Shurdhëria dhe dëmtimi i dëgjimit
Dëmtimi i dëgjimit, shurdhëria, dhe vështirësitë në dëgjim: çfarë nënkuptojnë këto terme
Nëse fëmija juaj ka vështirësi në dëgjim ose është i/e shurdhër, kjo do të thotë që veshët e fëmijës tuaj nuk mund të bëjnë asnjë ose ndonjë nga gjërat që duhet të jenë në gjendje të bëjnë. Për shembull, fëmija juaj mund të ketë dëgjim të zbehtë, ose mund të mos jetë në gjendje të dëgjojë tinguj që vijnë nga drejtime të caktuara, ose mund të ketë probleme në dëgjimin e frekuencave ose tingujve të caktuar.
Termat "shurdhëri" ose "dëmtim dëgjimi" mund të përdoren në mënyrë alternative për të përshkruar këtë problem.
Llojet e shurdhërisë ose dëmtimit të dëgjimit
Shurdhëria ose dëmtimi i dëgjimit mund:
- të ndodh në lindje – ky është dëmtim i lindur i dëgjimit.
- të fillojë pas lindjes – ky është dëmtim i fituar i dëgjimit.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të dëmtimit të dëgjimit – konduktiv dhe sensorineural.
Dëmtimi konduktiv i dëgjimit është kur tingujt nga jashtë veshit të fëmijës suaj kanë vështirësi të arrijnë në brendësi të veshit. Dëmtimi konduktiv i dëgjimit zakonisht shkaktohet nga lëngu i veshit të mesëm nga infeksionet e veshit të mesëm dhe zakonisht është i përkohshëm.
Dëmtimi sensorineural i dëgjimit është kur nervat që janë përgjegjës për ta marrë tingullin dhe për ta pëcaktuar se çfarë tingulli është nuk funksionojnë siç duhet. Dëmtimi sensorineural i dëgjimit mund të jetë i lehtë, mesatar, i rëndë ose i thellë. Dëmtimi sensorineural i dëgjimit zakonisht zgjat gjithë jetën dhe mund të përkeqësohet me kalimin e kohës.
Humbja mikse e dëgjimit është kur një fëmijë ka edhe dëmtim konduktiv të dëgjimit edhe sensorineural.
Ekzaminimi universal i dëgjimit të të porsalindurve
Çfarë është ekzaminimi [depistimi] i dëgjimit?
Gjatë ekzaminimit, pajisjet speciale lëshojnë tinguj specifikë në veshët e foshnjës tuaj dhe regjistrojnë reagimet e foshnjës tuaj.
Në shumicën e vendeve, foshnja juaj do të ekzaminohet në spital, përpara se ta çoni foshnjën tuaj në shtëpi.
Shenjat e shurdhimit ose dëmtimit të dëgjimit
Nëse foshnja juaj është i/e shurdhër ose me vështirësi në dëgjim, ai/ajo nuk do të dëgjojë kur njerëzit flasin, që do të thotë se ai/ajo mund të mos reagojë ndaj zërit tuaj dhe zhurmave të tjera në mënyrën që ju prisni. Ndërsa ai/ajo rritet, mund të vëreni se të folurit dhe gjuha e tij nuk po zhvillohen si te fëmijët tjerë.
Si udhëzues, ja çfarë do të prisnit nga një fëmijë me zhvillim tipik (të zakonshëm). Nëse fëmija juaj nuk po i bën këto gjëra, mund të jetë ide e mirë të konsultoheni me mjekun.
- Në moshën 0-4 muajsh, foshnja juaj duhet të trembet nga zhurma e madhe, të kthejë kokën ose të lëvizë sytë për të lokalizuar burimin e zërit. Nëse ai/ajo është e mërzitur, duhet të qetësohet kur të dëgjojë zërin tuaj.
- Në moshën 4-8 muajsh, foshnja juaj duhet të vë re tingujt përreth, të buzëqeshë kur i flitet, të llafasë dhe të kuptojë fjalë të thjeshta si 'pa pa' [baj-baj].
- Në 8-14 muaj, foshnja juaj duhet të përgjigjet kur e thërrisni në emër, të thotë fjalë të thjeshta si 'mama' dhe 'baba', të imitojë tinguj të thjeshtë dhe të përdorë zërin e saj/tij për të tërhequr vëmendjen e njerëzve afër.
- Në moshën 14-24 muajsh, fëmija juaj do të fillojë të zhvillojë fjalorin, të kuptojë dhe të ndjekë udhëzime të thjeshta dhe të lidhë dy fjalë.
Edhe nëse gjithçka duket në rregull, por ju ende ndiheni të brengosur, duhet të vizitoni mjekun ose infermieren tuaj. Në fund të fundit, ju e njihni më së miri foshnjën tuaj.
Të mësuarit për të komunikuar: fëmijët e shurdhër dhe fëmijët me vështirësi në dëgjim
Nëse fëmija juaj është i/e shurdhër ose me vështirësi në dëgjim, ai/ajo mund të përdorë gjuhën e folur, gjuhën e shenjave ose një kombinim të gjuhës së shenjave dhe gjuhës së folur për të folur.
Të mësuarit për të komunikuar me gjuhën e folur për fëmijët me shurdhim të rëndë ose të thellë është vërtet punë e vështirë, kërkon shumë vite dhe jo gjithmonë ka sukses. Gjëja më e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës suaj dhe për marrëdhënien tuaj me fëmijën tuaj është të qenit në gjendje për të komunikuar.
Shumë familje zgjedhin t'i mësojnë fëmijës së tyre edhe të flasë edhe të përdori shenjat, pavarësisht nëse fëmija mund të përdorë gjuhën e folur. Nëse kjo është zgjedhja e familjes suaj, ju dhe pjesa tjetër e familjes suaj duhet të mësoni edhe gjuhën e shenjave.
Ju mund t'u kërkoni profesionistëve shëndetësorë që kujdesen për ju dhe fëmijën tuaj për më shumë informacion dhe mbështetje për të mësuar gjuhën e shenjave.
Pajisjet e dëgjimit për fëmijët e shurdhër dhe fëmijët me vështirësi në dëgjim
Ka pajisje që mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të dëgjojë gjuhën e folur. Dhe kur ajo/ai mund të dëgjojë gjuhën e folur, fëmija juaj mund të fillojë të mësojë të përdorë gjuhën.
Lloji i duhur i pajisjes për fëmijën tuaj do të varet nga lloji i dëmtimit të dëgjimit dhe sa i rëndë është ai. Këto pajisje, të quajtura pajisje amplifikimi ose pajisje ndihmëse dëgjimi, përfshijnë:
- aparate dëgjimi
- implantet me përçim të ashtit [implantet e veshit të mesëm]
- implantet kokleare - një pajisje që futet me operacion për njerëzit me dëmtim të rëndë sensorineural të dëgjimit.
- sistemet e modulimit personal të frekuencës (FM).
Fëmija juaj mund të përdorë një pajisje ose një kombinim pajisjesh. Fëmija juaj mund t'i përdorë gjithashtu këto pajisje në kombinim me gjuhën e folur dhe gjuhën e shenjave.
Shumica e fëmijëve me dëmtim të dëgjimit përdorin pajisje ndihmëse dëgjimi në të dy veshët.
Shërbimet e ndërhyrjes së hershme për fëmijët e shurdhër dhe fëmijët me vështirësi në dëgjim
Sa më herët të zbuloni se fëmija juaj ka një dëmtim të dëgjimit, aq më shpejt ai/ajo mund të fillojë ndërhyrjen e hershme dhe të ketë gjuhë për të komunikuar. Kjo gjithashtu do të thotë që ju dhe familja juaj mund të merrni këshilla dhe mbështetje sa më shpejt të jetë e mundur, duke i dhënë fëmijës tuaj fillimin më të mirë në jetë.
Ekipi i profesionistëve të përfshirë në mbështetjen për ju dhe fëmijën tuaj mund të përfshijë audiologë, patologë të të folurit dhe mësues të edukimit special.
Mos ngurroni të bëni shumë pyetje.
Kur luani, lidhuni dhe komunikoni me fëmijën tuaj gjatë gjithë ditës në mënyra që inkurajojnë dëgjimin dhe zhvillimin e tij/saj, kjo mund ta ndihmojë atë shumë. Fëmijët mësojnë më së shumti nga njerëzit që kujdesen për ta dhe me të cilët kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Kujdesi për veten dhe familjen tuaj
Edhe pse është e lehtë të habitesh duke u kujdesur për fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj. Nëse jeni mirë fizikisht dhe mendërisht, ju do të jeni më në gjendje të kujdeseni për fëmijën tuaj.
Biseda me prindër të tjerë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të marrë mbështetje. Ju mund të lidheni me prindër të tjerë në situata të ngjashme duke iu bashkuar një grupi mbështetjeje me prani fizike ose në internet.
Nëse keni fëmijë të tjerë, këta vëllezër e motra të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të ndiejnë se janë po aq të rëndësishëm për ju - se ju kujdeseni për ta dhe për atë që po kalojnë. Është e rëndësishme të bisedoni me ta, të kaloni kohë me ta dhe të gjeni mbështetjen e duhur edhe për ta.