse ai/ajo:
- zgjohet nga gjumi me dhimbje koke
- përveç dhimbjes së kokës ka edhe të përziera dhe të vjella
- i paraqiten dhimbje koke të papritura dhe të forta ku dhimbjet më të mëdha janë pas zgjimit nga gjumi dhe që vijnë me të përziera ose të vjella
- ka dhimbje koke që përsëritet
- ka dhimbje koke që fillon t'i pengojë jetën në shtëpi, shkollë apo edhe jetën sociale
- nuk ka përmirësime me trajtimet e përshkruara më poshtë.
Fëmija juaj gjithashtu duhet të vizitojë menjëherë mjekun nëse ka dhimbje koke dhe ndonjë nga simptomat e mëposhtme:
- temperaturë të lartë
- konvulsione
- konfuzion ose përgjumje
- shikim të turbullt
- paqëndrueshmëri gjatë ecjes
- qafë të tendosur
- lëndime të kokës duke përfshirë tronditjet
- skuqje të pazakontë.
Testet lidhur me dhimbjen e kokës
Dhimbjet e zakonshme të kokës kryesisht nuk kërkojnë teste të veçanta ose specifike. Mjeku juaj, në shumicën e rasteve, do të jetë në gjendje të bëjë diagnozë pas bisedës me ju dhe fëmijën tuaj si dhe pas një ekzaminim fizik që përfshin ekzaminimin e nervave, muskujve dhe syve të fëmijës suaj.
Nëse mjeku shqetësohet se dhimbja e kokës e fëmijës suaj mund të ketë shkak më serioz, mjeku mund ta referojë fëmijën tuaj për ekzaminim të syve ose te neurologu pediatrik. Shumë rrallë, fëmija juaj mund të ketë nevojë për skanim CT ose skanim MRI.
Trajtimi i dhimbjes së kokës
Trajtimi për dhimbje koke të pa komplikuar zakonisht përfshin qetësimin e fëmijës suaj - për shembull, shtrirja e tij/saj në një dhomë të errët.
Mund të provoni t'i bëni masazh zonës së ndikuar nga shtrëngimi i muskujve.
Shumë shpesh, shpërqendrimi i fëmijës tuaj me një lojë të qetë do ta largojë vëmendjen e tij/saj nga dhimbja.
Nëse dhimbja vazhdon, mund t'i jepni paracetamol ose ibuprofen sipas udhëzimeve. Fëmija juaj nuk duhet të marrë shumë shpesh ilaçe kundër dhimbjeve. Nëse ndodh diçka e tillë atëherë duhet të flisni me mjekun tuaj.
Nëse duket se dhimbja e kokës e fëmijës suaj është e lidhur me stresin, përpiquni të kuptoni se çfarë është duke i shkaktuar stres fëmijës tuaj. Më pastaj, ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj t'i shmangë gjërat që e bëjnë të ndihet i/e stresuar.
Nëse fëmija juaj ka migrenë që përsëritet vazhdimisht, mjeku juaj mund të rekomandojë plan për të parandaluar dhe trajtuar dhimbjet e kokës nga migrena.