Sjellja seksuale në fëmijëri: fëmijët e vegjël

Sjellja seksuale është një pjesë kryesisht e zakonshme dhe e shëndetshme e zhvillimit të fëmijëve. Fëmijët e vegjël mund të eksplorojnë trupin e tyre ose të njerëzve të tjerë duke prekur, shikuar dhe folur. Mënyra se si reagoni ndaj sjelljes seksuale të fëmijës varet nga vlerat tuaja. Por të qëndroni të qetë, është shumë e rëndësishme.
Body

Sjellja seksuale e fëmijëve të vegjël: çfarë është e zakonshme?

Sjellja seksuale tek fëmija juaj mund të jetë pak konfrontuese, sidomos herën e parë që e shihni. Mund t'ju ndihmojë ta dini se prekja, shikimi dhe biseda lidhur me trupin është kryesisht pjesë e zakonshme dhe e shëndetshme e zhvillimit të fëmijës tuaj në këtë moshë.

Biseda e hapur dhe e sinqertë për seksin, trupat dhe marrëdhëniet do t'ju ndihmojë të drejtoni sjelljen e fëmijës suaj tani. Gjithashtu kjo gjë vendos bazën për bisedat e ardhshme për zhvillimin seksual, marrëdhëniet respektuese dhe seksualitetin. Asnjëherë nuk është herët të filloni të flisni për këtë gjë.

Sjellja tipike seksuale e vogëlushit: si duket

Fëmija juaj mund të:

  • prek ose fërkon organet gjenitale
  • tregon organet gjenitale dikujt tjetër
  • shikon ose prek organet gjenitale të fëmijëve ose të rriturve të njohur në mënyrë argëtuese gjatë lojës, në kohën e banjës ose në tualet
  • përsërit fjalët, shprehjet dhe zhargonin që lidhet me tualetin, funksionet e trupit ose pjesët e trupit
  • ka qejf të qëndrojë i/e zhveshur
  • shfaq interes për pjesët e trupit dhe mënyrën se si funksionojnë ato.

Çfarë do të thotë sjellja e zakonshme seksuale e fëmijëve të vegjël

Sjellja e përshkruar më sipër është e zakonshme për fëmijët e vegjël. Fëmija juaj mund të sillet në këto mënyra sepse:

  • ndihet mirë
  • po mëson rreth prekjes dhe rregullave shoqërore
  • është kurioz/e për dallimet midis trupit të djemve dhe vajzave
  • po e provon si funksionon trupi
  • fjalori i tij/saj dhe të kuptuarit e gjuhës po zhvillohet
  • po përpiqet të kuptojë familjet dhe marrëdhëniet.

Disa sjellje seksuale dhe lojëra seksuale nuk janë të zakonshme dhe madje mund të jenë shenjë e diçkaje më serioze. Lexoni më shumë rreth sjelljes problematike seksuale.

Si të reagojmë lidhur me sjelljen e zakonshme seksuale tek fëmijët e vegjël

Mënyra se si reagoni është e rëndësishme, por reagimi juaj varet nga vlerat tuaja. Disa prindër janë në rregull me këtë lloj sjelljeje, kurse disa të tjerë jo.

Gjëja më e rëndësishme është të qëndroni të qetë, pavarësisht se si planifikoni të reagoni.

Mund ta shfrytëzoni sjelljen seksuale si një mundësi për të ndihmuar fëmijën tuaj të mësojë. Bisedoni me fëmijën tuaj dhe përgjigjuni pyetjeve të tij/saj në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, por gjithashtu në nivelin që ai/ajo mund t'ju kuptojë. Për shembull, mund të flisni për pjesët publike dhe private të trupit, se si vajzat dhe djemtë janë të ndryshëm, ose mënyrat e të folurit për trupa.

Kur flisni me fëmijën tuaj, është mirë t'i përdorni fjalët e duhura lidhur me pjesët e trupit - vaginë, vulvë, gjoks, penis, testikuj etj. Kjo gjë ndihmon fëmijën tuaj ta mësoj trupin e tij/saj dhe t'ju tregojë qartë për çdo pyetje ose shqetësim që ka.

Ndonjëherë mund të dëshironi që fëmija mos ta bëjë ndonjë sjellje seksuale - për shembull, nëse po e bën ndonjë pyetje private me zë të lartë në vend publik. Shpërqendrimi i fëmijës tuaj ose gjetja e ndonjë aktiviteti tjetër për një kohë të shkurtër mund ta zhvendosë vëmendjen e tij/saj në diçka tjetër.

Mund të flisni me fëmijën tuaj më vonë kur të keni privatësi dhe kohë.

Është e rëndësishme që fëmija juaj të dijë se është në rregull të jesh kurioz dhe është mirë të flasim për këto tema së bashku.