Seksi dhe intimiteti pas lindjes së një fëmije

Lindja e një fëmije dhe procesi i prindërimit, ka të ngjarë të ndryshojë llojin, marrëdhënien seksuale që keni dhe shpeshtësinë e tyre. Për gratë, interesi për raportin seksual mund të rikthehet në një periudhë prej 1 deri në 3 muaj pas lindjes së fëmijës, por është normale që të zgjasë edhe më shumë. Nëse mjeku juaj nuk ju ka këshilluar ndryshe, ju mund të keni raport seksual kurdo që të ndiheni gati. Flisni së bashku me partnerin për mënyrën se si ndiheni të dy, në mënyrë që të kuptoni se çfarë po ndodh me marrëdhënien tuaj.
Body

Seksi pas lindjes: si mund të ndryshojë marrëdhënia juaj seksuale

Jeta seksuale dhe ajo intime shpesh vështirësohet për prindërit e rinj - më pak kohë për të qendruar së bashku, më shumë lodhje, ndryshime hormonale dhe kujdes ndaj një shtatzanie tjetër, mund ta ndërlikojë këtë situatë.

Nëse ju dhe partneri juaj jeni ftohur në marrëdhëiet seksuale, nuk është problem. Por nëse ju dhe partneri juaj keni nivele të ndryshme të dëshirës seksuale, kjo mund të shtojë njëfarë stresi në marrëdhënien tuaj.

Në pjesën më të madhe të marrëdhënieve, gjërat kthehen në rrugën e duhur, por është e rëndësishme të jeni të durueshëm. Nëse jeni të shqetësuar se jeta juaj seksuale nuk është në rrugën e duhur, bisedoni me mjekun tuaj.

Gratë: ndjenjat tuaja seksuale pas lindjes

Pas lindjes, mund të ndiheni sikur nuk do të keni më kurrë marrëdhënie seksuale. Por ju do ta merrni veten dhe interesi juaj për aktin seksual do të rikthehet. Për shumë gra, kjo ndodh brenda 1 deri në 3 muaj nga lindja e foshnjës, por është normale që, në disa raste, të zgjasë më shumë.

Disa nëna zbulojnë se ndihen sensuale kur ushqejnë fëmijën me gji. Kjo është pjesërisht për shkak të hormonit oksitocinë, i cili çlirohet gjatë prodhimit të qumështit dhe është i njohur për ndikimin në zgjimin e ndjesive seksuale. Kjo është krejtësisht normale.

Është gjithashtu normale që nënat që ushqejnë foshnjat me gji të zbulojnë se kanë më pak interes për kontaktin seksual gjatë kësaj periudhe.

Marrëdhënia seksuale pas lindjes

Do të keni pësëri marrëdhënie seksuale pas lindjes kur të jeni gati (nëse mjeku juaj nuk ju ka këshilluar ndryshe).

Nëse keni pasur një lindje të vështirë ose qepje, trupi juaj do të ketë nevojë për ta rimarrë veten. Shumë nëna të reja ndiejnë dhimbje ose kanë shumë siklet gjatë aktit seksual, por kjo zakonisht përmirësohet me kalimin e kohës. Përdorimi i një kremi lubrifikant ose i estrogjenit mund ta kthejë raportin seksual në gjendje të pëlqyeshme. Ndonjëherë mund të keni siklet për shkak të spazmave muskulore ose  prej ankthit.

Nga ana tjetër, disa nëna të reja dhe partnerët e tyre zbulojnë se seksi është më pak i kënaqshëm sepse muskujt janë shumë më të lirshëm pasi janë çtendosur gjatë procesit të lindjes. Muskujt do të fitojnë përsëri tonifikimin e tyre dhe ushtrimet e legenit mund të ndihmojnë që rikuperimi të ndodhë në një kohë më të shkurtër.

Ushqyerja me gji mund të shkaktojë tharje vaginale dhe përdorimi i një lubrifikanti mund t’ju vijë në ndihmë. Nëse jeni duke ushqyer me gji, mund të zbuloni se qumështi mund të rrjedhë nga gjinjtë tuaj gjatë seksit. Provoni ta ushqeni fëmijën tuaj, ose ta shtrydhni gjoksin para se të keni kontakt seksual.

Trupi juaj gjatë shtatzanisë dhe pas lindjes mund të mos ketë të njëjtën formë si më parë. Pjesë të trupit tuaj si gjinjtë, barku ose këmbët mund të kenë ndryshuar shumë. Këto ndryshime mund të ndikojnë në mënyrën se si ndiheni me veten, përfshirë edhe atë se sa ndjellëse ndiheni. Nëse e keni të vështirë të pranoni ndryshimet, bisedoni me mjekun tuaj, maminë ose një instruktor palestre.

Kujdesi ndaj një shtatzanie të re pas lindjes së fëmijës

Si prindër të rinj, mund të mos jeni ende gati për të pasur një fëmijë tjetër, ndaj është një ide e mirë të mendoni për t’u ruajtur para se të filloni sërish marrëdhënien tuaj seksuale. Mjeku ose mamia juaj, zakonisht do të flasin për kontraceptivët në kontrollin pas gjashtë javëve për nënën dhe foshnjën. Nëse ju dhe partneri juaj dëshironi të keni marrëdhënie të sigurta seksuale, bisedoni me mjekun tuaj për kontraceptivët që mund të përdorni.

Disa nëna janë shumë pjellore, ose fillojnë të ovulojnë, edhe para se të kenë perioda. Kjo rrit shanset e tyre për të mbetur shtatzëna nëse kryejnë marrëdhënie seksuale pa përdorur kontraceptivë.

Ndoshta ju është thënë se ushqyerja me gji e bën më pak të mundshme që të mbeteni shtatzënë. Kjo mund të ndodhë në rastet kur një nënë e re:

·         Ushqen me gji ditë dhe natë foshnjën e saj,

  • Nuk i jep foshnjës së saj ushqim tjetër (përveç qumështit të gjirit),
  • Ka një fëmijë nën moshën gjashtë muajsh,
  • Nuk ka pasur perioda pas lindjes.

Por mbani parasysh se nuk ka garanci. Ju ende mund të mbeteni shtatzënë nëse keni raport seksual të pambrojtur.

Është mirë të flisni me mjekun tuaj, maminë e fëmijës dhe të familjes ose me klinikën e planifikimit familjar për mundësitë tuaja të ruajtjes nga shtatzania, por disa prej tyre mund të mos jenë të përshtatshme për nënat që ushqejnë foshnjat me gji.

Ndjenjat tuaja dhe të partnerit tuaj për aktin seksual

Ju mund të ndiheni të hutuar ose të shqetësuar nëse nuk shfaqni nteres për marrëdhënie seksuale në muajt e parë pas lindjes së fëmijës suaj. Partneri juaj mund të ndihet i refuzuar ose i padëshiruar.

Këto ndjenja të përziera dhe konfuze nuk janë shumë argëtuese, por janë normale. Shumë njerëz i kalojnë ato në ditët, muajt dhe vitet e para të krijimit të një familje – pra, nuk jeni vetëm.

Ndihem sikur jam vetëm një dhurues i spermës dhe  i padobishëm.
- Babai i ri

Ai thjesht nuk e kupton që unë nuk jam e interesuar për momentin.
- Nënë e re

Rindërtimi i intimitetit: disa ide

Ka mënyra të tjera për të qëndruar të lidhur me partnerin tuaj. Biseda me partnerin tuaj për ndjenjat do t'ju ndihmojë t’i mbani të hapura linjat e komunikimit dhe do t'ju ndihmojë që të dy të kuptoni se çfarë po ndodh në marrëdhënien tuaj.

Nëse njëri prej jush kujdeset për foshnjën në shtëpi, ndërsa tjetri punon jashtë saj, kini parasysh që të dy, të ndani punët e shtëpisë - ose të kënaqeni me mënyrën se si po ndahen punët e shtëpisë.

Kalimi i përbashkët i kohës mund të jetë një sfidë kur jeni prindër të rinj, por është shumë i rëndësishëm. Ju mund t’ia dilni që të bëni një shëtitje ose të hani darkë së bashku. Nëse nuk mund të gjeni dikë që të kujdeset për foshnjën tuaj, nxirreni atë shëtitje në karrocë fëmijësh ndërsa flisni me njëri-tjetrin ose hani së bashku pasi fëmija të jetë në gjumë.

Ka shumë mënyra për të dhënë dhe marrë kënaqësi seksuale. Mendojen seksin si pikën përfundimtare, jo si fillimin. Filloni me gjëra të thjeshta si mbajtja e duarve të njëri-tjetrit, puthjet dhe përqafimet. Tërheqja fizike mund të ndihmojë për të sjellë raportin seksual kur të dy të jeni gati.

Kur djali ynë ishte rreth tre muajsh, ai flinte rreth një orë pas dreke. Nëse qëllonte që të ishim në shtëpi të dy, përqafoheshim me njëri -tjetrin dhe qëndronim shtrirë së bashku ndërsa ai ishte duke fjetur. Ishte një mënyrë për të kaluar pak kohë me njëri -tjetrin.
- Nënë e re

Duke u kujdesur për veten

Ushqimi i shëndetshëm, stërvitja, pushimi dhe gjumi i mirë, janë të gjitha mënyra për t'u kujdesur për veten. Është e vështirë të interesohesh për marrëdhënie seksuale kur je i lodhur, i sëmurë ose i stresuar. Nëse fëmija juaj zgjohet gjatë natës, përpiquni të gjeni pak kohë për të pushuar gjatë ditës.

Kjo mund të ndihmojë për të vendosur ekuilibër në jetën tuaj. Me një foshnjë të vogël është e lehtë të merreni vetëm me kujdesin e përditshëm për fëmijën tuaj dhe të harroni nevojat tuaja. Ndaj, të gjeni kohë për veten, qoftë dhe vetëm 15 minuta çdo ditë, ju ndihmon shumë.

Mund të dalësh me një mike, të shëtisësh ose të lexosh një libër. Është mirë t’i zbatosh këto, gjatë kohës që fëmija është në gjumë, para se të zgjohet në mëngjes ose gjatë pushimit të drekës në punë. Bisedoni edhe me prindërit e tjerë për të parë si e gjejnë ata kohën për veten e tyre.

Nëse ju dhe partneri juaj po ndiheni të mërzitur dhe gjithashtu keni humbur interesin për intimitetin tuaj, kjo mund të jetë një shenjë e depresionit pas lindjes. Është e rëndësishme të njoftoni mjekun ose maminë në mënyrë që të merrni ndihmë. Mund të lexoni më shumë për këtë dukuri tek gratë dhe burrat.

Ku të kërkoni ndihmë

Nëse ju dhe partneri juaj keni nevojë për ndihmë, bisedoni me profesionistët e kujdesit për shëndetin. Ata mund t'ju adresojnë tek një terapist ose këshillues për çifte.

Prindërit e tjerë mund të jenë, gjithashtu, një burim i madh ndihme dhe mbështetjeje. Mund të provoni të flisni me nënat dhe baballarët e tjerë të rinj, nëse jeni pjesë e një grupi prindërish të rinj.