Zakonet e sjelljes

Shumë fëmijë kanë zakone të tilla si kafshimi i thonjve, thithja e gishtit, ose futja e gishtit në hundë. Më së shpeshti, zakonet e tilla largohen vetvetiu. Ndonjëherë një fëmijë ka nevojë për ndihmë për t’i tejkaluar ato. Një mënyrë për ta arritur këtë është duke ia përkujtuar me qetësi fëmijës dhe duke e lavdëruar kur ai/ajo e ndërpret atë zakon.
Body

Cilat janë zakonet?

Zakonet janë sjellje që përsëriten shpesh, kryesisht automatikisht, pa menduar paraprakisht për to. Disa nga këto sjellje te fëmijët ndonjëherë mund të jenë shqetësuese, ju mërzisin ose ju zemërojnë, por ju duhet të dini se ato zakonisht nuk janë shkak për shqetësim.

  • Zakonet e fëmijëve shpesh përfshijnë aktivitete të prekjes ose të ngjashme të pjesëve të fytyrës ose trupit, që janë të padobishme. Fëmijët mund të jenë të vetëdijshëm për këtë, ata mund ta pëlqejnë këtë, por kjo nuk ndodh gjithnjë.
  • Disa nga shprehitë më të zakonshme janë: thithja e gishtit, gishtit tregues ose biberonit, kafshimi ose heqja e thonjve me dhëmbë, lakimi ose tërheqja e flokëve, futja e gishtit në hundë, kafshimi i buzëve ose pjesë së brendshme të faqeve, kafshimi i objekteve siç janë skajet e lapsit, rrobat, kërcëllimi i dhëmbëve.

Si zhvillohen zakonet?

  • Zakonet mund të jenë të këndshme dhe qetësuese. Thithja është një shembull i tillë. Te fëmijët e vegjël, ky zakon mund të jetë një mënyrë për ta lehtësuar stresin ose ankthin.
  • Ndonjëherë, zakonet zhvillohen kur fëmijët mërziten. Sjellje të tilla pastaj shërbejnë si një lloj argëtimi. Për shembull, fëmijët mund t’i kafshojnë thonjtë e tyre më shpesh gjatë shikimit të televizorit ose kur nuk bëjnë asgjë, sesa kur janë të shqetësuar.
  • Ndonjëherë zakonet fillojnë për arsye praktike dhe pastaj vazhdojnë edhe kur ato arsye nuk janë më të pranishme. Për shembull, fëmijët e vegjël që e fusin gishtin në hundë gjatë një ftohjeje mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë për një kohë edhe pasi të kalojë ftohja. Nëse një fëmijë e fut gishtin në hundën e tij/saj, edhe pasi mëson ta pastrojë atë duke e fryrë, ai/ajo ndoshta veç më e ka zhvilluar zakonin e futjes së gishtit në hundë.
  • Ju jeni shembull për fëmijën tuaj. Nëse vini re se një fëmijë po fillon të krijojë një zakon, së pari pyesni veten nëse ju e keni një zakon të tillë. Disa zakone kanë më shumë gjasa të ndodhin në familje të caktuara, p.sh. kafshimi i thonjve.

Disa fëmijë mund të shfaqin sjellje më të pazakonta, të tilla si lëkundja e trupit të tyre, goditja ose lëvizja e kokës. Shumica e fëmijëve ndalojnë ta bëjnë këtë deri në moshën pesë vjeçare.

Disa sjellje mund të duken si fillimi i një zakoni dhe shkaktohen nga arsye mjekësore. Në këtë rast, ato zakonisht fillojnë papritmas dhe kanë karakteristika të tjera, p.sh. një fëmijë i cili papritmas fillon tërheqjen ose goditjen e veshëve dhe bëhet nervoz ka të ngjarë të ketë një infeksion të veshit. Mund të jetë e ngjashme me disa sjellje që shoqërohen me daljen e dhëmbëve etj.

Ndërprerja e zakoneve

Shumica e këtyre sjelljeve ndalen vetvetiu. Nëse sjelljet e tilla ndërhyjnë në funksionimin e përditshëm të fëmijës, ose çojnë në lëndime, atëherë duhet bërë diçka.

Për shembull, thithja e gishtit është e zakonshme dhe mjaft normale. Por, nëse fëmija e thith gishtin e tij/saj shumicën e kohës ose ka vështirësi për shkak të saj, p.sh. në të folurit ose në të ushqyerit, ose ofendohet nga bashkëmoshatarët, atëherë këshillohet të ndërpritet këto sjellje. Provoni vetë së pari:

  • Bëni një marrëveshje me fëmijën tuaj që ju do ta ndihmoni që ta ndërpresë këtë zakon. Shpjegoni pse po e bëni këtë.
  • Kur vëreni se fëmija është duke e bërë atë, me qetësi i thoni atij/asaj të ndalojë. Falënderoni atij/asaj kur ai/ajo e ndalon atë.
  • Nëse sjelljet e tilla ndodhin më shpesh kur fëmija nuk është aktiv, mund të sugjeroni një aktivitet.

Nëse këto zakone nuk ndalojnë, përkundër përpjekjeve tuaja dhe ndërhyjnë në funksionimin e fëmijës ose çojnë në lëndime (p.sh. thithja e gishtërinjve në mënyrë intensive mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e dhëmbëve, nëse zgjat përtej vitit të tretë), kërkoni ndihmë profesionale. Në rast se dyshohet se këto sjellje janë një manifestim i ankthit, është e nevojshme të kërkohet ndihmë psikologjike.

Ndonjëherë këto sjellje duken si tika. Tikat janë lëvizje të pavullnetshme, të përsëritura dhe të papritura. Ato ndodhin për arsye të tjera. Shumica e tikave përfshijnë lëvizje të thjeshta (vështrim me sy të shtrënguar dhe kapakë gjysmë të mbyllur, lëvizje të shpeshta të kapakëve të syve, rrudhje të hundës, etj.) Ata zakonisht janë të përkohshëm. Nëse ato zgjasin më gjatë, gjegjësisht nëse ato janë të theksuara ose më komplekse për nga natyra, atëherë është e nevojshme të konsultoheni me një pediatër.