Aftësitë e vetë-rregullimit tek fëmijët
Vetë-rregullimi përfshin aftësitë për:
- njohjen dhe rregullimin e ndjenjave të ngazëllimit dhe frustrimit;
- qetësim pas një ngjarjeje interesante ose shqetësuese;
- fokusim në detyrë;
- zhvendosjen e fokusit në një detyrë tjetër;
- kontrollimin e impulseve dhe prolongimin e nevojave;
- mësimin e sjelljeve që janë të dobishme në ndërveprim me njerëzit e tjerë.
Aftësitë e vetë-rregullimit janë të rëndësishme:
- për të mësuar/nxënë (për shembull duke u përqendruar te mësuesi dhe detyra);
- për menaxhimin e marrëdhënieve me të tjerët (për shembull, shoqërimi mbështetet në aftësinë e përfshirjes në lojëra dhe aktivitete të përbashkëta, pritja e radhës, shprehja e ndjenjave në mënyrë të pranueshme);
- për sjelljen në mënyrë të pranueshme (kontrollimi i impulseve tona dhe shtyrja e disa nevojave);
- për të qenë më të pavarur (marrja e vendimeve dhe menaxhimi i sjelljes sonë);
- për përballimin me sukses të stresit dhe emocioneve të forta negative.
Vetë-rregullimi zhvillohet që në ditët e para: foshnja thith gishtin e madh për t’u qetësuar, ose e largojnë shikimin nga ju kur kanë nevojë për pushim nga biseda me ju, por kjo zhvillohet më intensivisht pas vitit të dytë të jetës dhe më tej, deri në moshën madhore. Në këtë mënyrë, fëmijët deri në moshën 3 vjeçare mund ta mund ta shtyjnë për pak kohë nevojën për ushqim, por ata ende e rrëmbejnë me lehtësi një lodër që u pëlqen në kënd lojërash, ose manifestojnë zemërim kur shprehin pakënaqësi dhe zhgënjim.
Fëmijët e moshës 3-6 vjeç do të jenë gjithnjë e më të aftë të luajnë së bashku me bashkëmoshatarët e tyre - ata do të jenë më të aftë të balancojnë dëshirat dhe idetë e tyre me ato të të tjerëve. Gjithashtu, janë më të gatshëm të zbatojnë disa rregulla të sjelljes - p.sh. për të folur më zë të ulët në kinema. Përderisa, ende e kanë të vështirë të përqendrohen plotësisht në detyrën e tyre ose t’i menaxhojnë ndjenjat e forta, si zemërimi apo xhelozia. Pasi ta fillojnë shkollën, bëhen gjithnjë e më të aftë për të kuptuar këndvështrimin e të tjerëve dhe për të argumentuar mendimin e tyre, bëhen më të mirë në shprehjen e mosmarrëveshjeve pa u grindur.
Vetë-rregullimi zhvillohet në marrëdhënie të ngrohta, mbështetëse dhe stimuluese, prandaj:
- bisedoni me fëmijën se si ndihet dhe analizoni sjelljen që ndërlidhet me ndjenjat (p.sh. pse u zemërua dhe si u soll atëherë, çfarë mund të kishte bërë tjetër);
- kur fëmijë lufton me emocione të forta (zakonisht frikë ose zemërim), ndihmojeni që ta emërtojë ndjenjën. Kjo qasje është frytdhënëse, nëse biseda zhvillohet kur fëmija qetësohet;
- ndihmoni fëmijën të gjejë mënyrën e duhur për t’u qetësuar dhe ndihmoni të qetësohet kur është duke luftuar me ndjenja të forta;
- jepni shembull fëmijës, emërtoni atë që bëni kur jeni të mërzitur ose të frustruar nga diçka;
- përdorni vëmendje pozitive dhe gjithmonë lavdëroni dhe theksoni suksesin e fëmijës për vetë-rregullim (ke pritur shumë mirë në radhë, më pëlqeu kur e kërkove lodrën dhe prite që shoku ta përfundonte radhën e tij në lojë...)
- përpiquni t’i përshtatni pritjet tuaja me aftësitë e fëmijës; në këtë mënyrë, ju ndihmoni fëmijën të aftësohet për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet;
- jini shumë të durueshëm, është shumë e vështirë për fëmijët e vegjël të kuptojnë dhe të përballojnë një vërshim emocionesh.
Kur duhet të shqetësoheni?
Për disa sjellje që lidhen me vetë-rregullimin mund të jetë e nevojshme të konsultoheni me një profesionist. Sigurohuni të konsultoheni me profesionistin nëse:
- fëmija ka nervozizëm dhe shpesh e ka të vështirë të përballojë ndjenjat e forta në krahasim me fëmijët e së njëjtës moshë;
- sa më i madh të jetë, aq më e vështirë është për fëmijën të përballojë ndjenjat e forta;
- kur mbingarkohen nga emocione të forta, sjelljet e fëmijës e rrezikojnë atë ose të tjerët;
- nuk mund të gjeni strategji të mirë për të ndihmuar fëmijën ta menaxhojë sjelljen dhe reagimet;
- fëmija bëhet shumë i tërhequr dhe shfaq më pak aftësi shoqërore në krahasim me bashkëmoshatarët.