Skuqja e lëkurës (Miliaria)

Skuqja e lëkurës quhet gjithashtu edhe skuqje nga djersitja ose miliaria. Shfaqet si pika të vogla të kuqe ose puçrra në lëkurë. Mund të shfaqet nëse fëmija juaj nxehet shumë. Është e zakonshme dhe e lehtë për t'u trajtuar.
Body

Shkaqet e skuqjes së lëkurës ose miliarisë

Skuqja e lëkurës ose miliaria ndodh për shkak se gjëndrat e djersës së fëmijës suaj nuk janë të zhvilluar plotësisht. Ato mund të bllokohen nëse asaj/atij i vjen nxehet shumë. Kur ndodh kjo, djersa mund të bllokohet nën lëkurë dhe të formojë puçrra të vogla ose flluska.

Kjo është arsyeja pse foshnjave të porsalindura shpesh iu shfaqen skuqje të lëkurës në verë ose në klimat e nxehta dhe të lagështa. Mund të shfaqet gjithashtu nëse fëmija juaj është i/e veshur trash.

Skuqja e lëkurës është e zakonshme tek foshnjat, por mund të shfaqet edhe tek fëmijët më të rritur.

Simptomat e skuqjes së lëkurës ose miliarisë

Puçrra shumë të vogla me ngjyrë rozë në të kuqe ose transparente shfaqen në fytyrë, qafë dhe në palosje të lëkurës së fëmijës suaj, veçanërisht në zonën e pelenave.

Nëse këto puçrra janë të infektuara, ato mund të mbushen me qelb.

Kur duhet të vizitoni mjekun lidhur me skuqjen e lëkurës ose miliarian

Dërgojeni fëmijën tuaj tek mjeku i përgjithshëm nëse:

  • puçrrat mbushen me qelb të verdhë ose të gjelbër – kjo do të thotë se ka gjasa të infektohen dhe të kenë nevojë për trajtim
  • skuqja zgjat më shumë se tre ditë
  • përveç skuqjes, fëmija juaj në përgjithësi nuk ndjehet mirë, ka temperaturë ose nuk ushqehet mirë.

Jo çdo skuqje është doemos miliarie. Konsultohuni me mjekun nëse keni dyshime ose jeni të brengosur.

Trajtimi i skuqjes së lëkurës ose miliarisë

Zakonisht mund të trajtoni skuqjen e lëkurës ose miliarinë duke u siguruar që fëmija juaj të qëndrojë i/e freskët dhe të shmangë djersitjen. Ju mund ta bëni këtë duke përdorur klimën nëse jetoni në një ambient të nxehtë dhe duke mos e veshur shumë trashë fëmijën tuaj. Veshja e tij/saj me veshje të lehta pambuku është gjithashtu një ide e mirë.

Nëse e mbështillni fëmijën tuaj, sigurohuni që të mos i bëhet shumë nxehtë.

Për ta ndihmuar fëmijën tuaj të ndihet më rehat, mund t'i bëni një banjë me ujë të vakët. Është më mirë të shmangni sapunin, sepse kjo mund të irritojë lëkurën e fëmijës suaj. Mund të vendosni edhe locion kalamine përmbi skuqje.

Skuqja me gjasë largohet brenda 2-3 ditësh, por mund të zgjasë më shumë se kaq.

Nëse fëmija juaj i kruan puçrrat, flisni me mjekun tuaj të përgjithshëm ose infermieren e shëndetësisë së fëmijëve dhe familjare për kremrat që mund të ndihmojnë.

Parandalimi i skuqjes së lëkurës ose miliarisë

Mundohuni ta vishni fëmijën tuaj sipas kushteve të motit dhe shmangni veshjen e shumë rrobave.

Thani palosjet e lëkurës së foshnjës tuaj pas çdo banje.