Tetanusi
Bakteri Clostridium tetani gjendet kudo në natyrë: në tokë, në zorrët e kafshëve. Mund të futet në trupin e fëmijës suaj përmes plagës në lëkurë të ndotur, kafshimit nga kafshët ose djegies. Në mjedisin tonë, fëmijët janë vaksinuar me sukses kundër kësaj sëmundjeje, kështu që sëmundja pothuajse është zhdukur.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Sëmundja zakonisht shfaqet 1-2 javë pas infektimit. Infektimi me tetanus çon në dhimbje të forta dhe ngërçe në të gjithë trupin. Ngërçet (spazmat) e dhimbshme të muskujve fillojnë në fytyrë, pastaj në qafë, në trung dhe në këmbë. Kur preken muskujt e fytyrës dhe qafës, shfaqen probleme me gëlltitjen dhe frymëmarrjen. Para epokës së vaksinimit, kjo sëmundje ishte fatale në shumicën e rasteve (80% vdekshmëri).
Konsultohuni me pediatrin kur:
- Ndodhë kafshimi nga ndonjë kafshë
- Fëmija ka plagë të ndotur ose prerje të thellë, plagë me thikë ose gërvishtje nga ndonjë objekt i ndotur
- Kur lindja nuk është sterile, foshnja e porsalindur mund të infektohet.
Trajtimi i tetanusit
Trajtimi i tetanosit është i ndërlikuar dhe kryhet në një mjedis spitalor. Ai përfshin përdorimin e antitoksinave dhe antibiotikëve, pastrimin e plagës, ndonjëherë edhe operimin. Nëse është e nevojshme, përdoren medikamente për ta lehtësuar dhimbjen, ngurtësimin e muskujve si dhe pajisje për ta ndihmuar frymëmarrjen.
Parandalimi i tetanusit
Tetanusi është sëmundje që nuk mund të zhduket sepse bakteret janë të pranishme kudo në natyrë. Nuk ka rezistencë të fituar as pas infektimit. Mënyra më e mirë për ta mbrojtur fëmijën tuaj nga kjo sëmundje është ta vaksinoni atë në kohë. Sipas rekomandimeve të imunizimit, vaksinat kundër tetanosit jepen në tri doza: e para jepet kur foshnja është gjashtëjavëshe, ndërsa doza e dytë dhe e tretë jepen në intervale nga 4 deri në 8 javë. Vaksinimi kundër tetanosit zakonisht bëhet së bashku me vaksinën kundër: difterisë, kollës së mirë, poliomielitit dhe sëmundjeve të shkaktuara nga bakteri Haemophilus influenza b. Në disa vende, rivaksinimi bëhet pas moshës dy vjeçare së bashku me vaksinën e difterisë.
Në rast të një plage të hapur në lëkurë, është e rëndësishme ta pastroni me kujdes plagën dhe ta largoni të gjithë materialin e tepërt prej saj. Nëse fëmija juaj nuk është vaksinuar në mënyrë adekuate ose nuk është vaksinuar plotësisht, ose është vaksinuar siç duhet, por kanë kaluar më shumë se 5-10 vjet nga doza e fundit e vaksinës (në varësi të ashpërsisë së plagës), fëmija nuk është i/e mbrojtur siç duhet. Çojeni atë tek pediatri për ta kontrolluar statusin e vaksinimit dhe për të përcaktuar nëse ai/ajo duhet ta marrë vaksinën dhe, në disa situata, edhe imunoglobulinën e tetanosit (TIG).
I porsalinduri që lind pa ndihmë profesionale mjekësore, në rrezik për t'u infektuar me bakterin Clostridium tetani, duhet ta marrë menjëherë imunoglobulinën e tetanosit.