Vaksina kundër Hepatitit B
Vaksina kundër hepatitit B përmban grimca joinfektive të antigjenit sipërfaqësor të virusit të hepatitit B (HbsAg), dhe gjithashtu përmban: kripëra alumini që shërbejnë si adsorbent dhe si trajtim plotësues (rritës i reagimit imunitar).
Vaksina bëhet me injeksion në muskulin e kofshës te foshnjat ose muskulin deltoid (pjesën e sipërme të krahut) te fëmijët e rritur (më të mëdhenj se 3 vjeç). Fëmijëve deri në moshën 15 vjeç u jepet një dozë prej 0.5 ml dhe fëmijëve të moshës 16 vjeç e lart u jepet një dozë 1.0 ml, dozë kjo që u jepet të gjithë të rriturve. Imunizimi rutinë kryhet me tre doza vaksine:
Doza zero - dita e parë pas lindjes (ose dita e zgjedhur)
Doza e parë - 2 muaj pas dozës në lindje
Doza e dytë - 4 muaj pas dozës në lindje
Doza e tretë - 6 muaj pas dozës në lindje
Është e rëndësishme të testohen gratë shtatzëna për hepatitin B. Në rast se ato mbartin virusin e hepatitit B, fëmija, përveç vaksinës, merr antitrupa specifik (imunoglobulin e hepatitit B) në ditën e parë pas lindjes.
Nëse zbatohen të gjitha masat e mësipërme, nëna që mbart virusin e hepatitit B mund të ushqejë me gji fëmijën e saj, përveç në rastet kur thithat janë të plasaritura dhe kanë gjakderdhje, ku bëhet një pushim deri në shërimin e tyre.
Vaksina kundër hepatitit B mund të jepet në të njëjtën kohë me vaksinat e tjera, si me vaksinën kundër tuberkulozit, difterisë, tetanozit, kollës së mirë, vaksinës së MMR-së. Kur aplikohet si një vaksinë e vetme, jepet në një vend tjetër të injektimit (pjesa e sipërme e këmbës te foshnjat ose pjesa e sipërme e krahut te fëmijët më të rritur).
Vaksina nuk u jepet njerëzve që kanë sëmundje akute të shoqëruar me temperaturë të lartë dhe atyre që më parë kanë pasur ndonjë reaksion alergjik më të fortë (anafilaksi), ndaj disa prej përbërësve të vaksinës.
Efekti i vaksinës në zhvillimin e fetusit nuk është vlerësuar, por një grua shtatzënë mund ta marrë këtë vaksinë vetëm nëse ka indikacione të qarta. Nuk ka kundërindikacione që një grua që ushqen me gji foshnjën të marrë vaksinën.
Njerëzve në hemodializë ose atyre me rezistencë të zvogëluar mund t'u nevojitet një dozë shtesë përforcuese.