Ushqimi i shëndetshëm për foshnjat dhe fëmijët e vegjël: pesë grupet e ushqimit

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël kanë nevojë për ushqime nga të pesë grupet e ushqimeve të shëndetshme: perime, pemë, ushqime me drithëra, produkte të qumështit dhe proteina. Ushqimet e shëndetshme kanë lëndë ushqyese që janë të rëndësishme për rritjen, zhvillimin dhe të mësuarit. Fëmija juaj duhet të shmangë ushqimet e pasura me kripë, yndyra të ngopura dhe sheqer, ushqimet jo të pasura me fibra dhe lëndë ushqyese dhe pijet me kafeinë dhe shumë sheqer.
Body

Cilat ushqime janë të shëndetshme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël?

Ushqimi i shëndetshëm për foshnjat dhe fëmijët e vegjël përfshin një shumëllojshmëri të gjerë të ushqimeve të freskëta nga pesë grupet e ushqimeve të shëndetshme:

  • perimet
  • pemët
  • drithërat
  • produktet e qumështit
  • proteina.

Secili grup ushqimor ka lëndë ushqyese të ndryshme, për të cilat trupi i fëmijës suaj ka nevojë për t'u rritur dhe për të funksionuar siç duhet. Kjo është arsyeja pse ne duhet të hamë një sërë ushqimesh nga të pesë grupet ushqimore.

Kalimi nga pirja e qumështit të gjirit ose formulës së foshnjave te ngrënia e shujtave familjare kërkon kohë dhe fëmija juaj nuk do të hajë menjëherë ushqim nga të gjitha pesë grupet ushqimore. Hapi i parë është të filloni të ushqeni fëmijën tuaj me ushqime të ngurta. Pasi fëmija juaj të ketë filluar të hajë ushqime të ngurta, përpiquni të përfshini ushqime nga grupe të ndryshme në çdo shujtë.

Pemët dhe perimet

Pemët dhe perimet i japin fëmijës tuaj energji, vitamina, antioksidantë, fibra dhe ujë. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e foshnjës tuaj kundër sëmundjeve të mëvonshme në jetë, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe disa lloje të kancerit.

Është ide e mirë që t'i ofroni fëmijës suaj pemë dhe perime në çdo shujtë dhe si messhujtë. Mundohuni të zgjidhni pemë dhe perime me ngjyra, tekstura dhe shije të ndryshme, të freskëta dhe të gatuara.

Lani frutat për të hequr papastërtitë ose kimikatet dhe lëreni lëvoren, sepse edhe lëvorja përmban lëndë ushqyese.

Nëse fëmija juaj duket se është ‘nazeli’ në ngrënien e pemëve dhe perimeve, kjo nuk do të thotë se ato nuk do t'i pëlqejnë kurrë atij/asaj. A e dini se nëse fëmija juaj ju sheh duke ngrënë lloje të ndryshme të pemëve dhe perimeve, ka më shumë gjasa që edhe ai/ajo t'i provojë ato?

Ushqimet me drithëra

Ushqimet me drithëra përfshijnë bukën, pastat, noodles, drithërat e mëngjesit, kuskusin, orizin, misrin, kinoan, polentën, tërshërën dhe elbin. Këto ushqime i japin fëmijës tuaj energjinë që i nevojitet për t'u rritur, për t'u zhvilluar dhe për të mësuar.

Ushqimet me drithëra me indeks të ulët glicemik, si pastat dhe buka me drithëra integrale, do t'i japin fëmijës tuaj energji më të qëndrueshme dhe do ta mbajnë atë më të ngopur për më një kohë më të gjatë.

Produktet e qumështit

Produktet kryesore të qumështit janë qumështi, djathi dhe kosi. Këto ushqime janë të pasura me proteina dhe kalcium.

Produktet e qumështit mund të përdoren që nga mosha gjashtë muajshe. Por sigurohuni që qumështi i gjirit ose formula për foshnjat të jetë pija kryesore e foshnjës tuaj deri në moshën rreth 12 muajsh. Pas kësaj, ai/ajo mund të fillojë të pijë qumështin e lopës me yndyrë të plotë.

Për shkak se fëmijët në këtë grupmoshë rriten shpejt dhe kanë nevojë për shumë energji, ata/ato kanë nevojë për produkte të qumështi me yndyrë të plotë derisa të mbushin dy vjeç.

Proteina

Ushqimet e pasura me proteina përfshijnë mishin pa dhjamë, peshkun, pulën, vezën, fasulet, thjerrëzat, qiqrat, tofu dhe arrat. Këto ushqime janë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e muskujve të fëmijës suaj.

Këto ushqime përmbajnë gjithashtu vitamina dhe minerale të tjera të dobishme si hekur, zink, vitaminë B12 dhe acide yndyrore omega-3. Hekuri dhe acidet yndyrore omega-3 nga mishi i kuq dhe peshku me vaj janë veçanërisht të rëndësishëm për të mësuarit dhe zhvillimin e trurit të fëmijës suaj.

Hidhini një sy udhëzimeve tona dietike me ilustrime për fëmijët 2-3 vjeç për më shumë informacione rreth porcioneve të ushqimit të përditshëm dhe rekomandimeve rreth tij. Ju gjithashtu mund të flisni me një dietolog nëse keni shqetësime rreth të ushqyerit të fëmijës suaj.

Pijet e shëndetshme

Uji është pija më e shëndetshme për fëmijët mbi 12 muajsh. Gjithashtu është pija më e lirë. Shumica e ujit të çezmës është gjithashtu i pasuruar me fluor për dhëmbë të fortë.

Nga gjashtë muajsh, foshnjat që ushqehen me qumësht të gjirit dhe me formulë mund të kenë sasi të vogla të ujit të çezmës të vluar dhe të ftohur me gotë.

Ushqimet dhe pijet që duhen shmangur

Fëmija juaj duhet të shmangë ushqimet e përdorura ‘ndonjëherë’. Këto ushqime përfshijnë ushqimet e shpejta dhe ushqimet me vlera të ulëta ushqyese si pomfrit, patatina të skuqura, dim sims (ushqim australian), byrekët, hamburgerët dhe picat e gatshme. Këto ushqime përfshijnë gjithashtu tortat, çokollatat, sheqerkat, biskotat, donutët dhe brumërat e ëmbëlsirave.

Këto ushqime janë të pasura me kripë, yndyra të ngopura dhe sheqer, dhe nuk janë të pasura me fibra dhe lëndë ushqyese. Ngrënia e tepërt e këtyre ushqimeve mund të rrisë rrezikun e obezitetit në fëmijëri dhe gjendjeve si diabeti i tipit 2.

Fëmija juaj duhet të shmangë gjithashtu pijet e ëmbla si lëngjet e pemëve, kordialet, pijet sportive, ujërat me aromë, pijet e gazuara dhe qumështin me aromë. Pijet e ëmbla kanë shumë sheqer dhe pak vlera ushqyese. Ato mund të shkaktojnë shtim në peshë, obezitet dhe prishje të dhëmbëve. Këto pije e ngopin fëmijën tuaj dhe mund ta bëjnë atë më pak të uritur për shujta të shëndetshme. Dhe nëse fëmijët fillojnë të pinë këto pije kur janë të vegjël, kjo mund të shkaktojë një zakon jo të shëndetshëm gjatë gjithë jetës.

Ushqimet dhe pijet me kafeinë nuk rekomandohen për fëmijët, sepse kafeina ndalon trupin të përthithë mirë kalciumin. Kafeina është gjithashtu stimulues, që do të thotë se u jep fëmijëve energji artificiale. Këto ushqime dhe pije përfshijnë kafen, çajin, pijet energjike dhe çokollatën.

Alternativa të shëndetshme për messhujta dhe ëmbëlsira
Është në rregull t'i ofroni fëmijës suaj messhujta, por përpiquni të siguroheni që ato janë të shëndetshme – për shembull, jepni karotë të grirë ose të prerë hollë.

E njëjta gjë vlen edhe për ëmbëlsirën në fund të një shujte. Pemët e prera ose kosi është alternativa më e shëndetshme. Nëse dëshironi të shërbeni diçka të veçantë, provoni bukën nga banania të bërë në shtëpi. Ruani gjërat shumë të ëmbla, si tortat dhe çokollata, për raste të veçanta si ditëlindjet.

Udhëzuesi Australian për Ushqimin e Shëndetshëm thotë se si fëmijët ashtu edhe të rriturit duhet të shmangin ose kufizojnë ndonjëherë ushqimin. Është më mirë që këto ushqime të ruhen për raste të veçanta.